Pjesëtarët e ish-strukturave ilegale marrin pagë pa punuar

Pjesëtarët e ish-strukturave ilegale të Serbisë ende nuk i kanë nisur angazhimet për llogari të shtetit të Kosovës, edhe pse ata janë futur në sistemin e pagave prej janarit të këtij viti, shkruan sot Koha Ditore.

Prej 483 pjesëtarëve të Mbrojtjes Civile, vetëm disa prej tyre janë duke kryer punë të përditshme në Doganën e Kosovës, në Agjencinë e Veterinës dhe Ushqimit dhe në Administratën Tatimore.

Dhënien e rrogave pa punuar, zyrtarë të Qeverisë e kanë arsyetuar me qëllimin që këta pjesëtarë t’i shkëpusin prej Serbisë dhe për shkak se atyre nuk u është krijuar ende hapësira për punë.

Kjo, pasi Qeveria ka hequr dorë nga objektet që për 17 vjet janë shfrytëzuar nga strukturat e Serbisë në veri të vendit, me arsyetimin se ato janë të vjetruara. Në anën tjetër, as shteti serb zyrtarisht nuk i ka larguar ilegalët nga lista e pagave.