Pistoleta, heroina dhe një martesë absurde

Para një viti në Francë zhvillohej Kampionati Europian i futbollit dhe duke luajtur për Zvicrën shqiptarët prodhonin lajme të mira. Sivjet lajme po prodhojnë jo vetëm dilerët e drogës, por edhe trafikantët e armëve. Një rrëfim për terroristin tunizian Anis Amri dhe armën e tij të ardhur nga Kosova në Gjermani – si dhe për idenë aspak gjeniale të një çifti zviceran për t’u martuar në Kosovë.




I. Erma – rruga e një arme
Më 19 dhjetor të vitit të kaluar, rreth orës 20:00, terroristi Anis Amri vrau një shofer kamioni, pastaj rrëmbeu kamionin dhe u hodh me të në turmën e njerëzve në një treg të Krishtlindjeve në Berlin. 11 njerëz vdiqën, mbi 50 u plagosën rëndë ose lehtë. Amri e vrau shoferin e kamionit me një revole të tipit Erma EP 552, numri serik 012030. Kjo revole ka një histori. U prodhua në një fabrikë armësh në landin e Thüringenit në Gjermani, pastaj përmes Bavarisë arriti në Konstanz të landit Baden-Württemberg, në kufi më Zvicrën. Këtu arma përfundoi në duart e një zvicerani. Më 1992 ai e solli revolen në Zvicër. Këtë zviceran tani e ka zbuluar një gazetë e Zürichut dhe ka zhvilluar një bisedë me të. Ai thotë se revolen ia kishte shitur një shqiptari, të cilin e kishte njoftuar në një kantier ndërtimi. Shqiptari, sipas tij, ishte luftëtar i UÇK-së dhe armën e kishte sjellë më vonë në Kosovë. Se si ka arritur pastaj arma nga Kosova në Gjermani dhe në fund në duart e terroristit Anis Amri mbetet e paqartë. Shqiptari që e kishte blerë armën nga zvicerani ka thënë për gazetën zvicerane se është i befasuar që revolja e tij është përdorur në një sulm terrorist. Ai ka thënë se armën ua kishte dhënë familjarëve në Kosovë. Autoritetet zvicerane kanë zbuluar se ky shqiptar kishte blerë ilegalisht në Zvicër 44 armë zjarri dhe së paku 35 prej tyre kishin arritur në territorin e ish-Jugosllavisë. Mes tyre ishte edhe revolja Erma. Në vitin 1994 shqiptari, zvicerani dhe një person tjetër u dënuan për tregti me armë. – Anis Amri pas krimit në Berlin iku në Itali. Afër Milanos u ndalua nga policët, kundër të cilëve hapi zjarr me armën e tij «kosovare», e cila s’i bëri punë. Një polic italian e vrau me revolen e tij të kalibrit të madh.

II. Tregu i drogës
Në mars të këtij viti në Basel u vranë dy shqiptarë dhe një u plagos rëndë. Të shtënat me armë treguan se qyteti verior zviceran, një ndër qendrat më të mëdha industriale të Europës, është shndërruar në një arenë të veprimtarisë së bandave shqiptare që merren me tregti me drogë. Këtë javë një studim i Universitetit të Lausannes bëri të ditur se tregtia me drogë, sidomos me heroinë, në Zvicër dominohet nga bandat shqiptare. Brenda një viti në Zvicër shitet heroinë në vlerë mes 100 dhe 150 milionë franga. Kriminologët nga Lausanna kanë intervistuar ekspertë të organizatave preventive, policë dhe të varur nga droga, po ashtu kanë bërë analiza të ujit për të konstatuar mbetjet e heroinës. Kështu hulumtuesit kanë arritur të përshkruajnë mjaft saktë funksionimin e modelit të shitjes së heroinës.

Në statistikat dhe njoftimet policore bie në sy shpesh numri relativisht i madh i shqiptarëve të arrestuar. Zakonisht arrestohen «peshqit e vegjël», ata që shesin nga 5 gramë heroinë nëpër rruga e rrugica, restorante e diskoteka. Qendra të shitjes së drogës janë Zürichu, Berna dhe Gjeneva. Të arrestuarit janë kryesisht shqiptarë nga Republika e Shqipërisë, të cilët në Zvicër vijnë si turistë. Që nga viti 2010 shqiptarët mund të qëndrojnë pa vizë në vendet e Schengenit për 90 ditë. Këtë liri disa shqiptarë duket se nuk e shfrytëzojnë për të udhëtuar dhe parë muze në Europë, por për vepra të paligjshme. Në shkurt të këtij viti televizioni zviceran njoftoi se një zyrtar policor shqiptar i një njësie të antidrogës në Fier kishte ikur në Zvicër, ku kishte kërkuar mbrojtje për shkak se ndihej i rrezikuar në vendin e tij. Ai tashmë ka marrë azil në Zvicër. Ish-polici ka treguar se ka qëndruar gjashtë muaj në burg në Shqipëri: «Arsyeja kryesore e arrestimit tim kanë qenë hetimet kundër kontrabandistëve të drogës. Kam ndaluar njerëz, kur ata po udhëtonin me veturën e ministrit të Brendshëm shqiptar. Ata ishin kushërinj të ministrit të Brendshëm».

III. Yolanda dhe Werneri ndërrojnë partnerët në Kosovë
Para një viti në Francë zhvillohej Kampionati Europian i futbollit dhe duke luajtur për Zvicrën shqiptarët prodhonin lajme të mira. Sivjet lajme po prodhojnë jo vetëm dilerët e drogës dhe trafikantët e armëve, por edhe zviceranët që e duan pak si tepër Kosovën. Për shembull çifti Yolanda (62-vjeçare) dhe Werner A. (66-vjeçar). Ata me vite të tëra ishin angazhuar në Kosovë, duke ndihmuar vendin dhe njerëzit. Por, dashuria e tyre ndaj Kosovës shkoi aq larg, saqë ata vendosën ta marrin në Zvicër një çift kosovar, me gjasë për t’i mundësuar një jetë më të mirë. Dhe çfarë bëri çifti A.? U shkurorëzua – dhe burri martoi kosovaren 34-vjeçare, gruaja lidhi kurorë me kosovarin 35-vjeçar. Ky shkëmbim absurd i bashkëshortëve dhe bashkëshorteve i ra në sy Ambasadës së Zvicrës. Kur Werner dhe Yolanda A. dorëzuan kërkesat në Prishtinë për t’i sjellë në Zvicër partnerët e tyre të rinj, zyrtarët e bllokuan procedurën, sepse diçka u dukej e çuditshme. Për shkak të martesave mashtruese çifti zviceran është gjobitur, por Werner A. nuk është pishman për angazhimin e tij romantik. «Nuk ndihem fajtor», u tha ai mediave zvicerane. Qëllimi i tij kishte qenë që çiftit kosovar t’ia mundësojë një jetë pa brenga në Zvicër. Kosova, sipas Werner A., «është një fuçi baruti».