PISA, pizza dhe qofte

Tronditja në mediat sociale mbi rezultatet e testit PISA është një shtirje publike. PISA është vetëm një pasqyrë në të cilën kosovarët refuzonin të këqyrnin veten, sepse e dinin si duken: për beter!

Foto: Shutterstock



Sa i përket dijes 15-vjeçarët kosovarë janë në fund të pusit. Kështu e thotë PISA, testi ndërkombëtar i diturisë së nxënësve. Praktikisht nxënësit kosovarë nuk dinë të llogarisin dhe kompetenca e tyre në lexim është baras me zero. Frikësuese është kjo gjetje, por a ka arsye të befasohemi? Tronditja në mediat sociale mbi rezultatet e testit PISA është një shtirje publike. Sepse rezultati konfirmon atë që shihet çdo ditë. Prej vitesh.

Në një mbrëmje maji të vitit 2014 kryeministri i atëhershëm (tani kryetar) shtroi darkë për 1100 arsimtarë në Prizren. Fluturonin sahanë e rrotulloheshin qofte e pizza në qytetin historik në emër të ardhmërisë më të mirë. Kryeministri shkruante: «Në mbrëmje u ktheva përsëri në Prizren, ku darkova me mbi 1’100 punëtorë të arsimit. Kam realizuar rritje të njëpasnjëshme të rrogave të mësuesve, por ata e meritojnë çdo euro për punën e tyre të palodhshme me fëmijët tanë. Misioni i Ri nënkupton investime të mëtutjeshme në arsim dhe vende të reja pune». Mendohej se kështu, me qofte, do të përmirësohej gjendja në arsim. Mendohej se arsimtarët janë «aset» i rëndësishëm për sigurim të votave.

Kundër darkës së Prizrenit ashpër e me zemërim kishte protestuar ministri i tanishëm i financave, atëherë një yll në ngjitje në LDK: «Hashim Thaçi dje në mënyrë të dhunshme privoj nga e drejta e edukimit dhe arsimimit fëmijët e shkollave të qytetit të Prizrenit. Ai i detyroj fëmijët të kthehet mbrapa në shtëpi, pasi që mësuesit dhe arsimtarët e tyre, dhunshëm u detyruan të shkojnë në darken e shekullit të ftuar nga shefi i shefave. Duke vepruar sipas mendësisë se tyre të pa edukuar dhe e paarsimuar, Hashim Thaçit, dhe vartësve mundohen që edhe brezat e rijnë të mos edukohen/arsimohen».

Avdullah Hoti premtonte se «LDK dhe populli arsimdashës i Kosovës këtë do ta ndaloj më 8 qershor. LDK dhe populli i Kosovës më 8 qershor do t’ua mundësoj arsimtarëve dhe mësuesve tanë që profesionin e tyre të shenjt ta zhvillojnë në mënyrë të lirë dhe të pa shantazhuar». Internet i poshtër – përse ruan edhe këso gjërash?

Pas shpalljes së pavarësisë një servil kishte vendosur në ndërtesën e re të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës një pllakë me këtë shënim: «Tempujt e dijes dhe të shkencës janë rreze drite për kombin dhe njerëzimin». Nën të emri i atij që e paskësh thënë këtë fjalë me plot margaritarë: Hashim Thaçi. Kur lexon këso «citatesh» të shkon mendja te ndonjë diktator i vendeve të Kaukazit, por shpesh edhe ata kanë më shumë stil.

Pas luftës «partia e luftës» premtonte depolitizimin e arsimit, ndërsa «partia e paqes» me akademikët e saj sillej sikur nuk duhet bërë asnjë investim në arsim, sepse themelet e vendosura në vitet ’90 na qenkan aq të forta. Kështu nisi epoka e tenderëve. E asfaltit. E doktoratave të shkruara me shkronja e mendime të vjedhura. E botimit të «punimeve shkencore» në revista të Indisë. E «konferencave shkencore ndërkombëtare» të organizuara nga Universiteti i Gjilanit, i Tetovës dhe i Durrësit. Domethënë: takohen shqiptarët, rrinë ca ditë në një sallë dhe pretendojnë se morën pjesë në një «konferencë ndërkombëtare».

Ku shihet mjerimi më qartë? Shikoni si shkruhen dokumentet që i lëshon administrata. Shikoni vendimet gjyqësore të shkruara nga juristë pothuaj analfabetë. Shikoni si shkruajnë policët. Si shkruajnë profesorët universitarë (me pak përjashtime). Shikoni si shkruajnë gazetarët, ata që jetojnë nga shkrimi. Shikoni me çfarë lajmesh e ushqejnë (helmojnë!) opinionin shumica e portaleve dezinformative. Shikoni si vidhen shkrime, lajme, tituj, fotografi, ilustrime.

PISA është vetëm një pasqyrë në të cilën kosovarët refuzonin të këqyrnin veten, sepse e dinin si duken: për beter!