Pinte Rugova? Do ta harroni pasi ta keni parë Uinston Çërçilin!

Vështrim për filmin «The Darkest Hour» mbi Uinston Çërçilin, rolin madhështor të Geri Oldmanit, të shpërblyer me Oscar dhe për disa ngjashmëri të vërejtura në këtë vepër kinematografike ndërmjet kryeministrit më të famshëm britanik dhe liderit të pavarësisë së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova.




Jo pa keqdashje, shumë oponentë politikë e kanë zënë në goje dr. Ibrahim Rugovën si «pijanik», meqë është i njohur fakti se lideri i pavarësisë së Kosovës ka ditur të ngre ndonjë gotë vere apo edhe uiski të mirë.
Meqë shumica e njerëzve tanë nuk shikojnë filma, ndërsa pakica që shikojnë sipas rregullit nuk kanë shumë lidhje me botën këndej ekranit, duke numëruar ndër ta edhe kritikët e filmit – askush nuk e ka shquar këtë veti të Rugovës si të ngjashme me atë të kryeministrit më të famshëm britanik, Uinston Çërçilit nga filmi më i ri për të – The Darkest Hour (Ora më e errët apo Çasti më i errët, si do të mund të përkthehej). Për dallim prej këtij tonit, britaniku, siç e shohim në film, jo që kthen ndonjë gotë, por gotën e uiskit e ka në dorë tekstualisht që nga zgjimi, gjatë tërë ditës e deri në mbrëmje vonë, kur edhe ndonjë shërbyes ndodh t’i thotë: më ndjeni zotëri, por kjo është gota e fundit për sonte!

Se sa e parëndësishme është kjo për një udhëheqës mund të thuhet pasi që, për dallim prej Rugovës, britanikut të famshëm këtë nuk ia zë në gojë askush, madje as kundërshtarët e tij të përbetuar politikë, Nevill Çembërlen e Eduard Vud, të cilët përpiqen ta rrënojnë programin e tij si kryeministër, por edhe shumicën e kohës e pengojnë në çastet më vendimtare të rezistencës ndaj fashizmit. Pos se, rreth pijes së Çërçilit ka një mahi të mirë, e cila ia vlen të tregohet. Njëherë, duke hyrë në parlament, sigurisht, me puron në gojë dhe me plloskën e uiskit në xhep, një deputete i thotë: – Uh, zoti kryeministër, qenkeni i dehur! Çërçili ia kthen me gjakftohtësi: – Po zonjë, por unë nesër do të jem i kthjelltë si dita, e ti po kështu e shëmtuar si sot!

Ngjashmëritë e dallimet

Nëse nuk e keni ditur, edhe gishtat e ngritur në formë «V»-je, për «Victory» (fitore), siç i ngrinte Rugova, më parë kishin një kuptim qesharak, por janë bërë të njohur në kuptimin e sotshëm mu nga Uinston Çërçili. Ngjashmëria më e madhe, ndërkaq, është ajo e mosdorëzimit edhe kur ndjen se je krejtësisht i vetmuar dhe tërë bota tjetër nuk e mbështet synimin tënd. Për Çërçilin kjo është e njohur botërisht, ndërsa Rugova për këtë, siç e kemi lexuar, ka një dëshmitare të mirë – zonjën Medlinë Ollbrajt. Në të vërtetë, kjo është e vetmja pikë e cila i bën të duken njësoj shqiptarin e butë, por këmbëngulës, e anglezin energjik. Ndonëse edhe Rugova ka ditur t’i ngre në këmbë me fjalimin e tij edhe parlamentarët evropianë, fjalimet e Çërçilit, për të cilat ai është i njohur, kanë pasur energji krejtësisht tjetër dhe e kanë ngritur në këmbë një komb, madje një Europë të tërë. Në gjërat e tjera ata dallojnë shumë për nga temperamentet e vetitë tjera, për aq sa dallojnë edhe Kosova e Britania e Madhe me vetitë e historitë e tyre.

Padyshim se të dytë ishin udhëheqës drejt së mirës së përgjithshme të vendeve të tyre. Atë që shumë bashkëvendës tonë ia kontestojnë Rugovës, Çërçilit ia pranojnë madje edhe amerikanët, ku filmi ka tërhequr mjaft shikues dhe ka zgjuar dashurinë e tyre ndaj tij.

Historiani Endërju Roberts për gazetën «The Guardian» kështu e shpjegon respektin e amerikanëve për Çërçilin: «Ai është personifikim i liderit, të cilit i mahniten të gjithë dhe e kanë shembull e i cili punon për qëllime të përbashkëta. Kjo ua përkujton njerëzve se një lloj i tillë i udhëheqjes së thjeshtë, të padyshimtë mund të ekzistojë». «Jo»-ja e vendosur e Çërçilit ndaj Hitlerit ka zgjuar admirimin e amerikanëve, sepse në atë kohë Amerika e Franklin Delano Ruzveltit ishte izolacioniste.

Rol i madhërishëm

Po, t’i kthehemi filmit. Të gjithë pajtohen se vepra e Xho Rajtit është e mrekullueshme, ndërsa roli i Geri Oldmanit (59), edhe i shpërblyer me Oscar – i madhërishëm. Ngjarja e filmit është vendosur në maj të vitit 1940, kur Çërçili, vetëm disa ditë para se të hyjë si kryeministër në Dauning strit 10, ballafaqohet me dilemën ekzistenciale: të pranojë marrëveshjen e paqes më Gjermaninë naziste apo të vazhdojë luftën, përkundër gjasave në dukje të pamundshme. Kryeministri duhet të tejkalojë skepticizmin e mbretit të tij, të partisë së tij dhe të popullit të tij.

Majkëll Bishop, drejtor ekzekutiv i Shoqatës ndërkombëtare të Çërçilit e ka parë «Orën më të errët» disa herë dhe e ka vlerësuar lart. «Geri Oldman e ka kapur mendjemprehtësinë e Çërçilit, trimërinë e vendosmërinë, madje edhe të qeshurën e tij djallëzore», ka shkruar në vështrimin e tij për filmin. «Në harqet e tymit të cigares, me zërin i cili luhatet nga pëshpëritja e paqartë deri të klithma depërtuese, Oldman edhe duket, edhe tingëllon i përsosur. Por, gjenialiateti i vërtetë i performancës qëndron në energjinë, të cilën Oldman i ka dhuruar personazhit. Çërçili është paraqitur saktësisht si dinamo njerëzore, siç e kanë quajtur bashkëkohësit. Ky është larg Çërçili më i mirë i parë ndonjëherë në film», ka vlerësuar Bishop.

Po ashtu, revista «Time» shkruan se një nip i Çërçilit, Nikolas Soames, i cili e ka njohur gjyshin e tij kur ka qenë plak, pas një projeksioni privat të filmit në familjen e Çërçilit, e ka lëvduar shumë aktrimin e Geri Oldmanit: «Ka pasur aktorë brilant të Çërçilit më parë», ka thënë ai – por mendoj se Geri Oldman absolutisht e ka pushtuar atë».

Vetë Oldman ka tërhequr një paralele me Shekspirin dhe ka thënë se Çërçili është një lloj Liri i tij. «Kam menduar gjatë a ta pranoj rolin. Sinqerisht, jam frikuar. Por, në fund të fundit, cila është e keqja më e madhe që mund të ndodhë? Askush nuk do të burgosë po dole keq. Mendova: Do të kërcej në humnerë e të shohim se çka do të ndodhë» – i ka thënë Oldman «CBS»-it.

Oldman ka vënë në dukje disa dallime mes kohës sonë dhe asaj të Çërçilit. «Filmi ynë tregon se si fjalët mund t’i ndezin njerëzit, t’i emocionojnë e t’i motivojnë, madje edhe fjalët më të thjeshta anglosaksone. Për mua ishte freskuese, sepse sot jetojmë në botën, në të cilën komunikojmë nëpërmjet emotikonëve. Sikur Çërçili t’i shihte këta emotikonë mendoj se do të rrotullohej në varr», ka thënë Oldman.

Kulmi i filmit janë fjalimet e famshme të Çërçilit dhe para parlamentit apo publikut. Talenti i vërtetë i Oldmanit vërehet në mënyrën, me të cilën reagimet e tij në ato fjalime të zëshme i lënë publikut ndjenjën e ankthit triumfal ndaj ardhjes së luftës. Sigurisht nuk dallojnë nga efekti, të cilin Çërçili e ka arritur tek njerëzit kur ka folur.

Kinematografi e përsosur

Sikundër që mund të merret me mend, në qendër të këtij filmi është Uinston Çërçili, i cili udhëheq me çdo skenë, duke i lënë shumicën e aktorëve në hije, pos Lili Xhejmsit, sekretares së Çërçilit, Elizabeta Lajton. Ajo është me të që nga fillimi i filmit dhe qëndron në anën e tij si paraqitje simpatike e qytetarit të bashkuar britanikë.

Ben Mendelsoni, në rolin e mbretit Xhorxh VI, në fillim të filmit është shumë i përmbajtur me Çërçilin, por e respekton dhe varet prej tij. Marrëdhënia ndërmjet këtyre dy njerëzve është njëra prej aspekteve të këtij filmi, të cilët kanë një kimi mes tyre. I vetmi personazh dytësor tjetër, të cilin ia vlen të mbahet mend, është bashkëshortja e Çërçilit, Klementina, të cilën e aktron Krisitina Skot Tomas. Ajo e luan atë rol me ndjeshmëri e mend, me çka duhet të lëvdohet. Klementina i qetëson pasionet e Uinstonit, e lëvdon suksesin e tij. Dinamika e tyre është e mrekullueshme. Kritikët kanë vlerësuar kinematografinë e filmit, si njërën prej pikave më të larta të filmit. Në fakt, xhirimet janë të bukura, e sidomos ndriçimi i gati secilës skenë është i njohur dhe i paharrueshëm.

Njëra prej skenave më mbresëlënëse është ajo kur Çërçili mban fjalimin e tij në radion kombëtare. Të gjitha dritat fiken, mbetet vetëm ajo e kuqja, e cila shënjon se emisioni është i drejtpërdrejtë. Fytyra e Çërçilit, e shpëlarë në atë dritë të kuqe deri sa flet, është shumë e fuqishme.

Kritikët kanë lëvdata të pafundme për tempin e shkëlqyeshëm të filmit, të cilin e mban deri në minutën e fundit. Filmi fillon në çastin e përkryer të ngritjes së Çërçilit në postin e kryeministrit, përfshin disa javë të tij, ndërsa përfundon me njërin prej fjalimeve më të fuqishme të tij. Regjisorët kanë ditur se kur ta fillojnë e ta përfundojnë filmin, duke ia dalë që të jetë interesant në çdo pikë ndërmjet. Që do të thotë se shikuesit nuk do të mërziten asnjëherë me këtë film, i cili ka hyrë në program dhe po shfaqet ne kanalin «Autor» të Digitalbit.