Piktori Ibrahim Kodra përkujtohet me projekte të mbetura në sirtar

100-vjetori i lindjes së piktorit Ibrahim Kodra ka vënë në lëvizje disa shoqata, institucione dhe individë, që synojnë ta kthejnë këtë ditë një kujtesë për veprën e tij, por pak prej tyre kanë mundur të sigurojnë fonde, ndërsa ide e projekte të hedhura që prej vitit 2005 mbeten sirtarëve pa u konkretizuar.

Ibrahim Kodra.



Një vit para vdekjes së Ibrahim Kodrës, në Galerinë e Arteve të qytetit të Durrësit u sollën dhe u magazinuan 127 vepra të piktorëve dhe skulptorëve nga Italia, miq dhe kolegë të mjeshtrit shqiptar. Emiljan Metaj, ish-drejtues i kulturës në bashkinë e Durrësit, thotë se veprat mbërritën nga Italia, kur Kodra ishte ende gjallë dhe ishin një dhuratë për të dhe për qytetin bregdetar. Artistët italianë kërkuan atëherë që veprat të katalogoheshin dhe të ekspozoheshin në një muze kushtuar mikut të tyre, Ibrahim Kodra. «Kjo ende nuk është arritur», thotë Metaj, duke shtuar se veprat janë magazinuar disa here në vende të ndryshme, pa arritur të ekspozoheshin asnjëherë të gjitha së bashku, ndërsa një muze me emrin e piktorit nuk ekziston as sot.

100 vjetori i lindjes së tij mund të ishte një rast i mirë për ekspozitën apo për të kujtuar piktorin, por megjithëse fshatarët e zonës së Ishmit në Durrës, vendi ku lindi Kodra, po përpiqen që me veprimtaritë e 22 prillit në vendlindjen e tij, të tërheqin edhe vëmendjen dhe bashkëpunimin e institucioneve vendore dhe qendrore, ende nuk ka një kalendar të përbashkët veprimtarish në shkallë lokale dhe kombëtare. Ndërkohë, një sërë projektesh për të nderuar piktorin kanë mbetur thjesht ide dhe i vetmi angazhim qeveritar që bëri bujë ishte përpjekja e kundërshtuar nga banorët për ta zhvarrosur Kodrën dhe sjellë eshtrat e tij në Tiranë në vitin 2016.

Ibrahim Kodra konsiderohet piktori më i njohur shqiptar me famë ndërkombëtare. Ai u lind në Ishëm në vitin 1918, por është zhvendosur më pas në Itali, ku jetoi derisa vdiq në vitin 2006 në Milano. Pas vdekjes, trupi i Ibrahim Kodrës u varros në vendlindje, ndërsa autoritetet e kohës organizuan edhe një ceremonial zyrtar.

Lulzim Bega, kryetar i Ansamblit Kulturor «Ibrahim Kodra» tha për BIRN se ata kishin planifikuar një koncert dhe po ashtu pritet të organizohen në Ishëm edhe ekspozita, ndërsa kanë kërkuar nga Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Durrësit edhe mbështetjen për ngritjen e një shtëpie muze, në fshatin Likmetaj, ku 100 vjet më parë ka lindur mjeshtri Kodra. Sipas Begës, i cili po punon të vendosë kontakte edhe me Fondacionin «Kodra» në Milano dhe në Zvicër, deri tani nga institucionet nuk ka asnjë përgjigje konkrete.

Përpjekjet për ngritjen e një banese modeste me elemente muzeale mbi themelet e shtëpisë kanë nisur dy vjet më parë, kur një biznesmen nga Durrësi mori përsipër të financojë gjysmën e shumës që nevojitej për muzeun «Kodra». Mjaft i pasionuar me veprën e piktorit shqiptar që pjesën më të madhe të veprimtarisë e zhvilloi në Itali, Jashar Arrëza, i cili ka punuar si ndërtues për shumë kohë, thotë se përfaqësuesit e shoqatave nga Ishmi janë konfuzë në kërkesat dhe kontributin e tyre për ngritjen e muzeut.

«Shoqata nuk arriti të merrte miratimin e të zotëve aktualë të truallit, dhe për pasojë nuk formuloi dot as kërkesën për leje ndërtimi», thotë Arrëza, i cili nga ana e tij këto ditë po përgatit një ekspozitë me vepra të mjeshtrit Ibrahim Kodra, që ndodhen në vendin tonë. «Në shkollën e mesme të Durrësit që mban emrin e piktorit të shquar ndodhen 8 tablo të piktorit dhe bashkë me 30 të tjera që janë pronë e koleksionistit Kozma Dashi, përbëjnë ekspozitën – homazh që do të përcjellim për Ibrahim Kodrën në 100-vjetorin e lindjes», shton Jashar Arrëza. Edhe vendvarrimi i Kodrës në një nga lëndinat më të bukura të zonës së Ishmit vazhdon të jetë «mollë sherri».

Përfaqësuesit e fondacionit «Kodra» me qendër në Milano, dy vjet më parë kërkuan për të disatën herë, që varri i tij të zhvendosej drejt Tiranës apo Durrësit. Presidenti i fondacionit, Fatos Faslliu, vazhdon ta shohë «banesën e fundit» të Kodrës në një memorial pranë liqenit artificial të kryeqytetit, në mbështetje të idesë së qeverisë shqiptare për të bërë së bashku disa nga figurat e shquara të kulturës shqiptare. Një nga argumentet e Faslliut mbetet mungesa e kujdesit që tregohet për të ardhmen e vendvarrimit të piktorit të shquar në vendlindje. Disa projekt-ide që datojnë nga viti 2010 për ta kthyer në mauzole apo të paktën në një vend pelegrinazhi për kureshtarët dhe turistët nuk kanë pasur asnjë zhvillim.

Ndryshimet pozitive nuk janë ushqyer dot as nga prania e kalasë mesjetare, që ndodhet në të njëjtin shesh-pushimi, nga ku duket fusha e Thumanës deri në Tiranë, si dhe kodrat e Ishmit që bien mbi det. E po ashtu edhe mbeturinat që depozitohen herë pas here në afërsi të varrit dhe kalasë nuk mund të joshin askënd në këtë pikë-sipas Faslliut.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Durrës ka përgatitur një projekt për rehabilitimin e faqes kryesore të kalasë, por edhe aty vështirësitë kanë lidhje me pronat. Hyrja kryesore e kalasë 500-vjeçare që vazhdon të banohet nga disa familje, është bllokuar nga një prej pronarëve të rinj dhe realizimi i idesë duket se do të shtyhet edhe disa kohë. «Vendvarrimi i Kodrës në një pikë dominuese të Ishmit krijon mundësi mjaft tërheqëse edhe për prezantimin e fshatrave rreth tij», thotë Tasim Besho, ekspert i turizmit. Kjo zonë që ka në përbërje bregdetin e gjirit të Lalzit, Kepin e Rodonit dhe kodrat e buta në lindje të tij, megjithëse shumë pranë Tiranës dhe Durrësit, vazhdon të jetë pak e njohur. Sipas tij, shoqatave që kërkojnë promovimin e zonës duke shfrytëzuar edhe figurën e mjeshtrit të pikturës, Ibrahim Kodra, u mungon përvoja në shfrytëzimin e mundësive që ka Ishmi.

Koncerti i planifikuar më 22 prill do të mbështetet kryesisht në përgatitjet e nxënësve të shkollës më të vjetër të qarkut të Durrësit, e cila festoi vetë 105 vjetorin e krijimit më 5 prill, si dhe në ekspozitat e studentëve të talentuar. Ndërkaq, kolonia e piktorëve profesionistë e cila vitet e fundit ka organizuar tre veprimtari 1-javore në rrethin e Durrësit nuk ka gjetur mbështetjen financiare për një aktivitet kushtuar kolegut të famshëm nga Ishmi. Që prej tre vitesh e gjithë treva është pjesë e Bashkisë së Durrësit dhe nismat e saj duhet të marrin zyrtarisht miratimin e këtij institucioni.

Drejtuesit e disa shoqatave me emrin «Ibrahim Kodra» nuk kanë asnjë informacion, lidhur me aktivitetet e mundshme të Bashkisë, në nderim të mjeshtrit Kodra. Veprimtaritë që pritet të zhvillohen më 22 prill në Ishëm, ditën e 100-vjetorit të lindjes së piktorit të shquar të kësaj treve, duket se do të mbeten të izoluara në vendin nga ku Ibrahim Kodra nisi rrugëtimin e tij drejt botës së artit dhe ku u rikthye më 6 shkurt 2006, ditën kur mbylli përfundimisht sytë. (reporter.al, BIRN)