Piktori Gazmend Ejupi ekspozon në Londër [video]




Piktori nga Prishtina, por që jeton në Londër, Gazmend Ejupi, është në mesin e 6 artistëve, punimet e të cilëve janë prezantuar në një ekspozitë të organizuar nga Shoqata e artistëve të Ballkanit.

 

Kjo shoqatë, me seli në Londër, ka hapur në kryeqytetin britanik një ekspozitë të disa artistëve ballkanas, ku mes atyre nga Kroacia, Greqia, Turqia e Bosnjë e Hercegovina.

Ekspozita «Two Mouthsful of Silence», e cila bëri bashkë në një vend një numër të madh artistësh, sjell për publikun punime që vënë në pah çështje të ndryshme politike-ekonomike, si dhe ndikimin që ato e kanë në jetën e njerëzve.

Sipas Kristale Rama, drejtoreshë e Shoqatës së artistëve të Ballkanit, e cila promovon dhe mbështet artistë nga tërë rajoni i Ballkanit për publikun britanik, «tema me të cilën merret ekspozita është ‘kriza dhe dhimbja’ dhe sesi interpretimi i tyre procesohet te njerëzit e ndryshëm. Është një temë, të cilën e gjithë bota e kupton në shkallë të ndryshme», ka thënë Rama për emisionin Express, transmeton Koha.net, e cila i ka falënderuar të gjithë ata që vazhdojnë ta përkrahin Shoqatën e Artistëve të Ballkanit.

Ekspozita «Two Mouthsful of Silence» do të qëndrojë e hapur për publikun britanik deri më 17 shtator.

Në anën tjetër, piktori kosovar aktualisht është duke punuar në realizimin e një serie të re të pikturave. Ai tha se dëshira është që t’i përmbledhë në një ekspozitë, por kjo varet nga përkrahja që do të hasë.

Shoqata e artistëve të Ballkanit, në Londër, ka organizuar së fundi disa aktivitete promovuese për krijuesit dhe artistët nga vendet e gadishullit, të cilët kanë mundur t’i ofrojnë publikut britanik artin e tyre dhe veçantinë e tij.