Piano me katër duar: Ardita Statovci dhe Ariane Haering japin një koncert në Zvicër

«Ariadita Duo» do të performojë këtë të diele në La Chaux-de-Fonds.

Ardita Statovci dhe Ariane Haering.



Pianistet Ardita Statovci dhe Ariane Haering kanë themeluar një duet, i cili pas çdo paraqitjeje lavdërohet me tonet më të larta nga mediat. Pas një koncerti të tyre radioja austriake ORF/Ö1 theksoi se bëhej fjalë për një «duet pianistik të ekstra-klasit». Kritikë të tjerë të muzikës kanë shkruar për dy pianiste me temperament të jashtëzakonshëm dhe muzikalitet të përsosur.

Kompozitori i njohur Alexander Müllenbach ka kompozuar veprën e tij «Paysages imaginaires» për duetin pianistik «Ariadita». Të dielën (3 dhjetor) pianistja kosovare Ardita Statovci dhe ajo zvicerane Ariane Haering do të japin një koncert në në La Chaux-de-Fonds të Zvicrës franceze. Për të parë e dëgjuar këtë koncert nga Luksemburgu do të udhëtojë vetë kompozitori Alexander Müllenbach.

Koncerti do të mbahet në orën 17:00 nën organizimin e shoqatës me traditë 125-vjeçare «Société de la Musique» të La Chaux-de-Fonds. Në koncert do të interpretohen vepra pianistike për katër duar nga: George Gershwin, Alexander Müllenbach dhe Ludwig van Beethoven. (dp)