Pianistja Ardita Statovci në «Aspekte Festival» në Salzburg

Festivali austriak në të cilin, qysh prej themelimit më 1977 në qytetin Salzburg, janë interpretuar vepra të kompozitorëve më me nam të shekullit njëzet, në programin e edicionit të sivjetmë ka përfshirë edhe një pianiste kosovare.




Ardita Statovci – e cila nga kritika është vlerësuar si «interpretuese e sinqertë, e qartë, shumë prekëse dhe pianiste me kualitete super elitare» – të premten do të ngjitet në skenën e «Aspekte Festival», shkruan sot «Koha Ditore». Në festivalin katërditor që nis sot, Statovci do të shoqërohet në skenë nga kolegia e saj zvicerane, Ariane Haering. Festivali sivjet shënon edicionin jubilar, të 40-in.

«E veçanta e këtij koncerti dhe për atë që unë ndihem jashtëzakonisht e nderuar, është që festivali ka porositur një vepër premierë me dëshirën dhe kërkesën time tek kompozitori i njohur Alexander Müllenbach enkas për duon time me Ariane Haering, të cilën do ta luajmë për herë të parë këtë javë në Salzburg», ka thënë Statovci. Müllenbach është pianist, kompozitor e dirigjent nga Luksemburgu, i cili prej vitit 1978 e deri më tani ka kompozuar mbi 100 vepra, prej të cilave 13 për orkestër simfonike, sikurse edhe për operë. Të gjitha veprat e tij janë interpretuar në festivalet më të mëdha të muzikës klasike.

Statovci ka shtuar se pjesa tjetër e programit që do ta interpretojë në «Aspekte Festival» përmban po ashtu vepra interesante.

Pas performancës në Salzburg, Statovci do të përgatitet për një tjetër koncert recital në kuadër të festivalit evropian «Festspiele Europäische Wochen Passau», që mbahet në Gjermani, Austri dhe Çeki.