Pi i vetëm në hënë

Foto: Shutterstock



Mes lulesh sonte veç e mbusha
Një kupë në qetësi
Po pi un’ verë në këtë natë
E pranë s’kam njeri.

Atëherë hënën seç e ftova
Që bridhte lart në re
Dhe hijen time seç e ftova
Dhe ja, u bëmë tre.

Po vallë hëna a di të pijë
Mendova në atë breg
Dhe hija ime a di të pijë
Megjithëse pas më ndjek?

Dhe hije e hënë ngatërrova
Pa nisa që të pi
Ta zgjas gostinë isha gati
Deri në përjetësi.

Un’ ia marr këngës dhe në qiell
Lëviz hëna përtej
Unë nis kërcej dhe hija ime
Ja nis që të kërcejë.

Dhe çakërrqejf u bëmë të tre,
U dehëm për qamet
Dhe si dëfryem ikëm ne
Sikush në rrugë të vet.

Dhe prapë siç duket në vetmi,
Do pi në këtë jetë
Gjersa të pjek atë që n’yjet
Iku, më la përjetë.

Përktheu: Ismail Kadare