Petrit Halilaj në garë për çmimin që vlerëson talentet e artit bashkëkohor

Artisti Petrit Halilaj - i cili kishte prezantuar Kosovën në pjesëmarrjen historike për herë të parë në Bienalen e Artit në Venecie- është nominuar për çmim të rëndësishëm që vlerëson artistët bashkëkohorë.

Halilaj është përfshirë në listën me pesë finalistë të kategorisë së artit në edicionin e dytë të «Mario Merz Prize», bashkë me artistët Francesco Arena, PGili Lavy, Shahryar Nashat, dhe Suha Traboulsi. Lista e ngushtë është publikuar gjatë fundjavës në «Auditorium Kunsthaus» në Cyrih, që përkon me premierën botërore të «Al Araba Al Madfuna III» nga Wael Shawky, i cili është fitues i edicionit inaugurues të çmimit që ndahet çdo dy vjet, shkruan sot «Koha Ditore».

Arena, Halilaj, Lavy, Nashat, dhe Traboulsi janë përzgjedhur nga artistja Marisa Merz, Nicholas Cullinan, i cili është drejtor i «National Portrait Gallery» në Londër dhe kuratorja e pavarur Claudia Giola.

«Duke shqyrtuar kandidatët e shumtë, kemi parë se këta janë më së afërmi me shpirtin e , një çmim që u dedikohet atyre që janë të angazhuar me shumë vendosmëri që ta vazhdojnë punën e tyre pavarësisht çfarëdo kundërshtimi të përkatësisë politike, shoqërore apo gjeografike», ka thënë Beatrice Merz, presidente e Fondacionit Merz për «news.artnet».

Të pesë artistët do të ekspozojnë veprat e tyre në një ekspozitë kolektive që do të hapet në hapësirat e «Fondazione Merz» në Torino, në mars të vitit 2017.