Pesha e fajit të konsumit

Shënime për L., konsumerizmin kapitalist dhe problemet e fajit të botës së kamur.



Ajo është qytetare e përgjegjshme. Lumturia për të është e kushtëzuar nga mirëqenia dhe një sens i barazisë në komunitetin përeth. Paçka se bën një punë jo të rregullt dhe nuk ka një siguri financiare, ajo nuk është e preokupuar me paranë, përtej pagesës mujore të qirasë. Me pjesën e mbetur blen libra në tregun e dorës së dytë dhe udhëton sa herë që mundet. Në vend të hoteleve, preferon alternativa tjera më sociale dhe më pak konsumeriste si «couchsurfing» apo «airbnb». Ajo nuk bën pjesë në elitën e re perëndimore që konsumon vetëm produkte biologjike, që vishet me prodhime të modës «fair-trade», apo që mat me përpikëri ndotjen e karbonit saherë që udhëton diku me aeroplan. Por nuk tundohet prej hiper-prodhimit të industrisë së kozmetikës, modës.

Duke qenë shumë e ndjeshme ndaj çështjeve të diskriminimit dhe padrejtësisë në përgjithsi, i sheh me dyshim dyqanet, produktet e të cilave janë shumë të lira për nivelin e jetesës në Belgjikë. Shumë herë mediumet perëndimore kanë raportuar se si rrjete dyqanesh si «Primark», «H&M», «GAP», «Disney» etj. prodhojnë produktet e tyre në «fabrika» të improvizuara në bodrume pa dritë dhe pa kushte të mjaftueshme pune në Singapor, Bangladesh, Kinë etj. Të gjitha këto janë trend i industrisë kapitaliste të njohur si «fast fashion» (modë e prodhuar shpejtë), që mbahet me prodhim masiv të trendeve të momentit, të prodhuara sa më shpejtë që është e mundur dhe për t’i shitur masivisht në çmimet më të ulëta të mundshme. Shumë shpesh është raportuar edhe për punësim të fëmijëve në këto bodrume në këmbim të pagesës prej një 1 dollari amerikan për orë. Në vitin 2013 një ndërtësë u rrënua në Savar të Bangladëshit ku gjetën vdekjen mbi 280 puntorë të kontraktuar nga po këto firma që veshin qytetarët e kamur perëndimorë me produkte me çmime astronomikisht të lira. 

«Elita e emancipuar» perëndimore ka kohë që bojkoton këtë rrjet dyqanesh për të mos u bërë pjesë e rrjetit global të dhunës së konsumit kapitalist. Kjo elitë është jo domosdoshmërisht financiarisht e kamur – që ka mundësinë të blejë gjëra më të shtrenjta -, por parimisht nuk dëshiron të jenë bashkëfajtore në këtë eksploatim. Është më shumë çështje etike dhe e vetëdijes qytetare se sa çështje xhepi.

E tillë është edhe L. Ajo kurrë nuk do ta kishte menduar se një ditë do ta gjente veten në një nga këto dyqane për të blerë dy jastekë për dhomën e saj të ditës. Çmimi i tyre ishte katërfish më i lirë në krahasim me dyqanet që mendohet se nuk pinë gjakun e fuqisë punëtore në Singapor e gjetkë për të prodhuar jastëkët e tyre. Pas afro një orë dyshimesh, meditimesh, argumentimesh me veten, ajo doli nga dyqani me dy çanta letre gjigande që mbanin jastëkët e saj të ri. Gjatë rrugës për në shtëpi, eci me kokën ulur. Pesha e fajit për këtë blerje kishte rënduar edhe fizikisht peshën e jastëkëve të mbushur me sfungjer. Ndnjenja e fajit dhe e turpit po bëhej simbiozë e padurueshme.

E mundur moralisht, vetja iu duk si personazhet e filmave amerikanë, të cilët pasi kanë kaluar një natë gjysëm të pavetëdijshëm në shtratin e dikujt, ecin kokëlulur mëngjesin e së nesërmen derisa tërheqin më vështirësi takat e larta. Por faji i L. ishte shumë më i gjerë se një moment i gabuar ku në fund të fundit ne përfshijmë vetëm veten tonë. I dukej se po e gjykonte gjithë turma që kalonte poshtë e lartë në atë lagje të stërmbushur me dyqane. Po ajo turmë për të cilën ajo vetë sa e sa herë kishte ndjerë keqardhje tek sa i shihte tek dilnin të ngarkuar me qese të mbushura plot gjëra të nevojshme e të panevojshme. Tani edhe ajo u bë një me atë turmë, që pavarësisht se ishte munduar të mos e gjykonte kurrë për arsyet dhe motivin e blerjes, ishte ndier e lumtur dhe e lehtësuar që nuk ishte pjesë e saj. E vetëdijshme që kjo ishte në kundërshtim me parimet e saj, e pranoi këtë betejë të humbur me konsumin e lirë. Paçka se kjo ishte hera a parë. S’kishte rëndësi nëse ishte e para apo e njëqindta.

Sa herë që e lodhur nga puna mbështetet në jastëkët e kolltukut të saj, e ndjen mohimin që i bëhet pushimit të saj. Sa herë ajo mbështet kokën, i kujtohet ecja e saj e turpshme duke bartur në çanta letre peshën e fajit të konsumit. Peshën e fajit të konsumit të papërgjegjshëm që e bën L. dhe gjumin e saj bashkëfajtorë në zinxhirin e krimit të eksploatimit.