Pesëqind vitet e «Shqipërisë së vogël» në Egjipt

Recension për librin «Nga historia e shqiptarëve të Egjiptit gjatë shekujve XV-XX», akademik Muhamet Mufaku, botoi Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, 2016.

Foto: Shutterstock



Historiani dhe orientalisti shqiptar, akademiku Muhamet Mufaku, jo një herë  u ka sjellë historiografisë shqiptare dhe lexuesve fakte të panjohura që do t’i bëjnë krenarë për të kaluarën e tyre.

I lindur në Damask, por me origjinë shqiptare nga Kosova, që prindërit e tij dhe ky vetë asnjëherë nuk e mohuan, as e harruan, akademiku Muhamet Mufaku me veprën më të re, «Nga historia e shqiptarëve të Egjiptit gjatë shekujve XV-XX»,  të botuar kohë më parë nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, anëtar i së cilës është edhe ai, shtyn praninë e shqiptarëve në historinë e Egjiptit për rreth një shekull e gjysmë më herët.

Me fakte historike ai zbret në shekullin XV në Egjipt, ku gjen gjurmët e pranisë së shqiptarëve. Deri tash studiuesit përmendnin vitin 1516, si datë të dëshmuar të pranisë shqiptare në këtë vend gjeografikisht të largët për ta. Kjo prani në fakt lidhet me periudhën e Perandorisë Osmane, e cila zgjati deri më 1918, për dëbimin e së cilës nga ky vend janë meritorë pikërisht shqiptarët.

Duke rikujtuar antonimin Arnaut, me të cilin identifikoheshin shqiptarët jashtë trojeve të origjinës, Mufaku  përmend  një vendbanim 95 kilometra në verilindje të Kajros, i cili edhe aktualisht mban emrin sipas tyre – Kufer Hammude Arnaut. Fshati tani ka 5.310 banorë. Banorët emrin e fshatit e lidhin me emrin e oficerit të ushtrisë së Mehmet Aliut – Ibrahim efendi Arnautin. Por, sipas gjetjeve të tij, ky antonim në Egjipt ndeshet që në gjysmën e dytë të shekullit XV «me rastin e paraqitjes në pushtet të dy sulltanëve shqiptarë/arnautë të shtetit Mamluk (Egjiptit, Levantit e Hixhazit me vendet e shenjta myslimane). Sulltani i parë shqiptar/arnaut, sipas zbulimit të tij, quhej Hoshkadem dhe sundoi gjatë viteve 1461-1467. Tjetri sulltan quhej Demir Buga, i cili erdhi në krye të këtij shteti më 6 mars të vitit 1467.

Ndër  vite e shekuj më vonë shqiptarët në Egjipt ndeshen dendur, madje me role historike vendimtare për ndërtimin e këtij shteti.  Ndër ta autori përmend pjesëmarrjen e Ajas Pashës, i lindur në Vlorë, i cili më 1517 mori pjesë në përmbysjen e shtetit Mamluk dhe vendosjen e sundimit osman në Egjipt, më vonë vali i Arabistanit dhe në fund (1536-1539) sadriazem (kryeministër) .

Gjatë shekullit të parë të sundimit të Perandorisë Osmane në Egjipt, shkruan akademiku Muhamed Mufaku, në këtë vend shërbyen «figura të dalluara shqiptare, si sadriazema, komandantë ushtrie e valinj».  Ai ka gjetur gjurmë historike të pesë valinjve shqiptarë në Egjipt. Sylejman Pasha u emërua dy herë vali i Egjiptit, para se të bëhej sadriazem në Turqi më 1541. Vali ishin më vonë edhe Muhamed Pashë Dukagjini, djali i Ahmet Pashë Dukagjinit e dhëndri i sulltan Selimit I, Sinan Pasha  i Topojanit (ky cilësohet «si valiu që la më së shumti monumente në Egjipt gjatë periudhës osmane, përkatësisht deri në paraqitjen e valiut tjetër shqiptar, Mehmet Aliut më 1805»), Murat Husein Pasha, i cili përmendet  ndonjëherë me mbiemrin e tij shqiptar: Arnaut, dhe Ahmed Pashë Arnauti.

Në shekullin e dytë të sundimit osman në Egjipt, edhe pasi  u reduktua autoriteti i valinjve dhe ngrihet autoriteti i agallarëve dhe udhëheqësve mamlukë,  shfaqen shqiptarë pushtetarë e ushtarakë.

Një nga këta është Husein Bej Arnauti. Për të, të dhënat historike flasin se ishte ngritur deri në bej dhe se «mbajti lidhjen me vendlindjen e vet dhe shkoi atje për vizitë më 1711…» Ahmet Çaush Arnaut, një tjetër shqiptar, përmendet në mesin e shekullit XVIII si ushtarak në Egjipt. Akademik Mufaku citon historianin al-Xhabarti (vdiq më 1825) i cili përmend Muhamed agë Arnautin, si një ushtarak elit në Egjipt, më vonë vali ose udhëheqës të Kajros …»

Akademik Mufaku gjen fakte të pranisë shqiptare në këtë vend në veprat e historianit të njohur arab, al-Xhabar: «…këtu është fjala për një mijë arnautë (shqiptarë) në krye me Ismail Pashën, kryetar i arnautëve…»; «… në mars 1789 kur Ismail Pasha detyrohet të largohet prej Egjiptit bashkë me valiun Abdi Pashën, duke lënë Kajron «ushtarë të detarisë dhe shqiptarë që i kishte zgjedhur në shërbim të tij», ndërsa në vitin 1790  al-Xhabari tregon për mbytjen e një barke në Nil «të ngarkuar me shqiptarë»…

Të dhënat historike të kohës thonë se udhëheqësi mamluk, Ismajl Bej, «duke ndier rrezikun prej rivalëve të tij në jug të Egjiptit, ai vendosi luftëtarët shqiptarë në tri fronte: në Kajron e vjetër, në portin e Kajros Bulak dhe në periferi të Kajros Giza. Megjithatë rivalët e tij tentuan të depërtojnë në Kajro mu në anë të një udhëheqësi shqiptar i quajtur Salih Aga ose “Aga i agallarëve shqiptarë»…; kur ushtria franceze e komanduar nga  Napoleon Bonaparta më 1798, në Aleksandri, arriti te barrikadat e Murat beut, arriti «një numër i madh i ushtarëve shqiptarë prej Dumjatit»; … ushtria e parë që depërtoi nëpër Levant kishte mijëra shqiptarë. Një prej komandantëve të kësaj ushtrie (Mustafa Pashë Arnauti) arriti të rimarrë prej francezëve kalanë e Arishit më 31 janar 1800… kundër ushtrisë franceze në Egjipt … u nis së pari Tahir Pashë Arnauti  «të cilit iu bashkëngjit ushtria e jeniçerëve dhe të gjitha forcat shqiptare». Tahir Pashë Arnauti përparoi nga lindja në drejtim të Kajros «me pesë mijë këmbësorë e kalorës shqiptarë».

Shqiptarët ishin të pranishëm edhe gjatë fazës kalimtare, pas largimit të francezëve.  «…pas përfundimit të rrethimit të Kajros dhe hyrjes së ushtarëve turq e shqiptarë  u ngjallen tregjet dhe u <u gjetën me bollëk buka, mishi, tëlyeni, pemët me çmime të mira… pasi  që me shumicë i shisnin turqit dhe shqiptarët>» … pra për atë funksionar që merret me kontrollin e tregjeve, i cili atëherë ishte një shqiptar i quajtur Selim agë Arnauti.

Pas vrasjes së Tahir Pashës, që ndodhi në Kajro më 26 maj 1803, «al-Xhabari na tregon se atë ditë shqiptarët e kapnin çdo jeniçer nëpër rrugët e Kajros…» të dyja palët u morën vesh  në fillim të vitit 1804 që shqiptarët e mbetur në kala të Kajros të dalin e të vendosen në qytet «doli Husein Kapedani me nja 400 shqiptarë dhe u vendosën në lagjen Bulak…».

Mehmet Aliu i Kavallës  (1769-1849) do të jetë shqiptari që arriti majat e pushtetit  në Egjipt. Më 10 qershor 1805 sulltani e cakton vali, ndërsa ky, pas një sërë  luftërave, më vonë do të shkëputej prej Perandorisë dhe do të bëhej sundimtar i këtij vendi.

Galeria e personaliteteve shqiptare që shfaqen në periudhën e ndërtimit të Egjiptit modern është e pasur dhe me role historike vendimtare. Nuk mungojnë as përplasjet midis vetë shqiptarëve, si pasojë e xhelozisë dhe lakmive për pushtete e pasuri, një sindromë jo vetëm shqiptare. Xhelozia e Omer Bej dhe Sali Agës (vëllezërit e Tahir Pashës së vrarë) të lagjes fqinje Bulak (edhe këta shqiptarë) nxitën shqiptarët  kundër Mehmet Aliut, por ata nuk i dëgjuan.

Mehmet Ali Pasha, sa ishte në pozitën e valiut të Egjiptit, solli të tjerë shqiptarë në vilajetin që e sundonte: Mehmet beu, guvernator i Aleksandrisë (1807-1810), djalin e motrës Halil bej, djalin tjetër të motrës Mustaf beu, ish-guvernator i Sharkijes,  e më vonë shef i kalorësisë, kurse dhëndri (burri i motrës), Muharrem Beu, ish-guvernator i Aleksandrisë  e pastaj komandant i flotës.

Akademiku Muhamed  Mufaku citon një raport sekret të gjeneralit francez Beillard nga biseda që kishte pasur me valiun e Egjiptit, Mehmet Aliu, pas revolucionit grek, më 1825: «E di mirë që Perandoria Osmane po ecën dita-ditës drejt shkatërrimit, e pasi unë s’mund ta shpëtoj prej kësaj gjendjeje, pse të mundohem kot, por në vend të kësaj mund të ngre një mbretëri të madhe, për çka kam edhe mjetet që më mundësojnë fitoren. Në saje të ushtrisë mund të marr Akrën, Damaskun e Bagdadin…».

Mehmet Aliu, sipas autorit të këtij libri, asnjëherë nuk i këputi lidhjet me Shqipërinë, ndonëse Samiu e Naim Frashëri e qortojnë rolin e tij historik që s’bëri gjë për vendin e vet, Shqipërinë.

Siç shkruan akademik Mufaku, pas shpërthimit të luftës midis Mehmet Aliut e sulltanit në verë të vitit 1839 dhe shpartallimit të ushtrisë osmane, fuqitë e mëdha: Anglia, Rusia, Prusia e Austria vendosin në Konferencën e Londrës  më 1840 një kompromis me çka t’i jepej vetëm Egjipti Mehmet Aliut me trashëgim.

Sami Frashëri do të shkruante për Mehmet Aliun në «Shqipëria ç’ka qenë ç’është e ç’do të bëhet»: «Është ndodhurë një shqiptar i cili të ngjall një Egjypti në e të bënjë prej këtij vendi të humbur e të prishurë, si ish atëherë, një vend të pasur e të ndrituarë, si është sot.  Një Mehmet-Ali, shqiptar i pamësuar, u ndoth i zoti të shpëtonjë kështu një vent të huaj e të largë, po kurrë një shqiptar s’është ndodhurë t’i bënjë Shqipërisë një të mirë të këtillë».

Dinastia shqiptare (1805-1952)  e nisur nga Mehmet Alia ngriti Egjiptin modern.  Ajo do të vazhdojë deri te mbreti Faruk, i cili u përmbys prej Naserit më 1952. Siç shkruan autori i  librit «Nga historia e shqiptarëve të Egjiptit gjatë shekujve XV-XX», Muhamed Mufaku, kolonia shqiptare në Egjipt ishte më shumë se koloni dhe Egjiptit, politikës dhe kulturës së këtij vendi i kontribuuan më shumë shqiptarë, të cilët sot e kësaj dite vazhdojnë të jenë të identifikueshëm në këtë vend.  Por personalitete shqiptare të kolonisë së Egjiptit, shpesh të trajtuar edhe si Shqipëria e vogël, ishin kontribuues të rëndësishëm për kulturën dhe idetë çlirimtare kombëtare. Ai ndër ta përmend: Thimi Mitkon e «Bletën shqiptare» të tij, Spiro Dinën, Thoma Krein, Milo Duçin, Andon Zako Çajupin, Filip Shirokën, Athanas Tashkon, Jani Vruhon, Fan.S. Nolin, Aleksandër Xhuvanin, Sotir Kolennë, Lono Logorin e të tjerë.

Libri është i ndarë në nëntë kapituj, pa përfshirë këtu parathënien e përfundimin. Është një libër interesant jo vetëm për historianët, por edhe për lexuesit e tjerë.