Pesë vjet diskriminim!

Më 1 prill 2015 u mbushën pesë vjet që kur Zvicra e anuloi njëanshëm Marrëveshjen për Sigurimet Shoqërore me Kosovën. Nuk ka shenja se në të ardhmen e afërt institucionet e të dyja vendeve do të bëjnë lëvizje pozitive.




Marrëveshja e trashëguar për Sigurimet Shoqërore ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës e rregullonte trajtimin e barabartë të shtetasve, të cilët i derdhnin kontributet e sigurimeve shoqërore në rastin e përfitimit në njërin nga vendet. Një shtetas nga Kosova, që kishte punuar disa vjet në Zvicër, e kishte të drejtën në përfitime, pavarësisht vendbanimit ku do ta kalonte jetën pas pensionimit. Eksportimi i përfitimeve nga sigurimet shoqërore, në marrëveshje ishte i rregulluar dhe u mundësonte shtetasve të të dyja vendeve një barazi të ndërsjellë në raport me përfitimet. Marrëveshja i definonte qartë edhe organet që duhej ta garantonin zbatimin e saj.

Motivim politik?

Deputeti i Partisë Popullore Zvicerane (SVP), Reimann Maximilian, në një interpelancë me Qeverinë e Zvicrës, parashtron pyetje mbi hapat e observimit të invalidëve në Kosovë që përfitojnë nga pensionet e invaliditetit të Zvicrës. Por, edhe për domosdoshmërinë e përshtatjes së pensioneve të eksportuara me fuqinë blerëse të vendeve të prejardhjes, masat e domosdoshme kundër përfituesve nga sigurimet shoqërore të Zvicrës, vetëm me vendbanim formal.

Më 24 shtator 2009, edhe Grupi Parlamentar i SVP-së kërkon nga Qeveria, nëpërmjet një mocioni prishjen e marrëveshjeve për sigurimet shoqërore me shtetet e dala nga ish-Jugosllavia, si dhe me Turqinë, duke theksuar ndërprerjen e negociatave për marrëveshje të reja. Iniciohet një projekt observimi i rasteve të mundshme të keqpërdorimeve në Tajlandë dhe në Kosovë, i cili për pasojë kishte ndërprerjen e zbatimit të marrëveshjes në fjalë vetëm me Kosovën. Arsyetimi fillestar ishte «kërcënimi serioz edhe me jetë» i personave të firmës që bënte observimin nga të observuarit në Kosovë, gjë që nuk u vërtetua asnjëherë. Një arsyetim tjetër për mosvazhdimin e kësaj marrëveshjeje me Kosovën përmendet edhe mungesa e regjistrit civil, e kontrollit, dhe ajo e një sistemi funksional social e të harmonizuar në Kosovë, që do të garantonte eksportimin e pensioneve dhe përfitimeve tjera që dalin nga marrëveshja ndërshtetërore për të siguruarit.

Më 29 janar 2010, Enti Federal i Sigurimeve Shoqërore (BSV) njoftoi se nga 1 prilli i atij viti nuk do të vazhdohet më Marrëveshja për Sigurimet Shoqërore ndërmjet Zvicrës dhe ish-Jugosllavisë, në raport vetëm me Kosovën. Kjo arsyetohet, ndërmjet tjerash, me mospërputhjen e marrëveshjes me legjislacionin aktual, gjë që pjesërisht i demanton arsyetimet e mësipërme.

Qeveria e Kosovës, duke mos iu përgjigjur në kohë e në plotëni kërkesave që kishte shtruar Qeveria e Zvicrës para anulimit të marrëveshjes, i dha arsyetim të mjaftueshëm kësaj të fundit për ta anuluar nga 1 prilli 2010 Marrëveshjen ndështetërore për Sigurimet Shoqërore në raport vetëm me Kosovën.

Pasojat diskriminuese

Si rrjedhojë e marrëveshjes së munguar, qytetarët e Kosovës që kanë punuar në Zvicër dhe që në ndërkohë janë kthyer në vendlindje, që nga fundi i marsit të vitit 2010 nuk i marrin pensionet e tyre të pleqërisë, ato të trashëgimtarëve dhe pensionet e invaliditetit. Nga kjo kohë nuk paguhen as shtesat familjare dhe ato të fëmijëve që jetojnë ne Kosovë. As të vejat dhe jetimët nuk i gëzojnë këto pensione.

Me këtë vendim diskriminohen jo vetëm dhjetëra mijëra familje të shtetasve nga Kosova që kontribuuan për një gjysmë shekulli në ngritjen e mirëqenies ekonomike dhe stabilitetin e sigurinë shoqërore, por edhe për të gjithë ata nxënës e studentë të shumtë, prindërit e të cilëve jetojnë në Zvicër.

Mosvazhdimi i marrëveshjes krijon raste të rënda, kur dihet se përfitimet e plota janë vetëm pjesërisht të mundshme në rast të kthimit në vendlindje. Nëse ata dëshirojnë t’i nxjerrin kontributet në kolonën e parë të sigurimit pensional, atyre u takon vetëm përqindja e kontributeve që kanë paguar ata dhe punëdhënësi. Duke u nisur nga fakti se pensioni mbështetet në parimin e solidaritetit të gjeneratave, ata që vendosin t’i tërheqin kontributet, e humbin përgjithmonë të drejtën për pension.

Në situatë aspak më të volitshme nuk janë as qytetarët e Kosovës, të cilët banojnë në Zvicër, e që kanë vizë B dhe janë invalidë, si dhe kanë më pak se 10 vjet qëndrim aty.. Këtyre rasteve, në mungesë të lejes së qëndrimit të përhershëm C, si dhe për shkak edhe të politikave të përkeqësimit në lëmin e migracionit dhe ligjit për të huajt, ka rrezik t’u mohohet realizimi i të drejtave të tyre dhe e drejta e ndihmave sociale shtesë.

Kusuritja në kurriz të punëtorëve kontribut-pagues

Rasti me Kosovën kuptohet edhe si një sinjal ndaj shteteve tjera të Ballkanit, se edhe me këto shtete mund të pasojë prishja e Marrëveshjeve për Sigurimet Shoqërore nëse nuk e integrojnë në marrëveshje një klauzolë për luftimin e abuzimeve. Ndërkohë negociatat me shtetet tjera të Ballkanit kanë mbaruar dhe ato e kanë pranuar integrimin e klauzolës shtesë të marrëveshjes.

Ndërkohë, observimet për keqpërdorimet e mundshme në Kosovë, për katër vjet me radhë, rezultuan vetëm me një rast keqpërdorimi të pensionit të invaliditetit.

Dëmet e shumanshme për të dyja shoqëritë

Pensionistët e Zvicrës në Kosovë këshillohen të kenë kujdes dhe të mos bien edhe më tej viktimë të vetëquajturve agjentë për çështje sociale apo pensione të Zvicrës, të cilët nën arsyetimin se mund t’i ndihmojnë që t’i nxjerrin pensionet e tyre të deponuara në Zvicër kërkojnë t’u zhvatin atyre 10-15 për qind nga shuma të cilën ata e nxjerrin nga arkat e sigurimeve.

Të prekurit këshillohen të mos e bëjnë asnjë veprim me persona privatë, si agjentë, këshilltarë e avokatë të ndryshëm, pasi për gjithçka mund t’u drejtohen institucioneve të të dyja shteteve, të cilat të gjitha shërbimet e mundshme që trajton marrëveshja në fjalë i kanë falas. Edhe atëherë kur për arsye të caktuara tërheqja e mjeteve nga kolona e parë është e domosdoshme. Të tjerët këshillohen të presin derisa të arrihet një marrëveshje e re ndërmjet dy shteteve.

Punë me kompetencë dhe e bashkërenduar

Më 16 shtator 2010, Legjislativi i Kosovës nxori rekomandime, me të cilat Qeveria u zotua se në politikat e saj sociale do ta trajtojë marrëveshjen me prioritet dhe se rekomandimet obliguese në fjalë do t’i zbatojë në një afat sa më të shkurtër.

Në takimin e 1 e 2 shtatorit 2010, pala zvicerane si parakusht për fillimin e negociatave e theksoi nevojën e sigurimit të regjistrit civil në Kosovë. Me kalimin e kohës ajo e rriti listën e kushteve që pala e Kosovës duhej plotësuar. Pavarësisht premtimeve, nga zyrtarët e Republikës së Kosovës ende nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim.

Duke u bazuar në të dhënat e Entit Federal për Sigurimet Shoqërore të Zvicrës, aktualisht Konfederata e Zvicrës është duke lidhur dhe përpunuar marrëveshje të reja nga fusha e sigurisë sociale me shtetet tjera. Këto marrëveshje kanë për qëllim t’i koordinojnë pensionet e pleqërisë, të trashëgimtarëve dhe ato të invaliditetit.

Marrëveshja e re ndërshtetërore për sigurinë sociale ndërmjet Zvicrës dhe Serbisë, e vjeshtës së vitit 2010, nuk është ratifikuar ende nga Parlamenti i Zvicrës, andaj edhe vijon të zbatohet e vjetra.

Në pranverën e vitit të kaluar, Zvicra ua ka dërguar një pyetësor institucioneve përgjegjëse të Republikës së Kosovës, të cilave pyetje ata u janë përgjigjur vetëm në vjeshtën e vitit të kaluar.

Duke pasur parasysh se marrëveshjet bilaterale për sigurimet sociale me shtetin e Malit të Zi dhe Serbisë ka kohë që janë bërë dhe negociatat për këto marrëveshje kanë zgjatur 3-4 vjet, pritet që pensionistët e Zvicrës në Kosovë duhet të durojnë edhe shumë gjatë derisa të bëhet një marrëveshje e tillë me Kosovën.

Kuvendi i Kosovës, më 16 shtator të vitit 2010, falë interpelancës së deputetit të atëhershëm, Emrush Xhemaili, e pati obliguar Qeverinë e Kosovës që në politikat sociale qeveritare ta trajtojë me prioritet këtë marrëveshje. Me gjithë këtë obligim, Qeveria e vjetër dhe e re e Kosovës nuk ndërmori ndonjë hap përmbajtjesor për ndryshimin e situatës.

Ekipi i sindikalistëve shqiptarë në Zvicër, në kuadër të Unia-s, partnerët tjerë në Zvicër dhe në Kosovë janë shprehur të gatshëm për të bashkëpunuar, për të ndërmjetësuar dhe për t’u dhënë një mbështetje konstruktive institucioneve të Republikës së Kosovës.

Aktivitetet e deritashme – një bazë solide

Menjëherë pas anulimit të Marrëveshjes për Sigurimet Shoqërore, nga mbi 10’000 veta u nënshkrua një peticion i iniciuar nga sindikalistët shqiptarë (Unia dhe sindikatat e shoqatat tjera) në Zvicër, i cili më 4 maj 2010 iu dorëzua Këshillit Federal të Zvicrës, si dhe më 27 maj 2010 Qeverisë së Kosovës. Dorëzimi në të dyja rastet paraprakisht u përcoll me aksione proteste e me fjalime rasti nga aktivistë sindikalë dhe personalitete tjera me ndikim në shoqërinë zvicerane dhe atë të Kosovës.

Sindikalistët shqiptarë në Zvicër, bashkë me veprimtarët e mërgatës, si dhe partnerët në Zvicër dhe në Kosovë, janë shprehur të vendosur të ofrojnë mbështetje e rekomandime konkrete për zgjidhje të përkohshme për të gjithë të prekurit deri në negocimin pa zvarritje të Marrëveshjes së re për Sigurimet Shoqërore.