Pesë mijë euro për t`i pastruar 50 vetura zyrtare

Luks po konsiderohet shpenzimi i 5 mijë eurove për pastrimin e veturave të Komunës së Podujevës. Zyrtarët opozitarë thonë se është e papranueshme kjo shumë për një periudhë të shkurtër kohore që ka mbetur deri në përfundim të këtij viti.




Ndërkohë, sipas zyrtarëve komunalë, shuma e planifikuar nuk do të thotë se do të shpenzohet e tëra. Por, ky, sipas tyre, është vetëm limiti se sa mund të shpenzojnë për këtë periudhë për këtë çështje, shkruan sot Koha Ditore.

Megjithatë, kjo kontratë po konsiderohet e papranueshme për shefin e Grupit të këshilltarëve të PDK-së, Rafet Llapashtica.

«Njoftimi dhe publikimi nga ana e KRPP-së për nënshkrimin e kontratës për larjen e veturave në shumën 5 mijë euro për këtë periudhë kohore sa ka mbet deri në fund të vitit, është shumë e papranueshme dhe ky është një luks i tepërt me gjendjen ekonomike që është në Komunën tonë të Podujevës», ka theksuar Rafet Llapashtica. Ai është ankuar se për këtë çështje komunarët asnjëherë nuk i kanë njoftuar në Kuvend.