Pesë kompani kërkojnë anulimin e vlerësimit të jurisë për filma të gjatë




Proces krejtësisht i jashtëligjshëm, me konflikte interesi dhe me mungesë të anëtarëve të jurisë, që do të mund të ndikonte në përmbysjen e rezultateve, është cilësuar vendimi i jurisë së Qendrës Kinematografike të Kosovës për subvencionim të projekteve filmike të metrazhit të gjatë.

 

Pesë kompani filmike janë bërë bashkë për të dorëzuar një ankesë në adresë të Këshillit Drejtues të QKK-së dhe të ministrit të Kulturës, Kujtim Shala, pesë ditë pasi u bënë publikë emrat e projekteve fituese. Ankesa u është drejtuar këtyre dy institucioneve të hënën, shkruan sot «Koha Ditore».

«Kemi konstatuar se procesi i vlerësimit të projekteve ka qenë i manipuluar dhe i kundërligjshëm, prandaj kërkojmë nga Këshilli Drejtues i QKK-së dhe MKRS-ja e ministri Kujtim Shala që të ushtrojnë obligimet e veta ligjore dhe ta anulojnë këtë proces», shkruhet në ankesën e kompanive filmike «Land Films», «Dat Film», «AS Film Production», «Plisi Film» dhe «DA’ART Picture».

Procesi i vlerësimit të projekteve që konkurruan për përkrahje nga QKK-ja u shoqërua me ankesa qysh në fillim. Më 9 të këtij muaji, kur u shpallën rezultatet e jurisë, regjisorët që mbetën jashtë listës së fituesve e akuzuan QKK-në për dallavere. Edhe shoqata e autorëve dhe producentëve të filmit kineastëve «Arte7» kishte reaguar duke kërkuar anulimin e vendimit të, siç e ka quajtur kjo shoqatë, «një jurie të paligjshme».

Vlerësimin për subvencionim të filmave të metrazhit të gjatë e ka bërë juria në përbërje të kryesueses Fjolla Hoxha dhe anëtarëve Jean-Yves Roubin, Ndriçim Xhepa, Kujtim Rrahmani e Gjergj Xhuvani. Ndërsa për filmat e gjatë debutantë, të shkurtër, dokumentarë e animacion, vendimet i ka marrë juria në përbërje të Imer Mushkolajt, Arben Bajraktarajt, Eqrem Bashës, Jahi Jahiut, Rebeka Qenës, Hazir Hazirit e Yll Çitakut.