Pesë hapa politikë dhe juridikë që e çlirojnë Kosovën nga kthetrat e BE-së dhe OKB-së




Kosova nuk mund ta realizojë asnjë sukses në politikën e jashtme e të brendshme përderisa të qeveriset nga organizmat e dështuar, të korruptuar e kriminalizuar europianë dhe ndërkombëtarë. Në mënyrë që Kosova të ecë më tutje dhe të konsolidohet si shtet, institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin hapa strategjikë dhe mjaft të vështirë:

1.
T’i japin dy muaj afat UNMIK-ut që të mbyllë zyrën në Kosove, duke i dhënë fund kësaj ngrehine pjesërisht korruptive e kriminale në Kosove – kanë toleruar korrupsionin e kane vrarë protestues dhe nuk janë përgjigjur kurrë para drejtësisë! Kur UNMIK të largohet de facto në Kosovë, do të vdesë edhe de jure në Këshill të Sigurimit.

2.
T’i japin një vit afat EULEX-it të përfundojë tërësisht misionin e vet në Kosovë. Ky institucion u kushton 300 milionë euro në vit taksapaguesve europiane dhe nuk ka arritur asnjë progres të qëndrueshëm në sundimin e ligjit – për atë jemi ende me viza e te diskriminuar si shoqëri primitive! Më shumë krime të rënda ka zgjidhur gjykata themelore në Prishtinë e Ferizaj se sa prokurorët e gjykatësit e EULEX-i me xhepat e tyre të thellë! EULEX është përgjegjës edhe për obstruksion ndaj drejtësisë dhe për këtë ka shume dëshmi. Për më tepër, tashmë krimet e luftës do të hetohen nga Gjykata Speciale (një dështim i radhës, por të paktën gjendet jashtë Kosovës!), dhe kjo tregon edhe më shume pse EULEX s’duhet të ekzistojë fare në Kosovë.

3.
Të kërkojnë nga KFOR-i që brenda dy viteve të zvogëlojë praninë e vet deri në 90 për qind në Kosovë, të kalojë mandatin për ruajtjen e kufirit (edhe verior) tek FSK-ja dhe – në të njëjtën kohë – të themelojnë ushtrinë. Në të njëjtën kohë, Kosova të nënshkruajë marrëveshje me NATO-n për integrim të ushtrisë në këtë organizëm brenda dy viteve. NATO përfiton më shumë nga integrimi, sepse sot, me gjithë ato luftëra nëpër botë, kërkesa për ushtarë (punëtorë) është gati si në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Integrimi në NATO nuk është problem. Problem do të jetë pagesa prej 2 për qind e GDP-së për këtë institucion pas integrimit. Buxheti i Mali të Zi ka filluar tashmë të ndiejë peshën e rëndë!

4.
Kosova, me kushtetutë t’ua heq të drejtën e votimit të dyfishtë pakicave, duke e zhbllokuar kështu njëherë e përgjithmonë vendimmarrjen. Askund në Europë pakicat nuk bëjnë ligjin! Kjo ndodhë vetëm në Kosovën e qeverisur nga BE-ja dhe OKB-ja që shtypin një popull të tërë për një grup njerëzish te mbrojtur e të privilegjuar. Imagjinoni, pakica turke të bënte ligjin në Gjermani!

5.
Që kjo të arrihet, Kuvendi i Kosovës duhet të nisë procesin e ndryshimit të Kushtetutës, e nëse një gjë e tillë pengohet nga pakicat, BE-ja dhe UNMIK-u, gjë që është e pritshme, atëherë Kuvendi –  deputetet shqiptarë – të mandatojnë një komision të veçantë për hartimin e një Kushtetute të re (krahas heqjes së votimit të dyfishtë për pakicat, heqjes së rolit të EULEX-it, UNMIK-ut, plus krijimit të ushtrisë, legalizimin e flamurit dhe himnit të iniciuar nga Ibrahim Rugova). Pastaj kuvendi shpërbehet, Kosova shkon në zgjedhje dhe Kuvendi i ri i konstituar (90 për qind shqiptare) miraton Kushtetutën e re dhe zgjedh qeverinë e re. Nëse deputetët dhe politikanët tanë mendojnë se kjo është e paarritshme, ata mund t’ia bëjnë një telefonatë kryeministrit Greqisë, Aleksis Cipras!