Pesë hapa për të dalë nga ngërçi politik para se të ikën treni

Çfarë duhet të ndryshojë në politikën kosovare para se të fillojnë negociatat me Serbinë?




1.
Për të siguruar legjitimitet të ri politik në përfaqësimin e interesave të Kosovës, vendi duhet të shkojë urgjentisht në zgjedhje parlamentare. Mes partnerëve të koalicionit nuk ka më besim dhe kjo e bën të pamundur qeverisjen e vendit. Ramush Haradinaj po e shfrytëzon tarifën ndëshkuese ndaj prodhimeve serbe për politikë të brendshme populliste dhe për veprime që u vjen një duhmë e rëndë korrupsioni. Për këtë mund të ketë nevojë ai dhe klani i tij (para)politik, Kosova jo. Shqiptarët e Kosovës e kanë vlerësuar kontributin e Haradinajt në luftë, por mes luftës dhe bërjes së politikës është një hendek i madh. Kjo është qeveria më kaotike që ka pasur Kosova ndonjëherë. Ministra të paaftë, zëvendësministra që nuk i njeh as shefi i kabinetit, dyshime për keqpërdorime të parave të shtetit në çdo aktivitet, favorizim i paligjshëm i biznesmenëve të afërt me partinë e familjes Haradinaj, skandale në borde, reduktim i shërbimit diplomatik të Kosovës në një zadrugë private, mungesë transparence në projektin e autostradës që pritet të lidhë Kosovën me Maqedoninë e Veriut. Haradinaj mund të lavdërohet se me ardhjen e tij në pushtet ka rënë pak intensiteti i vjedhjes nga ana e PDK-së (ndonëse edhe kjo është e dyshimtë), por Kosova nuk ka nevojë për ndërrimin e vjedhësve. Zgjidhja janë zgjedhjet parlamentare!

2.
Prej se ka ardhur në pushtet, Ramush Haradinaj ka përsëritur vazhdimisht (dhe me ton qesharak) se nuk ka kohë të merret me bisedimet me Serbinë; se për këtë punë është presidenti; se ai, pra Haradinaj, ka punë të tjera më të rëndësishme. Tash zemërimi i tij se Hashim Thaçi paskësh tradhtuar Kosovën, se ai na qenkësh armik i Kosovës e kështu me radhë është vetëm dokërr për të argëtuar miletin në mediat sociale. Kush nuk merr përgjegjësi, të mos ankohet që të tjerët marrin përgjegjësi (në mënyrën e tyre shpeshherë të rrezikshme). Propaganda e Haradinajt se tarifat ndëshkuese po e mbrojnë Kosovën nga ndarja, është vetëm një kuti bonbonesh për adhuruesit e mendjelehtësisë politike. A nuk ka pak kundërthënie logjike kur Haradinaj paradite thotë se tarifat nuk hiqen para se të na pranojë Serbia, ndërsa pasdite kërkon konferencë ndërkombëtare për të arritur marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit, kurse në mbrëmje ministri i tij i Jashtëm i dërgon një letër absurde Aleksandar Vuçiqit? (Mungon vetëm propozimi që bisedimet dypalëshe të mbahen diku në Shumadi, siç pati kërkuar para shpalljes së pavarësisë). Ky kaos duhet të marrë fund sa më shpejt. Pas zgjedhjeve jo vetëm Haradinaj, por të gjitha partitë politike duhet të angazhohen në krijimin e kushteve ligjore që për marrëveshjen eventuale mes Kosovës e Serbisë të vendoset në referendum. Ta dëgjojmë popullin çfarë po thotë. AAK nuk mund të flasë në emër të popullit. Asnjë parti nuk mund të flasë në emër të popullit. Secila parti e ka për detyrë që në fushatën për referendum ta bind popullin për pranimin apo refuzimin e marrëveshjes, qoftë ajo edhe e tillë që përfshinë korrigjimin e kufijve.

3.
Hapi i tretë që duhet të bëjnë krerët e skenës politike kosovare është të kuptojnë se bisedimet për korrigjimin e kufijve tashmë nuk janë vetëm ide të pasmesnatës të Hashim Thaçit e Aleksandar Vuçiqit. Ka një mobilizim të madh të administratës aktuale amerikane për të arritur një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë. Kush e injoron këtë, është jo vetëm politikisht i verbër. Për të filluar këtë proces Washingtoni po kërkon pezullimin e tarifave ndëshkuese ndaj prodhimeve serbe. Tarifa ndëshkuese ka qenë një masë e duhur për të treguar se edhe Kosova njëherë di të thotë «jo». Frika se marrëveshja mund të jetë e dëmshme për Kosovën nuk duhet injoruar, por strukja në qoshe dhe sjellja si fëmijë i hidhëruar e bën Kosovën partnere joserioze. Deklarata e diplomatit të lartë amerikan Matthew Palmer se qëllimi i negociatave është njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia duhet të lexohet e kuptohet nga të gjithë, e sidomos nga Ramush Haradinaj. Nuk ka vija të kuqe, por nuk ka as blanko-çek, tha Palmer në një forum në Greqi. Përkthyer në gjuhë të kuptueshme kjo domethënë: nuk përjashtohet korrigjimi i kufijve, por Vuçiq dhe Thaçi nuk do të kenë dorë të lirë në vizatimin e hartave. Presidenti serb po jep sinjale të qarta: muaj më parë e zhvendosi terminalin doganor nga Presheva në Vranjë, këtë javë tha se Medvegja dhe Banja e Sijarinës do të mbeten pjesë e Serbisë. Është e qartë se Serbia nuk falë asnjë milimetër të territorit të saj pa marrë diçka nga territori i Kosovës. Politikanët e Kosovës duhet të kenë përgjigje ndaj kësaj dileme. Është ditur prej më shumë se një viti se presidentët po negociojnë për lëvizje të kufijve, por çfarë kanë bërë partitë politike të Kosovës kundër kësaj? Pothuaj asgjë, me përjashtim të deklaratave boshe. Pas zgjidhjes së kontestit mes Maqedonisë dhe Greqisë Washingtoni është i interesuar ta mbyllë edhe kapitullin e Kosovës. Prishtina nuk e ka luksin të sillet si superfuqi që refuzon të negociojë. Sepse nuk është superfuqi. Sepse shtetësia e Kosovës varet nga garancitë e sigurisë që i japin SHBA-të dhe vendet e tjera perëndimore. Mund të vajtojmë me javë të tëra se përse qe 20 vjet shoqëria kosovare nuk u emancipua politikisht dhe nuk zgjodhi një klasë politike më të aftë, por këta janë lot të derdhur kot. Mund të humbim kohë duke ëndërruar politikën ideale ose të pranojmë se shumë zgjidhje të konflikteve në botë i ka diktuar realpolitika, shpeshherë pa kufizime morale dhe ideologjike.

4.
Popujt me elita të pjekura politike i kanë shqisat e zhvilluara për të kapur momentin, thënë në mënyrë figurative – për të hipur në tren para se ai të marrë kahun e padëshirueshëm. Në Kosovë ka një pritje iluzore se duhet të pushohet në stacionin e trenit në Prishtinë derisa të vijë Angela Merkel dhe të na sjellë lajmin se Serbia e ka njohur Kosovën. Kjo nuk do të ndodhë. Gjermania ka qenë mbështetëse e madhe e Kosovës, e shtetbërjes, e zbutjes së papunësisë (duke rekrutuar mijëra profesionistë nga Kosova), por politikë të mirëfilltë dhe koherente ndaj Ballkanit nuk ka pasur. Tepër gjatë Berlini ka lejuar që burokratët e BE-së të prirë nga Federica Mogherini të devijojnë idenë e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë: Qëllimi i negociatave ishte normalizimi i raporteve, ndërsa tash qëllimi i tyre është ndryshimi i kufijve. Për të shmangur debatin mbi anëtarësimin e vendeve të Ballkanit në BE, është shpikur «Procesi i Berlinit», edhe një forum për fraza. Sa i përket Kosovës Gjermania nën Angela Merkelin nuk i ka bërë kërkesë të qartë Vuçiqit se nuk ka shans të integrojë vendin e tij në BE pa e pranuar Kosovën. Tek para disa javësh, nën presionin e debateve për korrigjimin e kufijve, ambasadori gjerman në OKB – më në fund – kërkoi që Serbia të pranojë Kosovën. Por, një kërkesë të tillë pala gjermane nuk e ka bërë që nga viti 2011, kur Merkel ishte për vizitë në Beograd dhe i tha presidentit të atëhershëm Boris Tadiq që vendi i tij duhet të lëvizë drejt pranimit të pavarësisë së Kosovës. Nervozizmi gjerman se tani, si të thuash tinëzisht, Vuçiqi dhe Thaçi kanë biseduar me amerikanët për ndryshimin e kufijve pa dijen e elitës politike në Berlin, është i pritshëm, por paksa absurd. Nëse e injoron një problem, siç ka bërë Merkel, atëherë shfaqen protagonistë të tjerë. Fundja, cili është kundërpropozimi gjerman? Një Kosovë me kufij të paprekshëm dhe me një bashkësi të komunave serbe me kompetenca ekzekutive?

5.
Ish-presidenti amerikan Lyndon B. Johnson njëherë ishte ballafaquar me një tip problematik brenda partisë së tij. I gjendur para dilemës: ta mbajë në parti apo ta përjashtojë nga partia, Johnson tha se është më mirë që ky tipi problematik të urinojë jashtë nga tenda e përbashkët se sa nga jashtë të urinojë mbi tendë. Sjellja e Hashim Thaçit prej se doli në opinion me idenë për korrigjimin e kufijve është sjellje e një politikani që urinon mbi tendën e përbashkët. Bindja jo aq e gabueshme se është politikani më i zhdërvjelltë dhe me përkrahjen më të madhe ndërkombëtare (kupto: amerikane), egoja prej elefanti, politikëbërja për «inat të tjetrit», frika se mund të ketë probleme me drejtësinë ndërkombëtare e kanë bërë atë një politikan që nuk di të komunikojë me opinionin, por përpiqet ta shantazhojë atë. «Nëse më kundërshtoni mua, vijnë amerikanët dhe ua fusin thonjtë në fyt» – ky është mesazhi i tij prej muajsh. Kështu nuk bëhet politikë. Kjo është strategji katastrofale e komunikimit me publikun. Ndoshta ai s’mund të ndryshojë më, sepse pushteti ka deformuar personalitetet e shumë njerëzve, Thaçi nuk do të ishte as i pari, as i fundit. Nëse nuk ndryshon, pasojat do të jenë të paparashikueshme për të gjithë. Hapi urgjent që duhet të bëjë presidenti është transparenca. Për çka ka negociuar me Vuçiqin? Cilat janë mangësitë dhe cilat përparësitë e marrëveshjes për të cilën ka biseduar me Vuçiqin? Cilat janë garancitë ndërkombëtare? Imazhi i Thaçit në opinion është i keq. Mediat që i ka ushqyer e kontrolluar me vite i kanë dalë nga dora. Ata që e përkrahin janë kryesisht intrigantë kafehanesh pa kredibilitet publik. Duket sheshit se strategjia e urinimit në tendën e përbashkët të quajtur Republikë e Kosovës po i kthehet si bumerang.