Pesë arsye për të vizituar Prizrenin, kryeqytetin kulturor të Kosovës

Nëse po kërkon kulturë në Kosovë, atëherë nisu në jug, për në Prizren. I shtrirë në fund të Maleve të Sharrit dhe afër Rahovecit, rajonit të verës, qyteti i dytë kosovar është plot histori, dyqane tradicionale të artizanaleve dhe ushqim të shijshëm. Gërshetoje këtë me natyrë të mrekullueshme dhe festivalin e njohur veror të filmit dhe më pas e ke një destinacion që «duhet futur» në itinerarin tënd të udhëtimeve në Ballkan.




Eksplorimi i qytetit të vjetër: Përgjatë historisë Prizreni ka luajtur rol të rëndësishëm në rajon. I vendosur në udhëkryqin e madh të Gadishullit Ballkanik, qyteti pati një numër të vogël të perandorive, me arkitekturë bizantine dhe osmane që lanë shenjat karakteristike në hapësirën e qytetit.

Ndikimet osmane mund të vërehen veçanërisht rreth Shatërvanit – afër këtij sheshi kryesor me kalldrëm do të gjesh bare dhe restorante të mrekullueshme, si dhe Xhaminë e Sinan Pashës (një prej 20 xhamive në qytet), si dhe Urën e vjetër të Gurit, e cila daton që nga shekulli XVI, por që u rindërtua në vitet ‘80 pasi që ishte shkatërruar nga vërshimet. Në anën tjetër të Lumëbardhit, në rrugën «Adem Jashari», është Hamami i Gazi Mehmet Pashës, i cili kur nuk përdoret si hapësirë ekspozuese, atëherë është i mbyllur për publikun.

Jo shumë larg Hamamit, në rrugën «Sharri», është Lidhja e Prizrenit, e cila ka një rëndësi të veçantë për historinë e shqiptarëve, pasi që shërbeu si vendi i përpjekjes për të bashkuar të gjithë shqiptarët e rajonit në një shtet të vetëm. Kisha e Shën Premtes e shekullit XIV në listën e UNESCO-s është po ashtu e një rëndësie të madhe historike – fatkeqësisht, bashkë me shumicën e kishave ortodokse serbe në qytet është e mbyllur për publikun dhe kërkohet miratim për ta vizituar.

Kisha e Shën Gjergjit afër Shatërvanit është një përjashtim, dhe këtu duhet të aranzhosh vizitat në kishat e tjera. Ndërsa me krenari, lart në kodër, në majën e qytetit, qëndron Kalaja e Prizrenit e shekullit XI. Hyrja është pa pagesë dhe është e hapur 24 orë në ditë. Rekomandohet ngjitja atje për të parë lindjen ose perëndimin e diellit.

Festivali unik i filmit: Për të përjetuar kryeqytetin kulturor të Kosovës në kohën kur është më i gjallë dhe për të përjetuar eksperiencë unike kinematografike, atëherë është mirë ta vizitosh Prizrenin në kohën e «DokuFestit». I ranguar në mesin e festivaleve më të mira ndërkombëtare të filmit dokumentar dhe të shkurtër në botë, ky eveniment njëjavor, që organizohet çdoherë gjatë muajit gusht, e shndërron tërë qytetin historik në një hapësirë të gjallë për ekspozita të fotografive, punëtorive, ndejave dhe shfaqjes së më shumë se 200 filmave.

Po ashtu sjell edhe shumë vizitorë të huaj. Vende të tjera të mrekullueshme ku mund të kalosh kohë të mirë janë Kalaja, buzë Lumëbardhit dhe prapa Xhamisë së Sinan Pashës. Birra «Peja» natyrisht është opsionale.

Blerja e artizanaleve tradicionale: Eksperiencë e rëndësishme në Prizren pa dyshim se është vizita e dyqaneve të shumta të filigranit. Kjo teknikë tradicionale e bërjes së stolive për herë të parë në Kosovë erdhi me karvanët e osmanëve rreth shekullit XV dhe që nga ajo kohë ka mbetur si një krenari artizanale në Prizren. Filigrani mbase është arti më i njohur kolektiv i artistëve, të cilët kanë zënë një ndërtesë të braktisur në veri të Prizrenit dhe këdo që është i interesuar për vizitë dhe për të parë shkrirjen e metalit ata e presin shumë mirë.

Nëse koha ju premton, mund të shkoni edhe vetë apo nëse e merrni edhe më seriozisht atëherë ka kurse për filigran që zgjasin prej disa javësh deri në disa muaj. Por mos harroni se në 10 dyqanet që viziton ndoshta vetëm një prej tyre shet punëdore nga vendësit. Për t’u siguruar se po blini diçka të kualitetit të lartë, atëherë duhet të kërkoni prova për autenticitetin e tyre.

Kuzhinat lokale dhe kantinat e verës: Që nga ëmbëltoret e famshme deri tek qebaptoret më të mira, të cilat mund t’i gjesh në tërë shtetin, Prizreni është zemra e gastronomisë në Kosovë. Specialitet i shijshëm për ta provuar, përveç cilitdo mish të skarës, është djathi i Sharrit, derisa ata që janë të interesuar për ëmbëlsira mund të provojnë tullumba ose bakllava, që pa dyshim se janë ëmbëlsirat që kanë mbetur nga osmanët.

Afër Rahovecit është epiqendra e prodhimit të verës, traditë gati dymijëvjeçare, dhe nuk është befasi se këtu mund të gjeni kantinat më të mëdha të verës në Kosovë dhe se është caktuar si «rruga e verës». «Bodrumi i Vjetër» dhe «Stone Castle» janë të hapura për vizita nëse organizohen më parë. Çdo shtator në Rahovec zë vend festivali i verës; datat ndryshojnë çdo vit, prandaj para se të shkoni është mirë të kontaktoni ndonjë vendës.

Eksplorimi në Malet e Sharrit: Prizreni, i cili kufizohet me Maqedoninë dhe Shqipërinë, është vendi perfekt i nisjes së eksplorimit në Malet e Sharrit qoftë për udhëtime gjatë ditës ose natën. Edhe pse ka pak investime që nga koha kur ishte në kulmin e saj në vitet ’80, kur ishte shteg përgatitor gjatë «Olimpiadës Dimërore të Sarajevës» në vitin 1984, Brezovica është qendra kryesore e skijimit në Kosovë.

Në muajt e tjerë të vitit, pas dimrit, është një vend i bukur për të bërë ecje në mal, shëtitje me biçikletë apo edhe për piknik; kur bora mbulon kodrat mund të ngjitesh shpateve në ski – ashensorët që nuk duken aq seriozë (por janë shumë të sigurt). Ndryshime të mëdha po priten në vitet e ardhshme, siç është Marrëveshja e nënshkruar së fundmi me një konsorcium francez që pret të investojë 400 milionë euro për rregullimin e Brezovicës.

Zona e Dragashit (35 kilometra në jugperëndim të Prizrenit) është e veçantë për shkak të 150 llojeve të bimëve mjekësore, e frekuentuar nga barinjtë dhe ka lartësi mbi 2 mijë e 500 metra. Më pak se 3 kilometra në jug nga fshati Brod është hoteli «Arxhena» – një pasuri e fshehur, me një peizazh spektakolar përreth dhe me oferta të veta skijimi.