Përurohet objekti i rinovuar i Komunës së Hanit të Elezit

Hani i Elezit ka përuruar objektin e rinovuar të Komunës. Projekti është realizuar në kuadër të projektit «BE- Kosova e Bukur Faza II », financuar nga BE-ja dhe menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë me implementim nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM) dhe në bashkëpunim Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.




Projekti «Fasadimi dhe renovimi i objektit të Komunës së Hanit të Elezit» mundësoi edhe krijimin e vendeve afatshkurtra të punës duke ndarë 30 për qind të vlerës së projektit për ta dedikuar për fuqi punëtore duke përzgjedhur 52 punëtorë, të cilët për pesë muaj ishin të angazhuar në këtë projekt.

Në përurimin e këtij projekti merrte pjesë edhe Christof Stock, shef për bashkëpunim, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. «Ky projekt përveç që përputhet me vetë kuptimin e projektit Kosova e Bukur, duke e zbukuruar sheshin e qytetit, objekti i rinovuar do t’i plotësojë standardet e efiqiencës së energjisë, për t’i mundësuar komunës që të kursejë dhe të investojë në projekte të tjera, si edhe do t’u krijojë kushte më të mira pune zyrtarëve dhe shërbime më të mira qytetarëve», ka thënë Stock.

Ndërsa, kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma, ka falënderuar Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale për angazhimin e tyre për realizimin e këtij projektit. Vlera financiare për realizimin e këtij projekti ishte 196.000 euro, shkruan sot Koha Ditore.