Përtej përndjekjes në «vendet e sigurta»

Vazhdon debati për emigrimin masiv në Gjermani. Alex Rühle e diskuton në Süddeutsche Zeitung legjitimitetin e kualifikimit të vendeve të Ballkanit si të sigurta dhe keqkuptimet me konceptet azilit politik dhe ekonomik.




Artikulli fillon me statistika për fatin e refugjatëve nëpër vendet e Europës perëndimore për vitin e kaluar. Franca ua ka njohur azilin 230 vetave nga 715 që kanë aplikuar, Finlanda e ka pranuar gjysmën e kosovarëve që kanë kërkuar azil aty. Pak a shumë – thotë media – njëlloj paraqitet situata edhe me boshnjakët: Në Belgjikë janë pranuar 18, në Danimarkë 12. Gjermania – ndër një për qind. Është pranuar vetëm një i njëmijti azikërkues nga Serbia, nga Maqedonia 0,3 për qind, nga Shqipëria 0,4 për qind. Shumica e refugjatëve nga Ballkani perëndimor u drejtuan nga Gjermania, shkruan media. Dhe në vitin 2014 ishin 60’000 veta.

Media sqaron që qeveria gjermane Bosnjën, Serbinë dhe Maqedoninë i ka kualifikuar si vende të sigurta. Kjo domethënë që aplikimet nga këto qytetarë shqyrtohen me procedurë të përshpejtuar. Duke qenë se gjithmonë e më shumë njerëz vijnë nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi, edhe këto vende do ta fitojnë statusin e të parëve. Në këto vende nuk ka përndjekje politie – ky është arsyetimi. Por, sipas medies, sikur t’i shfletosh raportet e Amnesty International do shohësh që romët në Serbi dhe vende të tjera të Ballkanit vuajnë nga një diskriminim kanosës. Sipas Konventës së Gjenevës për Refugjatë zjarret në vendbanimet e romëve, getoizimi i tyre dhe disfavorizimi ekonomik mund të vlerësohen si përndjekje mbi baza etnike.

Gjithsesi – thotë raporti – Franca i trajton kështu këto raste, Gjermania – jo. Kisha evangjeliste dhe Komisariati i Priftërinjëve Gjermanë e kanë kritikuar shpalljen e Serbisë, Maqedonisë dhe Bosnjës si vende të sigurta. Ata janë të preokupuar sidomos për gjendjen e romëve, që sipas tyre i plotëson të gjitha kriteret e një përndjekjeje. Por, profesori i të drejtës ndërkombëtare, Norman Paetsch, për ketë ka hartuar një raport prej 140 faqesh. Në fund të analizës së tij ai konkludon që gjendja e romëve në këto vende nuk mund të cilësohet si përndjekje. Sipas tij, është krijuar një situatë e pashpresë, nga e cila romët besojnë se mund të dalin vetëm përmes ikjes.

90 për qind e qytetarëve, të Serbisë të cilët në harkun kohor janar-mars 2015 kanë kërkuar azil në Gjermani janë romë. Ata nga Bosnja ishin 60 për qind romë, nga Maqedonia 63 përqind. Të gjithë janë refuzuar mbi bazën e kualifikimit të këtyre vendeve si të sigurta. Kush nuk është i përndjekur politikisht, kanalizohet në binarët e azilit ekonomik. Gazeta druan se prononcimet për gjoja prirjen e zhvatjes së ndihmave sociale janë zjarrvënëse.

Lidhur me drojën e kapitalizimit politik të shpërdorimeve ekonomike, gazeta po zhvillon një debat të mirfilltë. Ajo përmendë që koncepti i «refugjatit ekonomik» në Gjermani po bëhet një sinonim për «mashtrim azili». Gazeta citon një sociolog, i cili pohon që arsyet e emigrimit sot janë komplekse «Çka domethënë përndjekje kur strukturat ekonomike dhe politike janë përtokë, kur nuk ka perspektivë për të ardhmen, kur njeriu duhet të ketë frikë për fëmijët e tij?», e citon media intelektualin. ks

Foto: Në Kosovë/ Autor: Martin Gommel