Përtej aleancës së zorit ndërmjet Turqisë dhe Perëndimit

Në kohën kur shtetin turk e ka dridhur së brendshmi shpërthimi i papritur, është e qartë se qeverisë së Ankarasë i duhen marrëdhënie të fuqishme pune dhe mirëkuptim reciprok me aleatët e besueshëm në BE e SHBA, shkruan «Guardian».

Ilustrimi: Shutterstock

Si t’ia bëhet me Turqinë? Kjo është pyetja që përsëri po ushtron mendjen e politikanëve e diplomatëve në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas puçit të dështuar ushtarak të javës së kaluar, që nxiti fushatën e spastrimit të urdhëruar prej presidentit Rexhe Taip Erdoan. Nëse Turqia do të ishte farë vendi i rëndësisë rajonale, ekonomike dhe strategjike margjinale, punët e saj të brendshme nuk do të kishin rëndësi kaq të madhe. Por situata aty nuk është as për së afërmi si në Jemen, ku lufta civile merr flakë pa ndalur, ose as si në Egjipt, që pësoi grusht shteti ushtarak më 2013. Turqia nuk është pjesë e Lindjes së Mesme arabe, por nuk është në pjesën më të madhe të saj as Europë, pavarësisht orientimit dhe aleancave të saj përgjithësisht perëndimore. Unike është pozita e Turqisë. Është vendi ku bëhen ndarjet gjeografike, kulturore dhe të mendësisë. Nga një dorë dhe këmbë ka në të gjitha kampet. Dhe pikërisht kjo është një prej arsyeve pse nuk u jepen përgjigje të lehta pyetjeve dhe parashikimeve shqetësuese të ngritura së fundi për të ardhmen e saj afatgjate.

Erdoan, prej vitit 2002, kur Partia e tij e Drejtësisë dhe Zhvillimit (AKP) fitoi për herë të parë shumicën (prej atëherë nuk e ka lëshuar pushtetin), gjithnjë e më shumë është shndërruar në lider kundërthënës dhe përçarës. Popullariteti në mesin e votuesve ruralë, provincialë, shtresës së mesme dhe asaj punëtore, me të cilën identifikohet fort, nuk u ka shkuar për shtat pjesëtarëve të shtresës së mesme, më të shkolluar dhe qytetarëve. Promovimi nga ana e Erdoanit në jetën publike e bindjeve fetare dhe qasja e tij regresive ndaj rolit të grave myslimane në shoqëri, është kombinuar me autoritarizmin në rritje dhe mosdurimin e pakënaqësisë. Kjo ishte zmadhuar prej shtypjes brutale të protestave në parkun Gezi më 2013 në Stamboll dhe me spastrimet në drejtësi, institucione akademike dhe media. Guximi i tij i pakompromis ka përçarë Turqinë në dysh para se tanket të nxirreshin në rrugë.

Të thuash, siç po ua merr mendja disave, se Erdoani e paska inskenuar vetë grusht shtetin, është e tepërt. Por ai është kritikuar sertë për tolerancën e supozuar ndaj nivelit të lartë të korrupsionit në mesin e besnikëve dhe farefisit të tij që u vunë në pah më 2013. Fushatat e mëhershme të spastrimit ndaj komplotistëve të dyshuar në forcat e armatosura dhe shërbimet e sigurisë, manifestuar në proceset e dyshimta ndaj qindra oficerëve, krijuan pakënaqësi të madhe. Fushata e tij e ringjallur politike dhe ushtarake kundër militantëve të Partisë Punëtore Kurde (PKK) dhe mbështetësve paqësorë të të drejtave kurde, duket cinike dhe e volitshme. Ka rritur destabilitetin në vend se ta bënte të kundërtën, duke betonuar kontrollin e Erdoanit mbi Parlamentin, njëherësh duke përqendruar fuqinë në teatrin juglindor. Ka pasur shumë vdekje që mund të shmangeshin në të dy kampet, një tjetër arsye pse shumë oficerë të lartë ushtarakë dhe ushtarë vendosën të revoltoheshin.

Fiksimi i Erdoanit në aktivitetet e ish-aleatit Fethullah Gülen, klerik mysliman të cilin e akuzon për orkestrimin e dredhive të këtij muaji, është i ngahershëm dhe kureshtar. Nuk ka asnjë fije dyshimi se gylenistët do ta donin ta shihnin presidentin përtokë. Madje edhe mund të kenë konspiruar në atë drejtim.

Por ndikimi dhe numri i tyre mbetet i paqartë dhe bashkëfajësia e pavërtetuar. Mbetet dyshimi se Güleni është njëfarë fantazme për të justifikuar përpjekjen e Erdoanit për të heshtur dhe shtypur armiqtë e mundshëm, saqë të mos u ndihet fare zëri të 60 mijë personave të arrestuar, shkarkuar ose që janë nën hetime. Nuk ka rëndësi se çfarë thonë zëdhënësit e AKP-së, ky është kundëraksion i rrezikshëm.

Por edhe t’i thuash Erdoganit diktator dhe ta fajësosh për të gjitha të zezat e Turqisë, do të ishte qesharake, dhe prej prizmit perëndimor, kundërproduktive. Ia ka dalë ta mbajë të bashkuar një vend që së fundi ka nisur të mësohet me demokracinë dhe që është familjarizuar ngaherë me sherret e brendshme e të jashtme. Ai është lider i zgjedhur i një qeverie të zgjedhur. Ai i ka prirë një game të gjerë përmirësimesh të standardeve të jetës dhe mirëqenies ekonomike, gjë që shpjegon pse ka mbështetje të madhe popullore. Pavarësisht gabimeve e hesapeve të gabuara, nuk e lejoi Turqinë të fundosej në vorbullën siriane. Ai e ka lidhur (pak a shumë) me shtetet perëndimore kundër ISIS-it, ka ruajtur anëtarësimin e Turqisë në NATO, dhe ka mbajtur kokën lartë karshi sulmeve të vazhdueshme terroriste sivjet. Gjithashtu ka bashkëpunuar, jo në mënyrë të përsosur dhe me kosto, me krerët europianë për të kontrolluar valën destabilizuese të refugjatëve sirianë dhe të tjerë drejt BE-së.

Këto nuk janë arritje të pakonsiderueshme prej prizmit të brendshëm dhe kur kundrohen prej Brukselit, Londrës a Washingtonit. Në kohën kur kërdia në Nicë ka vënë në pah kërcënimin që paraqet terrorizmit transnacional i frymëzuar prej ISIS-it, është e vërtetë se Europës i duhet ndihma turke për ndaljen e përhapjes së këtij djalli. Në kohën kur bombardimi i ringjallur i Halepit pasqyron parashikimet se Bashar al-Assadi dhe mbështetësit e tij iranianë e rusë janë në prag ta fitojnë luftën siriane, është e udhës të thuhet hapur se Shtetet e Bashkuara, shtetet arabe dhe kolaicioni perëndimor kanë nevojë për solidaritetin dhe mbështetjen turke kundrejt çfarëdo që sjell e nesërmja. Dhe në kohën kur shtetin turk e ka dridhur së brendshmi shpërthimi i papritur, është e qartë se qeverisë së Ankarasë i duhen marrëdhënie të fuqishme pune dhe mirëkuptim reciprok me aleatët e besueshëm në BE e SHBA.

Ekzistimi i gjuhës së përbashkët ka qenë kaherë i dukshëm. Ajo çfarë duhet tani janë rregullat e qarta për t’i dhënë shtytje një raporti që ka dalë keq prej binarëve. Së pari, Erdogani duhet të ndalë turrin, të kërkojë ligjërisht puçistët e vërtetë me procedura drejtësie dhe të mos shfrytëzojë situatën për të hequr qafe njerëz dhe organizata që nuk janë drejtpërdrejt të lidhura me puçin. Në vend se të kërkojë zgjerimin e kompetencave presidenciale, duhet ta pranojë publikisht supremacinë e demokracisë parlamentare turke dhe rolin legjitim të opozitës pro-kurde, të heqë gjendjen e jashtëzakonshme, të distancohet nga kërcënimet për rifuqizimin e dënimit me vdekje dhe t’i ndalë sulmet ndaj fjalës së lirë, duke i dhënë fund ndjekjes penale të akademikëve, mediave dhe gazetarëve të pavarur.

Nga ana e tyre, shtetet e BE-së duhet t’i ofrojnë partner të ndershëm Ankarasë bazuar në bashkëpunimin e avancuar përtej sigurisë dhe kundërterrorizmit, duke i ndihmuar me refugjatët, adresimin e problemeve potenciale të Sirisë pas konfliktit dhe me arritjen e një marrëveshjeje afatgjate dhe të shkruar botërisht për çështjen kurde që adreson edhe shqetësimet e Ankarasë. Prej atij momenti, mund të thellohet integrimi ndërmjet Turqisë e BE-së, mbështetur fuqishëm prej SHBA-së. Puçi, shkaqet dhe tmerri që pasoi, pothuajse shkatërruan hapësirën e përbashkët për kompromis. Dhe kjo hapësirë tani duhet të shfrytëzohet urgjentisht.