Personalitetet e famshme në mozaikë ekspozohen në Suharekë

Suharekë, 5 nëntor – Portreti i ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, ai i Nënës Terezë, Bekim Fehmiut e Steve Jobsit, janë punuar në mozaik. Këto portrete janë pjesë e 60 punimeve të tjera artistike që kanë zënë vend në muret e Shtëpisë së Felbahut në Suharekë.




Artisti Fatos Kabashi, për këtë ekspozitë, e cila u hap të mërkurën, përveç gurit ka përdorur edhe materiale recikluese si, bateri dore, tub të ngjyrës e kabllo elektrike për të kompletuar veprat e tij. Kjo është ekspozita e tretë e tij personale ku në mesin e tërë punimeve 30 prej tyre janë mozaikë dhe 20 punime grafike.

Kabashi në këtë fushë ka treguar një guxim të jashtëzakonshëm, për të cilën edhe është shpërblyer në vitet e mëparshme. Punimi i tij i Nënës Terezë, në vitin 2014 ishte zgjedhur nga një juri profesionale italiane si punimi më i mirë i figurës së këtij personaliteti të rëndësishëm shqiptar, për çka është vendosur në muzeun e Papës në Vatikan.

Nga këto punime spikat portreti i ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, që është i punuar në dimensione 200 cm me 140 cm. Për këtë punim artisti është frymëzuar nga vetë personaliteti i ish-presidentit, i cili gurët e çmuar të Kosovës ua dhuronte personaliteteve të rëndësishme botërore, duke dashur të tregojë vlerën e Kosovës.

Kurse në mënyrë figurative Kabashi ka dashur që përmes gurëve që ai ka dhuruar të bëjë një portret të tij.
«Kam punuar portretin e Rugovës, sepse është një gjigant i Ballkanit, dhe ideja ka qenë që të gjithë ata gurë që ai i ka dhuruar në botë, jam munduar që ata gurë t’i mbledh për të ndërtuar një portret të tij», ka thënë Kabashi i cili me profesion është grafist.

Prandaj ekspozitës i ka bashkangjitur edhet punime të grafikës, të punuara në teknika të ndryshme klasike si akuatintë, bakërshkrim, gjilpërë e thatë, dhe teknikë të kombinuar. Në këto punime vend të rëndësishëm zë peizazhi, që ngërthen motive me elemente burimore nga fshati.

Në relieve ka paraqitur tubat e ngjyrave të shpërndara, përmes së cilës ka krijuar forma të ndryshme, kryesisht atë të gjethit. Kabashi në karrierën e deritanishme artistike ka fituar çmime të rëndësishme të artit pamor siç është çmimi i parë në edicionin e nëntë të «Muslim Mulliqit» në vitin 2012. Ekspozita në Shtëpinë e Felbahut do të jetë e hapur për dy javë.