Përshkallëzimi i TVSH-së varfëroi kosovarët

Reforma fiskale që ka nisur zbatimin vitin e kaluar nga Qeveria e Kosovës i ka varfëruar qytetarët e saj. Kjo është dokumentuar edhe nga Agjencia e Statistikave e Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.

Në raportin e publikuar për llogaritë qeveritare të vitit 2015, ASK-ja tregon për një rritje të theksuar të të hyrave nga Tatimi në Vlerën e Shtuar (TVSH).

Në vitin 2015 janë grumbulluar nga Tatimi në Vlerën e Shtuar 610.1 milionë euro.

Kjo është për 51.4 milionë më shumë se në vitin 2014, kur ishin grumbulluar 558.8 milionë euro.

Në vitin 2012 të hyrat nga TVSH-ja kanë qenë 547 milionë euro, kurse në vitin 2013 të hyrat kanë qenë 558 milionë euro.

Kjo rritje e të hyrave nga TVSH-ja, në vitin 2015, ishte më e madhja që është shënuar viteve të fundit, që dëshmon se rritja e të hyrave ka ardhur si rezultat i rritjes së TVSH-së nga 16 në 18 për qind.