Përsëri për fëmijët




Edhe një herë për fëmijët. Për fëmijët – gjithmonë!

Ka vetëm pak javë nga vdekja e një njëmbëdhjetëvjeçari në Kosovë, për të cilin u fol dy ditë nëpër media. «Ai luante ditë e natë futboll. Sikur të jetonte…, do të bëhej një yll», thotë shkurt babai i tij, sa mund të flitet në momentet e një dhimbjeje nga humbja e një fëmije. Sipas raportimeve, doli se djali ka rënë pre e një angazhimi të tepruar fizik. Në gjithë ligjërimin për këtë rast ka edhe një keqardhje për një karrierë sportive të prerë që në rrëzë.

Kaq doli në media. Në Kosovë kanë vdekur edhe fëmijë të tjerë, por për ta nuk është folur kaq publikisht. Ky rast ka diçka të veçantë që nuk e tha askush. Diçka ngeli pezull, si karriera e tij e ndritur. Por, kush ta thotë? Në mediet shqiptare shfaqen vetëm politikanë, estrada dhe sportistë. Të krijohet përshtypja sikur në shoqërinë shqiptare nuk ka as pedagogë, as sociologë, as filozofë, as…, as…, por vetëm politikanë, këngëtarë dhe sportistë! Rama, Meta, Berisha, Basha, Thaçi, Kurti, Ahmeti – paradite, pasdite… Kallashi, Leonora, Dafina, Labi, Sinanët… – duke ngrënë, duke pirë… Shaqiri, Xhaka, Behrami – me kerr, me vila, me femra… Të tjerë shfaqen kur janë edhe këngëtarë, ose edhe politikanë. Ani kur janë zgjedhjet, si bëhen bashkë të dy palët. Ata janë shndërruar në modelin e shoqërisë shqiptare. Nga kjo perspektivë, i bie se me kaq mediet kanë folur shumë për djaloshin njëmbëdhjetëvjeçar, që luante futboll ditë e natë…

Çfarë të bëjnë njerëzit e ngratë. Kushte s’ka! Punë jo! Mërgim, jo se jo! Të kalosh ilegalisht në emigracion, të kthejnë mbrapsht. Ky privilegj i rezervohet vetëm politikës dhe estradës. Por, këta nuk dëshirojnë të qëndrojnë gjatë në vendet e Perëndimit. Nuk kanë nevojë. Në këto shoqëri, me marifetin e tyre ata – me pak teprim – mund të vdesin për bukë. Çfarë u mbetet njerëzve të «thjeshtë» atje është puna – vetëm punë! Futboll – ditë e natë!

Konkluzioni del në mënyrë të natyrshme. Suksesi në futboll siguron në mënyrën më elegante mirëqenie dhe prestigj social. Prandaj, edhe prindërit i inkurajojnë fëmijët e tyre në këtë pasion. Punë, punë…! Në momente krizash, prindërit janë në gjendje të bëjnë gjithçka për t’u krijuar ndonjë përparësi në jetë fëmijëve të tyre. Aq më tepër që ai ta nxjerrë në selamet gjithë familjen. Nga kjo perspektivë, inkurajimi moral është sakrifica më e vogël.

Shembulli më paradigmatik për këtë ndoshta është Kina. Për shkak të politikës një çift një fëmijë, kinezët e rinj nuk mund të llogaritin në një rrjet të ngjeshur social që të jep një krah – vëlla, a motër. Për të çarë në jetë, atyre u duhen kualitete të veçanta. Kinezët fëmijët e tyre i dërgojnë nëpër kurse përpara se ata të lindin. Ata i shpiejnë gratë e tyre në kurse të anglishtes duke qenë shtatzëna, sepse fëmija në bark fillon ta ndiejë botën e jashtme që në faza të caktuara të shtatzënisë. Prindërit kinezë kursejnë nga kafshata e gojës që t’i dërgojnë fëmijët në një shkollë të renomuar gjimnastike në një qoshe të Kinës për t’u mundësuar atyre një karrierë sportive me perspektivë olimpike…

Fëmijët e emigrantëve shqiptarë në Zvicër janë më afër këtyre idealeve të futbollit. Këtu ku ekzistojnë të gjitha kushtet. Prandaj në Zvicër zbulohen çdo ditë talente të rinj të futbollit. Një kualitet që vendi s’e ka njohur ndonjëherë deri më tani. Klubet e futbollit janë të mbushur me fëmijë emigrantësh shqiptarë.

Shumë mirë! Asnjë qortim. Por, oferta për karrierë profesionale në Zvicër nuk krahasohet me atë në vendet e prejardhjes. Droja qëndron në atë se mos po shkon dëm një karrierë e madhe në një fushë më të vlerësuar se futbolli. Ndërsa fëmijët e emigrantëve shqiptarë do të enden nëpër klube dhe gazeta bulevardeske, punët e kualifikuara në Zvicër në profesione të caktuara do t’i bëjnë emigrantët e specializuar nga India, nga Kina apo gjetiu.

Sa për keqardhje është familja e njëmbëdhjetëvjeçarit në Kosovë, gati aq të tillë janë nganjëherë mërgimtarët shqiptarë në Zvicër. Mediet shqiptare – po se po!