Përse u vra Oliver Ivanoviqi?

Politikanët dhe veprimet e tyre kundër nisjes së punës të Gjykatës Speciale janë në tërësi në favor të rusëve të Vladimir Putinit në Ballkan dhe vetëm sa zvarrisin dhe shumëfishojnë vuajtjen tonë dhe të popujve të Ballkanit. Të gjithë në Ballkan duhet të mbështeten në sigurinë që prodhohet nga perëndimorët, ku Daytoni, siç do ta thoshte i ndjeri profesor Basri Çapriqi në lëmin e letërsisë, paraqitet si simbol i tekstit që shpreh stabilitet sociopolitik dhe stabilitet tjetër daytonian: çdo rezistencë e Kosovës ndaj Perëndimit vetëm sa hap shtigje të reja për Rusinë e Putinit në veri të Kosovës. Oliver Ivanoviqi, thënë shumë hapur, u vra sepse në universin serb të Kosovës pati guximin që të ngushtojë hapësirën ruse të manovrimit.

Oliver Ivanoviq.



Atentati me një mesazh
Ndërkohë që po merrja pjesë në mbledhjen komemorative me rastin e vdekjes së hershme të njërit prej poetëve më të mirë të Kosovës, profesorit universitar Basri Çapriqi, me të cilin kisha punuar në muajt e parë kur po rrënohej komunizmi dhe më pastaj si rektor i Universitetit të Prishtinës kur Basri Çapriqi ishte kryetar i Këshillit Drejtues dhe shef imi, u dha lajmi për vrasjen me atentat të njërit prej politikanëve më të rryer të serbëve të Kosovës, politikanit më politikan që kam njohur. Me të ndjerin Oliver Ivanoviq jam takuar disa herë në Kosovë dhe jashtë saj: në Kosovë, sepse jemi rritur në të njëjtin qytet, dhe jashtë Kosovës, në Suedi e në Vjenë, sepse kisha udhëhequr pjesët kryesore të dialogut teknik për statusin e Kosovës para shpalljes së pavarësisë, dialog i zhvilluar me ndërmjetësimin e OSBE-së. Duhet një libër i veçantë për të përshkruar takimet e mia me të ndjerin Oliver Ivanoviq dhe me serbët e veriut, të zhvilluara në Suedi dhe në Vjenë. Tani, kjo këtu nuk ka asnjë rëndësi, sepse kam për qëllim të flas për gjëra krejt universale me të cilat lidhet vrasja e Oliver Ivanoviqit.

Sikundër me shumë tema të tjera universale që lidhen me perspektivën civilizuese të Kosovës, mbrëmë dëgjova me dhjetëra emisione, komente e diskutime për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, për motivet dhe për shkaqet imediate të vrasjes së tij. Krejt këto mund të përmblidhen me një fjalë, të cilën në një mënyrë ose tjetër e shprehën pothuaj të gjithë opinionistët: Oliver Ivanoviqin e ka vrarë konspiracioni! Kjo përmbledhje, në fakt, më detyroi t’i them disa fjalë për arsyen e vërtetë përse u vra Oliver Ivanoviqi.

Në mënyrë apodoktike, përtej çdo dyshimi, mund të konstatohet se u vra për arsye thellësisht politike. Nëse kjo është kështu, e të gjithë pajtohemi për këtë, përfshirë serbët kudo që jetojnë, atëherë duhet të tregojmë se çfarë nënkuptohet këtu me arsye politike në kontekstin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Kjo domosdo që përjashton çdo diskutim për atë se kush e vrau Ivanoviqin në aspektin teknik, pra kush i shkrepi ata katër fishekë në trupin e vendasit tim. Këtu nuk ka asnjë rëndësi, desha të them me këtë rast, se kush ka shkrepur plumbat e kobshëm në trupin e të ndjerit. Kjo është kështu për arsye se vrasja me atentat, shikuar historikisht që nga koha e vrasjeve politike, kryhet nga njerëz të mjerë që kanë nevojë për një favor momental për të fituar një përparësi tjetër momentale. Këto përfitime momentale, përfitime apo favore, Hannah Arendt i ka cilësuar, në një kontekst tjetër tragjik, me shumë të drejtë si «banaliteti i së keqes». Në fakt, Friedrich Nietzsche, për këtë lloj të njeriut bashkëkohor, ka përdorur një përshkrim të dhimbshëm kur ka thënë se mediokriteti çdoherë është në shumicë dhe, si i tillë, asfikson dhe vret pakicën që është e dijshme. Tmerr! As kjo këtu nuk ka rëndësi. Fundja, kjo ka vlerë universale, sepse Oliver Ivanoviqi që unë e diskutoj është vetëm një simbol.

Në mënyrë krejt të çuditshme dje përkujtuam Basriu Çapriqin, i cili do të ngelet për shumë arsye i pavdekshëm në kujtimet tona. Në aspektin letrar, teksti që do t’ia japë atij pavdekësinë, jam shumë i sigurt, do të jetë vepra e të ndjerit që flet pikërisht për rolin e simbolit në letërsi dhe në shkrime në përgjithësi. Kam pasur rast e nder, në vijim të kësaj që thashë, të flas me orë të tëra me të ndjerin Basri Çapriqi rreth simbolit në letërsi dhe rreth migrimit të ideve. Ka qenë shumë diskret «zbulimi» reciprok se në çdo krijimtari njerëzore idetë migrojnë. Folëm për migrimet në sferën e ideve juridike, kushtetuese dhe ndërkombëtare. Ka qenë udhëtim i gjatë nga kthimi ynë në Kosovë nga një vizitë në Amerikë në vitin 2008 (në nëntor 2008, nëse nuk gaboj).

Se idetë migrojnë shihet qartë pikërisht nga përpëlitja e Kosovës për të gjetur shkaqet e vrasjes së Ivanoviqit. Nëse them se kush e kreu teknikisht krimin makabër ndaj tij, me siguri se bëj gabim të njëjtë me ata që bëjnë kur provojnë të racionalizojnë konspiracione në një mënyrë të pafund, duke folur tërë ditën për lloj-lloj modalitetesh teknike të ekzekutimit të Oliver Ivanoviqit, aq sa Agatha Christie do të ngelte një flluskë avulli që del nga kafja e pirë.

Ravijëzimet e një mesazhi

Krejt këtë si më sipër e thashë për të treguar fuqishëm se vrasja e Oliver Ivanoviqit është pjesë e një pikture politike që po ravijëzohet këto ditë në Kosovë dhe rreth Kosovës. Ky ravijëzim ka disa dimensione.

Dimensioni i parë, që ka rëndësi të theksohet, është se Kosova pas pavarësisë ka treguar se nuk është fare e aftë për të integruar, lëre më për të shkrirë, si pasojë e superioritetit të saj kulturor, asnjë lloj diversiteti që ekziston aktualisht në vend. Kjo domethënë se asnjë diversitet gjuhësor, etnik, fetar, kulturor, racor dhe tjetër nuk i bie «tamam» shijes së popullit shumicë të Kosovës. Të qenit popull shumicë nënkupton edhe përgjegjësi me shumicë.

Dimensioni i dytë është që, këtë situatë komode, e kanë krijuar miqtë tanë të sinqertë nga të dy anët e Atlantikut. Këtë komoditet nuk e bëmë ne, e bënë miqtë, pa asnjë qëllim të keq: kur çliruan Kosovën, më 10 qershor 1999, duke iu dhënë shqiptarëve një infuzion kolosal kulturor për të sfiduar secilën prej kulturave me të cilat rrethohen shqiptarët në Ballkan, miqtë perëndimorë nuk e patën parasysh se një popull si puna jonë kishte nevojë për një pavarësi të mbikëqyrur që do të zgjaste më gjatë se viti 2012. Kjo nuk do të thotë se miqtë tanë duhen fajësuar për këtë gjendje faktike: të mjerët ata, sepse menduan që Rusia dhe tjerët do t’i akuzonin për kultivimin e një kolonializmi të ri në Kosovë, neokolonializëm euroatlantik.

Dimensioni i tretë dhe i fundit është më i rëndësishmi, sepse mëton të tregojë shumë hapur arsyen e vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Kjo, u mor vesh, assesi nuk nënkupton tregimin e identitetit të dorës vrastare që fiku një jetë njeriu në Kosovë. Këtu mëtojmë të tregojmë anën sociopolitike të atentatit ndaj Oliver Ivanoviqit dhe pasojat e tij krejtësisht fatale për Kosovën. Kjo do një shpjegim të dy gjërave, nga ana jonë: e para, duhet ta sqarojmë mesazhin që bart me vete atentati ndaj Oliver Ivanoviqit dhe, e dyta, lidhshmërinë e këtij mesazhi me aktualitetin kosovar që ka të bëjë me Gjykatën Speciale.

Sa i përket mesazhit, vlen të theksohet fuqishëm se mesazhi ka shumë fije. Në rend të parë, vrasja e Oliver Ivanoviqit dobëson forcat racionale politike të serbëve në Kosovë, forca të cilat po cilësohen si «forca të moderuara» dhe të cilat kohëve të fundit kanë qenë të mbledhura rreth Oliver Ivanoviqit. Së dyti, vrasja e tij zbulon se qeveria serbe është pothuaj jashtë lojës, bile më shumë jashtë lojës se qeveria e Kosovës, e cila me një retorikë krejt boshe u mundua të thotë diçka duke mos thënë asgjë, me të vetmin qëllim fshehjen e padijes së vet rreth asaj se çfarë po ndodh në veri të Kosovës. Reagimi i strukturave kosovare të pushtetit për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, në thelb, tregon pafuqinë e organeve të pushtetit në Kosovë për t’u kujdesur për oborrin e vet dhe për aktorët që teatrojnë në të.

Rusia e Putinit 

Cili, atëherë, na qenka mesazhi i vrasjes së Oliver Ivanoviqit, më 16 janar 2018? Nëse shikohet politika ruse në Ballkan në mandatin e dytë të diktatorit rus Vlladimir Putin, atëherë mund të konstatohet një emëruesi i përbashkët. Të jem i qartë: e kam fjalën për mandatin e dytë të Putinit, sepse në mandatin e parë asnjë send nuk ka dalluar nga Boris Jelcini. Ky emërues i përbashkët shpjegonte se Rusia në Ballkan nuk ka asnjë mundësi për të projektuar forcë fizike dhe ideologjike, siç ka bërë pas vitit 1945, ose në kohën e dinastisë ruse të romanovëve. Ky fakt i pamohueshëm jep shpjegimin tonë për mënyrën e veprimit rus në Ballkan gjatë mandatit të dytë të diktatorit rus, Vladimir Putin. Kjo mënyrë konsiston në manipulimin e krizave dhe në përfitimin prej tyre, prej krizave dhe problemeve me rrënjë krejtësisht lokale dhe me origjinë ballkanike, siç ndodh me çdo pjesë të botës, ku ka telashe e halle krejtësisht të natyrës lokale. Rusia nuk është duke bërë asnjë gjë tjetër pos duke i manipuluar hallet lokale ballkanike të natyrës etnike, sociale, ekonomike dhe, mbi të gjitha, hallet e natyrës politike shumë serioze që tangojnë interesat vitale të popujve të Ballkanit dhe që kanë pasoja për të gjithë, përfshirë edhe Kosovën.

Për të qenë edhe më i qartë, Rusia ka kohë që, në mandatin e dytë të diktatorit Vladimir Putin, i ka korruptuar liderët lokalë ballkanikë duke i kthyer ata në shërbim të interesave të veta gjeostrategjike: Nikolla Gruevski në Maqedoni besonte pafundësisht se «emri i Maqedonisë» është leva e Arkimedit, të cilën vetëm ai e posedonte. Mirëpo, ai gaboi rëndë sepse në fund doli që Maqedonia mund ta zgjidhë çështjen e emrit, pa marrë parasysh se kush është në pushtet në Shkup. Me fjalë të tjera, kjo çështje e këtij shteti fqinj nuk përbën asnjë problem, pos për kokat e një spektri të ngushtë të politikës së Shkupit, pse jo edhe të Athinës. Në fakt, këta të fundit, grekët, ka disa dekada pas Luftës së Ftoftë që dëshmojnë se kanë halle krejtësisht të tjera nga çështja e emrit të Maqedonisë. Puna e emrit, në fakt, nuk përbën një çështje serioze, përkatësisht ajo paraqitet si një çështje serioze po aq sa shkuarja në plazh gjatë një vere të nxehtë në Mesdhe.

Gabimin e njëjtë me Gruevskin e kishin bërë Ilir Meta i Shqipërisë dhe Millorad Dodik i «Republika Srpska». Ilir Metës sikur ia falën miqtë tanë perëndimorë, sepse logjika e tij nuk kishte asnjë mbështetje ndër shqiptarët në Ballkan dhe, për pasojë, nuk përbënte asnjë rrezik për amerikanët afrimi komercial i Ilir Metës me rusët e Putinit. Në aspektin më të thellë gjeopolitik, çdo sjellje devijante e liderëve shqiptarë në Ballkan mund të korrigjohet dhe të adresohet pa asnjë vështirësi sepse, përveç Shqipërisë, perëndimorët e dinë se kanë Kosovën, Serbinë Jugore, Maqedoninë Perëndimore dhe, pse jo, sipas nevojës, edhe veriun e Malit të Zi dhe të Greqisë. Kjo është paradoksale, por e vërtetë: shqiptarët nuk kanë asnjë zgjidhje tjetër pos Perëndimit. Të tjerët, maqedonasit, serbët dhe grekët nuk e kanë këtë situatë.

Se kjo është kështu shihet me «Republika Srpska»: lojërat antiperëndimore të Dodikut kanë reperkusione të thella pikërisht sepse, në aspektin gjeopolitik, ai vend ka vetëm një opsion: Rusinë. Dodik, për fat të keq, njësoj si Gruevski, beson se mund të luajë rolin skizofrenik të moderatorit rajonal dhe të një rusofili putinian në të njëjtën kohë. Diktatori Putin dhe rusët e tij, asnjëherë nuk thonë që Marrëveshja e Daytonit duhet të prishet: serbëve lokalë të Dodikut, përkundrazi, u thonë vazhdimisht se duhet të respektojnë Daytonin dhe integritetin e Bosnjë-Hercegovinës. Në praktikë, ndërkaq, rusët, nëpërmjet Dodikut, janë duke rrënuar çdo urë dhe çdo fije që çon drejt riintegrimit të Bosnjë- Hercegovinës. Kjo, në asnjë mënyrë, nuk do të thotë se «Republika Srspka» përfiton nga kjo lojë ruse: rusët janë duke përdorur e keqpërdorur hallet e serbëve në Bosnjë-Hercegovinë për të sfiduar politikat perëndimore në Ballkan. Asgjë tjetër! Kjo nënkupton se qeveria në Beograd i ka lënë serbët në Bosnjë-Hercegovinë në mëshirën e fatit. Këtë nuk guxon ta bëjë Beogradi sepse, tekefundit, Serbia është një ndër tre vendet nënshkruese të paqes në Bosnjë-Hercegovinë. Nuk mjafton që Beogradi të flasë për integritetin e Bosnjë-Hercegovinës dhe të bëjë sehir nga bregu. Ka ardhur koha që qeveria e Serbisë të dalë hapur kundër diktatorit rus, Putin, dhe t’i marrë përsipër detyrimet e veta substanciale që dalin nga Daytoni.

«Republika Srpska», Prishtina dhe Beogradi

Në këtë kontekst ndërkombëtar, Kosova nuk duket se ka ndonjë dallim me «Republika Srspka». Për fat të keq, një gjë e tillë u pa me rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit: besojmë se çdo gjë është e qartë nga reagimet e Beogradit dhe të Prishtinës zyrtare! Asnjëra prej dy qendrave nuk e ka as idenë më të vogël se përse ndodhi atentati ndaj Ivanoviqi: Beogradi po mendon dhe po shpreson që rusët e Putinit janë duke e ndihmuar në rrezikimin fiktiv të Serbisë prej shqiptarëve në Ballkan. Në fakt, rusët janë duke i manipuluar serbët sepse, siç e tha Oliver Ivanoviqi pak ditë para se të vritej me atentat, rreziku për serbët nuk vjen nga shqiptarët. Oliver Ivanoviqi, megjithatë, nuk e tha qartë se nga vinte rreziku ndaj serbëve. Këtë po e thotë autori i këtyre rreshtave: rreziku vjen nga rusët e diktatorit Putin. Këtë, besoj, ka dashur ta thotë edhe Oliver Ivanoviqi i ndjerë. Rusët e Putinit e kanë fare të lehtë, sepse janë duke shfrytëzuar çdo dobësi dhe hall vendor për të avancuar interesat e tyre strategjike. Këto interesa konsistojnë në sfidimin e perëndimorëve kudo dhe kurdo, përfshirë këtu Korenë e Veriut, Sirinë, Ukrainën dhe kështu me radhë.

Tradita e shfrytëzimit të gjendjes ekzistuese sociale të vendorëve për përfitime, nuk është e re në politikën e jashtme ruse: Vladimir Iliq Lenini, kur qe kthyer nga Zvicra për në Rusi me një tren special gjerman, gjenerali Erich Ludendorff, shefi i Shtabit të Ushtrisë gjermane, kishte thënë që ta mbyllnin mirë këtë zgjebe në tren, sepse mund të përhapet në Europë. Pse e kishte thënë këtë gjenerali gjerman? Sepse Lenini paskësh thënë në Zürich, pak kohë para nisjes së tij për në Rusi, se po shkonte atje për ta marrë pushtetin e gatshëm që gjendej në rrugë dhe i pazot! Atë pushtet, u kishte thënë Lenini gjermanëve, do të marrë dikush tjetër nëse një gjë të tillë nuk do të bëhej nga ai. Këto janë fjalët e fundit që vetë Lenini i kishte thënë në publik. Këtë politikë janë duke ndjekur sot rusët e Putinit në Ballkan: duke përfituar dhe duke manipuluar me vështirësitë dhe me hallet që ka Ballkani në këto vite tranzicioni deri sa të ndodhë stabilizimi i tij përfundimtar.

Këtë fakt, duket thënë shumë hapur, nuk e kanë të qartë liderët e sotëm të Kosovës: nuk ka rëndësi se kush është duke i këshilluar! Me rëndësi është se politikanët dhe veprimet e tyre kundër nisjes së punës të Gjykatës Speciale janë në tërësi në favor të rusëve të Putinit në Ballkan dhe vetëm sa zvarrisin dhe shumëfishojnë vuajtjen tonë dhe të popujve të Ballkanit. Të gjithë në Ballkan duhet të mbështeten në sigurinë që prodhohet nga perëndimorët, ku Daytoni, siç do ta thoshte i ndjeri profesor Basri Çapriqi në lëmin e letërsisë, paraqitet si simbol i tekstit që shpreh stabiliteti sociopolitik dhe stabilitet tjetër daytonian: çdo rezistencë e Kosovës ndaj perëndimit vetëm sa hap shtigje të reja për Rusinë e Putinit në veri të Kosovës. Oliver Ivanoviqi, thënë shumë hapur, u vra sepse në universin serb të Kosovës pati guximin të ngushtojë këtë hapësirë ruse të manovrimit. Kjo është politikë e guximshme, sepse u pagua me kokë. Duhet të shërbejë si shembull dhe si simbol në rajonin e Ballkanit, ku ne ndajmë fatin me popujt e tjerë dhe ku ne duhet çdoherë të kemi parasysh faktin se kemi një përgjegjësi historike që këta popuj të tjerë t’i tërheqim drejt forcës gravituese perëndimore, asnjëherë drejt Rusisë së Putinit.

(Enver Hasani, profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ka qenë kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës)