Përse u lejua të largohet nga Kroacia vrasësi i Enver Hadrit?

Gazetari i njohur kroat Zhelko Peratoviq thotë se aktgjykimi kundër vrasësve të Enver Hadrit është shtytje për ndriçimin e kësaj pjese të errët të së kaluarës jugosllave. Ai kritikon ashpër autoritetet kroate, të cilat në rrethana të dyshimta lejuan ikjen në Serbi të vrasësit të Hadrit, Andrija Drashkoviq, i cili ishte arrestuar në Split. Peratoviq shpreh habi për mosreagimin e qeverisë së Kosovës ndaj këtij skandali.

Zhelko Peratoviq, gazetar kroat. Foto: Sinisha Sunara

Sivjet dy ish-funksionarë të shërbimit sekret jugosllav, kroatët Zdravko Mustaç dhe Josip Perkoviq, u dënuan në München me burg të përjetshëm për vrasjen e disidentit kroat dhe ish-menaxherit të INA-s, Stjepan Gjurekoviq, i cili ishte arratisur nga Jugosllavia. Tani një gjyaktë në Bruksel i ka shpallur fajtorë tre shtetas serbë për shkak të vrasjes së aktivistit kosovar për të drejtat e njeriut, Enver Hadrit. Si i vlerësoni këto aktgjykime?

Peratoviq: Këto aktgjykime janë rezultat i vendosmërisë së Gjermanisë dhe Belgjikës për të sqaruar vrasjet nga shërbimet sekrete jugosllave, të cilat u kryen në territorin e tyre gjatë kohës së Jugosllavisë. Aktgjykimet janë shtytje për ndriçimin e kësaj pjese të errët të së kaluarës jugosllave, por jo vetëm të saj, por edhe të luftërave që pasuan, dhe, në fund, edhe të shkatërrimit të rrjetit të atyre strukturave të vjetra, të cilat ende veprojnë në mënyrë të sinkronizuar në territorin e shteteve të krijuara pas Jugosllavisë, përfshirë edhe Kosovën.

Mes fajtorëve për vrasjen e Enver Hadrit është edhe Andrija Drashkoviq, një figurë e njohur e nëntokës ballkanike. Ai u arrestua vitin e kaluar në Split me kërkesë të Belgjikës, por pastaj u zhduk në rrethana misterioze. Si ishte e mundshme diçka e tillë në një shtet të BE-së, siç është Kroacia?

Peratoviq: Formalisht ai ka paguar kaucionin ndërsa pritej vendimi i drejtësisë mbi ekstradimin e tij apo jo në Belgjikë. Më parë ai kishte dhënë dëshmi në procesin e Münchenit kundër Mustaçit dhe Perkoviqit në lidhje me vrasjen e Stjepan Gjurekoviqit. Si dëshmitar në Gjermani ai gëzonte imunitet nga arrestimi për veprën që e ndiqte Belgjika, pra për vrasjen e Enver Hadrit. Gjykatësi Manfred Dauster ia kishte tërhequr vërejtjen avokatit të Perkoviqit, Ante Nobilo, sepse ishte përpjekur në mënyrë të palejueshme të komunikonte me Drashkoviqin. Edhe më herët është ditur se Drashkoviqi ka qenë «mysafir i mirëpritur» në Kroaci. Mediat kanë shkruar për qëndrimet e tij të mëhershme në Kroaci. Domethënë, autoritetet kroate e kanë ditur se për kë bëhet fjalë.

A ekziston mundësia që Drashkoviqit në ndonjë mënyrë t’i jetë lejuar apo mundësuar nga autoritetet kroate që të largohet në Serbi?

Peratoviq: Gjithsesi. Siç theksova: pala kroate e dinte kush ishte Drashkoviqi, por ajo në mënyra të ndryshme e pengoi procesin gjyqësor në München dhe nuk kishte interes që Drashkoviq të përfundonte në burg në ndonjë vend europian, sepse në shkëmbim të ndonjë dënimi më të lehtë ai do të mund të fliste mbi shumë gjëra kriminale, në të cilat ka qenë i inkuadruar si bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete jugosllave. Prandaj jam i bindur se Agjencia kroate e Sigurisë dhe Informimit (SOA) dhe policia qëllimisht kanë bërë një lëshim, duke mos u kujdesuar që Drashkoviq të mbetet në Kroaci deri në momentin e marrjes së vendimit për ekstradimin e tij në Belgjikë.

Qeveria e Kosovës deri më tani nuk ka reaguar ndaj këtij skandali të drejtësisë kroate. Çfarë do të duhej të ndërmerrte Prishtina?

Peratoviq: Nuk ka reaguar, sepse njerëz të fuqishëm në Prishtinë janë të lidhur me krerët e atëhershëm shtetërorë kroatë. Kështu, mediat muajin që shkoi raportuan se ish-kryeministri Zoran Millanoviq dhe ministri i tij mbrojtjes Ante Kotromanoviq u takuan në Prishtinë me ish-kryeministrin e Kosovës, Agim Çeku. Nëse qeveria në Prishtinë është seriozisht e interesuar për ndriçimin e krimeve të shërbimeve sekrete jugosllave, atëherë është dashur të reagojë ashpër ndaj Zagrebit, por tani edhe kundër Beogradit, në mënyrë që Belgjikës t’i dorëzohen të dënuarit për vrasjen e Enver Hadrit.

Veselin Vukotiq, Andrija Drashkoviq dhe Bozhidar Spasiq u shpallën fajtorë në mungesë për shkak se pala serbe nuk i dorëzoi ata te autoritetet belge. A ekziston mundësia që ata të ekstradohen në Bruksel?

Peratoviq: Formalisht mendoj se nuk ekziston kjo mundësi. Por duhet parë nëse BE do të bëjë presion në lidhje me këtë rast.

A prisni procedura të reja gjyqësore kundër ish-udbashëve? Drejtësia gjermane është duke zhvilluar ende hetime.

Peratoviq: Janë duke u zhvilluar së paku edhe dhjetë hetime në Gjermani. Madje ekziston mundësia që edhe Pavle Gazhi, ministër i Punëve të Brendshme të Republikës Socialiste të Kroacisë në kohën e vrasjes së Stjepan Gjurekoviqit, të akuzohet në Gjermani. Është indikative që prokuroria kroate po zhvillon disa hetime, ndonëse më herët qëndrimi zyrtar ka qenë se vepra është parashkruar.

Zhelko Peratoviq, i lindur më 1966, është gazetar kroat dhe një nga njohësit më të mirë të lidhjeve mes grupeve kriminale, shërbimeve sekrete dhe politikanëve në Ballkan. Ai ka punuar për gazetën «Vijesnik» dhe për revistat  «Globus» dhe «Nacional». Në vitin 2003 Peratoviq është nderuar me «Press Freedom Award» të Reporterëve pa Kufij, dega në Austri, për hulumtimin e krimeve të luftës të palës kroate.