Përse qep terziu?

Një rekord botëror: me 50 zëvendësministra Kosova do pushtojë Brukselin, Stambollin dhe Kajron. Është koha për parodi.



Është një poezi e Georg Ludwig Weerth-it, e cila fillon kështu:

Ish një terzi i mjerë
Gërmuq me gërshërë e pe;
Kish tridhjetë vjet që qepte,
Po s’dinte se përse.

Në prag të 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës terzinjtë tanë të pushtetit vazhdojnë të qepin. Por, çfarë po qepin? Natyrisht zëvendësministra. Njëherë kujtuam se çdo ministër, janë më duket 21 (apo 22?), do të ketë një zëvendës. Pastaj u pa se shumica do të kenë nga dy zëvendës, e në fund puna vajti deri aty sa disa ministra tani i kanë edhe nga tre zëvendës. Kështu brenda pak javësh Kosova i bëri rreth 50 zëvendësministra, shto këtyre edhe 20, 21 a 22 ministra, plus nja 150 këshilltarë apo 200 këshilltarë, mandej këtyre duhet vënë përkrah edhe disa këshilltarë të jashtëm, konsulentë e çka jo tjetër, rrjedhimisht ekziston rreziku që qeveria të ketë rreth 400 apo 500 titullarë postesh.  Të gjithë këta marrin rroga, gëzojnë privilegje, shfrytëzojnë vetura zyrtare, blejnë telefona me para të shtetit, karrige, tavolina pune, sirtarë, dollapë, lapsa, laptopë, kompjuterë personalë.

Nëse vazhdon ky ritëm së shpejti do të kemi zëvendës të zëvendësministrave, këshilltarë të zëvendësministrave, këshilltarë të këshilltarëve, secili prej tyre mund të ketë edhe nga një asistent apo asistente. Brigadat e asistentëve do të kërkojnë këshilltarë e ndihmëskëshilltarë. Shumica prej ministrave e zëvendësministrave do të kenë ose kanë tashmë shoferë, shërbëtorë, shefa protokolli, zëvendësshefa protokolli, këshilltarë protokolli. Faza e ardhshme: punësimi i zëvendësshoferëve.

Në Kosovë ka filluar sezoni i qepjes së madhe. Qepja e qeverisë me qindra zyrtarë, shumica prej të cilëve nuk kanë haber se çfarë do të bëjnë përveç se të dalin kafehaneve të Prishtinës për t’u reklamuar me rrobat e reja «serioze», kostume të blera ngutshëm, kravata të lidhura keq, fustane të shkurtra që i përshtaten mendjeve të shkurtra. Ky është një rekord botëror: me 50 zëvendësministra Kosova do pushtojë Brukselin, Stambollin dhe Kajron. Është koha për parodi. Ndërsa në poezinë e shkrimtarit gjerman Georg Ludwig Weerth, terziu, pra rrobaqepësi, qep tridhjetë vjet, por s’e dinte përse, te ne qepja e madhe me gjasë nuk do të përmbyllet as pas 300 ditësh. Është qepje me paramendim. Me kalkulim.

Ky është imazhi që i përcjellim botës në prag të 10-vjetorit të pavarësisë. Ka edhe një imazh tjetër. Nëpër rrugët e qyteteve të Kosovës për çdo ditë, herët në mëngjes, qindra e qindra njerëz presin në mos po i merr dikush në punë. Argatët e shekullit të ri, 5 euro në ditë, 10 euro, ndoshta edhe 15, me rëndësi që në mbrëmje të kenë pak metelikë për të blerë një bukë te bukëpjekësi, me rëndësi të mos kthehen duarthatë në shtëpi dhe të turpëruar që sot nuk i mori askush në punë. Kjo është balada e një dite të zakonshme e shumë njerëzve në Kosovë.

Është një poezi e Bertolt Brechtit. Ajo fillon dhe mbaron kështu:

O verbëri e të mëdhenjve! Ata bredhin si të përjetshëm,
Të mëdhenj mbi zverqe të përkulura, me sigurinë
E grushteve të marra me qira, me besim
Te pushteti që kaq gjatë ka qëndruar.
Por gjatë s’do të thotë i përjetshëm.
O ndryshim i kohëve! Ti shpresë e popullit!

Terziut një ditë do t’i mbarojnë penjtë. Terziu një ditë nuk do të ketë stof për të qepur. Çfarë do të bëjë atëherë? T’i shpallim zëvendësministrat «kategori të interesit të veçantë nacional», t’i propozojmë UNESCO-s që fjala «zëvendësministër» të futet në listën e fjalëve të mbrojtura si pjesë e trashëgimisë orale të gjuhëve të botës? Të gjitha do t’i bëjë terziu – derëziu!