Përse po vdesin aq shumë njerëz në komunikacion? Faji nuk është vetëm i vozitësve

Masat e deritanishme nuk kanë ndikuar në uljen e aksidenteve në trafik. Përkundrazi, të dhënat e fundit tregojnë se ka rritje të aksidenteve me fatalitet dhe lëndime të rënda. Përveç fajësimit të vozitësve, institucionet duhet të ndryshojmë qasjen dhe politikat.

Ilustrimi: Shutterstock



Ndryshimi i Ligjit për rregullat e trafikut rrugor nuk solli edhe siguri më të madhe në rrugë. Pas hyrjes së ligjit në fuqi në shtator të 2016 kanë ndodhur më shumë aksidente se sa në të njëjtën periudhë para hyrjes së ligjit në fuqi. Në mbi 95 për qind të rasteve, raportet policore thonë se vozitësit janë fajtorët kryesorë. Manovrimi i pasigurt me automjet, mosmbajtja e distancës, mospërshtatja e shpejtësisë ndaj kushteve të rrugës, tejkalimi i shpejtësisë së kufizuar, ndërrimi i parregullt i shiritave, tejkalimi i parregullt dhe mos respektimi i përparësisë së kalimit, sipas Policisë, janë shkaktarët kryesorë të aksidenteve.

Por, aq sa kanë faj vozitësit, po aq faj kanë edhe politikat qeveritare. Largimi i kufizimit të vjetërsisë për importin e veturave, licencimi i mbi 100 qendrave të kontrollit teknik dhe mos inspektimi i punës së tyre, dizajni i rrugëve, shenjëzimi, metodat e policimit dhe mosaplikimi i normave të ligjit i cili parasheh marrjen e lejes për shkelësit e shpeshtë të rregullave të trafikut, janë disa nga faktorët që kanë ndikuar që Kosova të radhitet e para në Evropë për numrin e aksidenteve rrugore në krahasim me territorin që ka.

Që nga viti 2008, ligji e parasheh se çdo kush që arrin nëntë pikë negative, i merret leja. Por, për nëntë vite askujt nuk i është marrë leja për shkak të pikëve negative. Kjo për faktin se tani e nëntë vite, Policia e Kosovës nuk ka krijuar një sistem për monitorimin e pikëve. Të vetmit që mbajnë evidencë për vozitësit janë kompanitë e sigurimeve, të cilat shtrenjtojnë sigurimet e veturave për ata të cilët janë fajtorë për shkaktimin e aksidenteve. Nëse kompanitë e sigurimeve kanë arritur të krijojnë një sistem të tillë monitorimi, përse nuk mundet Policia? Sipas Tom Vanderbild, autor i librit «Traffic», «shumica e pjesëmarrësve në komunikacion sillen sipas rregullave, por është një pakicë e cila krijon telashe për të gjithë të tjerët, duke shkaktuar aksidente, vonesa, stres, sjellje jo civile e deri tek rritja e premiumeve të sigurimeve». Është detyrë e Policisë dhe organeve gjyqësore që këtë pakicë të papërgjegjshme ta largojnë nga pjesëmarrja në trafik, qoftë duke u hequr të drejtën e vozitjes, qoftë duke u shqiptuar dënime më të mëdha me burg apo me para.

Kjo sjell edhe tek problemi tjetër: ekzekutimi i gjobave në trafik. Shumica e gjobave të policisë nuk paguhen, një pjesë amnistohet nga gjykatat, një pjesë parashkruhen. Deri më tani, një vozitës ka mund të ketë me dhjetëra tiketa të papaguara (ashtu siç ndodh me taksistët), por ta regjistrojë veturën pa iu kërkuar që t’i paguajë gjobat. Kjo lejohet ngase nuk ka një sistem të shkëmbimit të informatave në mes të Policisë, gjykatave dhe Ministrisë së Infrastrukturës.

Edhe pse nga janari i vitit të ardhshëm do të rivendoset kufizimi i importit të automjeteve, heqja e kufizimit ka bërë që vendi të mbushet me automjete të vjetra dhe të pasigurta. Mesatarja e vjetërsisë së automjeteve në Kosovë është 17.2 vite, apo nëntë vite më shumë se sa mesatarja e vendeve evropiane. Importi i automjeteve të vjetra, nuk u shoqërua edhe me shtrëngimin e kontrolleve nga qendrat e shumta për kontrollin e automjeteve. Në fund të vitit të kaluar, Policia e Rajonit të Gjilanit kishte ndërmarrë një operacion për kontrolle teknike të jashtëzakonshme, ku nga 104 automjete të kontrolluara, të gjitha kishin rezultuar teknikisht jo në rregull, prej tyre edhe 14 autobusë, 27 kamionë dhe 25 kombi. Një operacion i tillë ishte ndërmarrë edhe në Prizren, ku nga 52 automjete të kontrolluara, në të gjitha ishin paraqitur probleme teknike, ndër ta edhe në 20 autobusë. Gjendja nuk do të ishte më keq edhe sikurse mos të ekzistonin fare qendrat për kontroll të automjeteve.

Përveç kësaj, dizajnimi i rrugëve automobilistike në Kosovë bëhet pa ndonjë vlerësim për rreziqet e mundshme. Rrugët e dëmtuara dhe sinjalizimi jo adekuat kontribuojnë gjithashtu në aksidentet automobilistike. Së paku deri më 2010, Policia e Kosovës ka poseduar të dhëna të detajuara për akset rrugore më të rrezikshme. Për shembull, në magjistralen Prishtinë- Shkup, nga fshati Prelez deri në dalje të Ferizajt kanë humbur jetën 11 persona dhe 46 të tjerë janë lënduar rëndë. Në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë, nga fshati Pestovë e deri tek fshati Kçiq, kanë humbur jetën pesë persona, tre nga të cilët këmbësorë, kurse lëndime të rënda kanë marrë 19 persona. Në rrugën Prishtinë – Pejë, nga fshati Miradi e Epërme e deri tek fshati Komoran, nëntë persona kanë humbur jetën, kurse 21 të tjerë kanë marrë lëndime të rënda.

Pas zgjerimit të rrugës magjistrale e cila ndan qytetin e Fushë Kosovës në dysh, numri i aksidenteve është rritur dukshëm. Për t’iu referuar edhe një herë librit «Traffic» të Tom Vanderbild, rrugët që bartin rreziqet më të mëdha janë rrugët të cilat i bien tërthor një ambienti social. Në rastin e Fushë Kosovës, përderisa komuna ka lejuar ndërtimin e banesave kolektive dhe zonës industriale, ministria ka ndërtuar një rrugë me gjashtë korsi. Përderisa shenjat e komunikacionit kërkojnë që shpejtësia të kufizohet në nivelet e vozitjes në një rrugë fshati, rruga e gjerë i motivon vozitësit që të vozisin si në autostradë. Një kombinim fatal për shumë qytetarë të Fushë Kosovës.

Përderisa Policia e Kosovës mban të dhëna për akset rrugore më të rrezikshme, Ministria e Infrastrukturës deklaron se rrugët nuk janë problem, por vetëm vozitësit. Këto dallime në qëndrime shfaqen ngase institucionet publike nuk komunikojnë mes vete. Ka me vite të tëra që Ministria e Infrastrukturës nuk ka thirrur takim të Këshillit për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor, qëllimi të cilit është koordinimi i politikave të të gjitha institucioneve përgjegjëse për sigurinë në komunikacion.

Të gjithë e dinë se duhani dëmton shëndetin, por një numër i madh i njerëzve vazhdojnë të konsumojnë atë. Të gjithë e dinë se shpejtësia rrezikon jetën e të gjithëve në komunikacion, por një numër i konsiderueshëm i pjesëmarrësve në trafik vazhdojnë të sillen në mënyrë të papërgjegjshme. Të vetëdijshëm që njerëzit janë joracional, qeveri të shumta kanë filluar adaptimin e metodave alternative të cilat ndikojnë në rritjen e sigurisë në rrugë. Një shembull i tillë është Qyteti i Çikagos në SHBA. Duke parë se shumë nga vozitësit në rrugën turistike përskaj Liqenit të Miçiganit tejkalonin shpejtësinë dhe dilnin nga rruga me kthesa, ekspertët propozuan shënjimin e rrugëve me vija të bardha, të cilat shpeshtohen para kthesës dhe krijojnë iluzionin e rritjes së shpejtësisë, çfarë i shtyn vozitësit që të ngadalësojnë. Kjo uli numrin e aksidenteve për 36%. Viteve të fundit, një sinjalizim i tillë po aplikohet gjithnjë e më shumë në rrugët e Shqipërisë, sidomos në afërsi të rreth-rrotullimeve.

Andaj, Këshilli për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor duhet ta luajë rolin e vet, duke bërë bashkë të gjitha institucionet e sigurisë dhe ato vendimmarrëse dhe të dalë me masa më të rrepta për të trajtuar problemin e madh të sigurisë në rrugë. E këto masa duhet të parashohin krijimin e një sistemi adekuat për monitorimin e pikëve negative, marrjen e lejes për shumë vozitës recidivistë, heqjen e licencave për qendrat e kontrollit teknik të cilat nuk e kryejnë punën e tyre sipas ligjit, mos regjistrimin e atyre veturave vozitësit e të cilave nuk kanë paguar gjobat e trafikut.

(Botuar fillimisht nga «Gazeta JNK»)