Përse Orhan Pamuku është i padëshirueshëm në Sarajevë?

Autoritetet e Sarajevës njëherë vendosën që autori i famshëm turk Orhan Pamuk të shpallet qytetar nderi i kryeqytetit të Bosnjë-Hercegovinës. Pastaj nga frika se kjo do ta zemëronte Rexhep Taip Erdoanin pezulluan vendimin. Mbi një skandal boshnjak.

Orhan Pamuk.



Rexhep Taip Erdoani i ka kërcënuar me një «flakaresh osman» ushtarët amerikanë nëse ata edhe më tutje i përkrahin luftëtarët kurdë në Siri. Politikanët gjermanë kryetari turk disa herë i ka krahasuar me «nazistët» për shkak se ata kanë propozuar ndërprerjen e negociatave për anëtarësim në BE. Holandezët Erdoan i ka akuzuar se kanë «karakter të poshtër», ngase patën ndaluar pjesëmarrjen e ministrave turq në tubime elektorale me komunitetin turk në Holandë. Gjermania dhe Holanda, sipas tij, janë «shtete banditësh». Ai reagon me zemërim kur konfrontohet me kritikë apo kur supozon ndonjë komplot.

Autoritetet në kryeqytetin boshnjak Sarajevë me gjasë nuk deshën që puna të vijë deri këtu. Ato hoqën dorë nga planet për ta shpallur shkrimtarin turk Orhan Pamuk qytetar nderi – për shkak të frikës nga Erdoani. Pamuk është njëri nga kritikët më të ashpër të autokratit turk. Në Turqi nuk ekziston liria e shprehjes, thotë laureati i çmimit Nobel. «Ne po ecim me shpejtësi të madhe nga një shtet i së drejtës drejt një regjimi të terrorit».

Në Sarajevë një komision i administratës së qytetit së pari kishte vendosur me 7 vota për dhe asnjë kundër për nderimin e Pamukut. Befas u thirr një mbledhje e dytë dhe shumica e pezulloi vendimin. Arsyetimi: kontributi i Pamukut për qytetin na qenkësh i vogël për të arsyetuar nderimin. Librari Damir Uzunoviq, i cili e kishte propozuar Pamukun, reagoi i tronditur pas këtij turpërimi. Ai tha se ishte një mesazh i tmerrshëm që tregonte se Pamuku nuk ishte i mirëseardhur në Sarajevë. Për politikanët mendjehapur opozitarë ka vetëm një shpjegim për dëgjueshmërinë e ngutshme ndaj Turqisë: frika e partive qeverisëse nga Erdoani.

Që nga përpjekja për puç në Turqi në korrik 2016 qeveria e Ankarasë po i bën presion Bosnjës të mbyllë institucionet arsimore të predikuesit Fetullah Gylen. Agjencia turke për zhvillim dhe bashkëpunim (Tika) në Bosnjë ka investuar 240 milionë euro për restaurimin e xhamive dhe monumenteve nga koha osmane dhe ka ndërtuar disa shkolla. Ky vend ballkanik është administruar nga osmanët mes viteve 1463 dhe 1878. Erdoani prej vitesh e sheh veten si mbrojtës të myslimanëve të Bosnjës dhe thotë se ish-presidenti Alija Izetbegoviq pak para vdekjes ia kishte lënë «amanet» të kujdesej për Bosnjën. Dhe Erdoan kujdeset. Ai e quan këtë vend ballkanik krahinë osmane.

Regjisori turk Omer Erdoan vjeshtën që shkoi prezantoi në Sarajevë filmin dokumentar «Alija, shkëmbi i fundit mbrojtës i islamit». Kur u dha premiera në mesin e mysafirëve të nderit ishte edhe i biri i Alisë, Bakiri, ai është anëtar i presidencës treanëtarëshe të Bosnjë-Hercegovinës, shef i partisë qeverisëse SDA dhe e quan veten mik të Rexhep Taip Erdoanit. Aktualisht në televizionin shtetëror turk është duke u emituar një seri mbi jetën dhe angazhimin politik të Alija Izetbegoviqit, i cili si mendimtar i islamit politik në Jugosllavinë e vjetër kishte qëndruar disa vite në burg.

Edhe Orhan Pamuku aktualisht po merret me historinë më të re të Bosnjës. Sipas mediave lokale ai është duke punuar në një skenar mbi koncertin e dirigjentit Zubin Mehta në Bibliotekën e djegur Kombëtare të Sarajevës. Koncerti qe mbajtur më 19 qershor 1994, atëbotë metropoli boshnjak ishte i rrethuar nga nacionalistët serbë. «Kemi ardhur këtu për t’i kujtuar edhe ata njerëz që s’mund ta dëgjojnë këtë muzikë», kishte thënë Mehta atëbotë. Vetëm në Sarajevë gjatë luftës u vranë mbi 10 mijë civilë dhe mbrojtës të qytetit. Sipas mediave boshnjake Pamuk kishte planifikuar një vizitë në Sarajevë në muajin prill. Se a do të realizohet kjo vizitë pas skandalit është e paqartë.