Përse nuk martohen bullgarët?

Gjithnjë e më pak njerëz po martohen në Bullgari dhe ata që akoma duan të formalizojnë marrëdhënien e tyre duhet të durojnë një seri ekzaminimesh absurde mjekësore, tarifa dhe turpërim verbal.

Foto ilustruese. Shutterstock.



Bashkë me betejën e korrupsionit që nuk merr fund kurrë, mbrojtja e sigurisë kombëtare dhe çmimi dhe cilësia e ushqimit në supermarket, normat e ulëta të martesës dhe lindjes te të rinjtë bullgarë është bërë një çështje e preferuar diskutimi në vend.

Në fakt, të dhënat e fundit nga Agjencia e Statistikave të BE-së, Eurostat zbuluan se Bullgaria renditet e fundit nga BE-ja për martesat, së bashku me Slloveninë dhe Portugalinë, ku vetëm tre në 1,000 njerëz martohen. Për më tepër, gati 60 për qind e foshnjave në Bullgari po lindin nga çiftet e pamartuara – informacion që ka drithëruar mbështetësit e rendit tradicional patriarkal.

Rreziku në rritje i zhdukjes së kombit bullgar ka provokuar zgjidhje kreative, si një fushatë e quajtur «ADN – Bëjeni për Bullgarinë», e cila nxit bullgarët që lindin t’i regjistrojnë fëmijët e tyre për ceremonitë e pagëzimit masiv, të kryera nga kreu i Patriarkanës Ortodokse Bullgare. Prindërit entuziastë ftohen gjithashtu të postojnë fotot e testeve pozitive të shtatzënisë në internet dhe më tej akoma të shpërndarjnë fotot e skanimit me ultratinguj të fetuseve të tyre!

Politikanët nuk kanë hequr dorë nga përdorimi i frikës kombëtare. Gjatë fushatës elektorale për votimin e parakohshëm parlamentar më 26 mars, parti të ndryshme garuan mes tyre për të inkurajuar familjet e reja bullgare, duke u ofruar atyre ndihma sociale më të mëdha, kredi me interes të ulët dhe banesa me qira të lira nëse i kthehen martesave civile të stilit të vjetër dhe fillojnë të lindin fëmijë.

Mes kësaj vale përpjekjesh për të nxitur kombin bullgar të riprodhohet – në një mënyrë të ligjshme – unë dhe partneri im vendosëm të martoheshim, duke bërë shaka se do të kishim mundësinë të shihnim kush do t’i mbante premtimet elektorale. A do të kishim një banesë të lirë, stimuj taksash dhe një pagëzim falas nga vetë Patriarku?

Hapat e parë për t’u martuar, megjithatë, kanë treguar të kundërtën. Ashtu si shumica e proceseve institucionale në Bullgari, martesa gjithashtu u vërtetua shpejt të ishte një çështje e ngatërruar, e bezdisshme dhe aspak e lirë, që kërkon një sasi të madhe dokumentesh.

Por më interesanti deri më tani ishte e ashtuquajtura Certifikata Mjekësore për t’u Martuar. Mjekja e përgjithshme më informoi se para se ta vuloste këtë copë të çmuar letre, duhej të bëja kontrolle të detyrueshme nga një… psikiatër dhe gjinekolog.

«Po thua që duhet të provoj se unë jam mendërisht dhe seksualisht e shëndetshme për t’u martuar?» pyeta.

Përgjigjja ishte pozitive.

Dhe në fakt, Kodi bullgar i Familjes – i ndryshuar për herë të fundit në vitin 2009 – thotë se njerëzit që përcaktohen si persona me kufizime ligjore ose ata që vuajnë nga sëmundjet mendore, nuk kanë të drejtë të martohen.

Përcaktimi se njerëzit që vuajnë nga sëmundje mendore kanë kufizime ligjore, që nënkupton se ata janë të privuar nga e drejta pronësore dhe ato civile, është kundërshtuar gjerësisht dhe heqja e tij nga Kodi Penal u propozua në vitin 2016.

Megjithatë, mbetet ende edhe në Kodin Penal dhe në Kodin Familjar.

Ligji bullgar gjithashtu i ndalon njerëzit me sëmundje që «përbëjnë një rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e pasardhësit ose partnerit tjetër» të martohen, përveçse nëse partneri i personit ka informacion.

Edhe pse llojet e sëmundjeve nuk janë specifikuar, logjika e thjeshtë çon në përfundimin se ata që vuajnë nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme, çrregullimet mendore dhe keqformimet gjenetike konsiderohen si partnerë të rrezikshëm.

«Epo, sigurisht që dikush duhet të jetë në gjendje perfekte për të krijuar një bashkim të vogël, të fortë dhe të shëndetshëm për kombin e lavdishëm bullgar», mendova me vete hidhur, duke kujtuar se në fund të fundit, zv.Kryeministri që është në krye të politikave sociale dhe demografisë është Valeri Simeonov, anëtar i Frontit Patriotik, të të djathtës ekstreme, njohur për ndjenjat e tij anti-emigrante dhe anti-romë.

Rezultoi se problemet e mia, nuk mbaruan me dyshimet rreth moralit të këtij sundimi administrativ, i cili siç zbulova më vonë ishte hequr së fundmi nga vendet e BE-së si Franca, por ishte i detyrueshëm në vende autoritare si Turqia, Maroku dhe Bahrain.

Kur shkova te zyra përkatëse për të marrë udhëzime rreth klinikave ku duhej të vizitohesha, u përballa me një tjetër surprizë.

«Së pari, zonjë, duhet të paguani 30 leva [rreth 15 euro] për ekzaminim», tha një zonjë e ngrysur. «Dhe së dyti, nuk kemi gjinekolog sot».

«Por përse duhet të paguaj, kam sigurim shëndetësor?», pyeta, duke menduar rreth kontributeve të mëdha (sipas standardeve të mia) që kisha paguar në shtet si një person i vetëpunësuar.

Për më tepër, duke konsideruar që paga minimale në Bullgari është rreth 235 euro, ta detyrosh dikë të paguajë 30 euro për ekzaminime të detyrueshme nuk ngjan shumë e drejtë. Nuk duket as si iniciativë e mirë për një të ri që të martohet.

«Ky është shërbim shëndetësor, për të cilin paguhet. Nuk je e sëmurë, ndaj nuk është ekzaminim i rregullt», u përgjigj ftohtë zonja.

Duke u ndjerë e pafuqishme, pagova, me dyshimin nëse do të më lejonin të martohesha nëse rezultoja e çmendur, ose për shembull HIV pozitiv.

«Larg qoftë nëse sëmuresh ndonjëherë, duke marrë parasysh si i trajtojnë njerëzit që duan të martohen», tha një tjetër zonjë në radhë për të më mbështetur.

Gjatë disa orëve të ardhshme, kalova një ekzaminim plotësisht fals me një psikolog, që kurrë nuk do ta kishte zbuluar nëse isha apo jo e sëmurë dhe një vizitë te një gjinekolog privat, që për çudinë time kushtoi më pak se ai publiku.

Dhe çmimi shtesë për vizitën time ishte të qenët subjekt i një leksioni turpërues se si është kohë e mirë për t’u bërë nënë dhe se unë dhe im shoq në të ardhmen duhet «të fillojmë menjëherë nga puna për të mos humbur tendin për bebin e ardhshëm.

Nëse nuk ndodh në disa muaj, nuk ke përse pret, kërko ndihmë mjekësore», më këshilloi doktori im i sjellshëm.

Në zyrën qendrore, m’u desh të paguaja 15 leva (7.5 euro) për vulën përfundimtare në dokumentin tim.

«Kjo është hajdutëri! Përse duhet të paguaj kaq shumë për diçka që nuk e dua, por që është e detyrueshme?», pyeta.

«Asgjë nuk është e detyrueshme», qeshi me sarkazëm zonja. «Ata që nuk kanë para, nuk martohen».

Mjaft me fat, që nuk më mungonin paratë. Por e kuptova shumë mirë se përse u mbaronte entuziazmi për martesën civile disave. Dhe kur vjen puna për të varfrit dhe të sëmurët – kujt i bëhet vonë për ta gjithsesi?

(https://www.reporter.al/perse-nuk-martohen-bullgaret/)