Përse i zhgënjeu shqiptarët Merkel?

Janë tri arsye përse kancelarja gjermane nuk tha diçka thelbësore gjatë vizitës në Tiranë. Së pari: nuk është në natyrën e saj të bëjë premtime të mëdha, së dyti: klasat politike shqiptare (në Shqipëri e Kosovë) janë të korruptuara dhe pengje të grupeve kriminale, andaj s’gëzojnë asnjë respekt, së treti: derisa shqiptarët u duartrokasin politikanëve të huaj dhe pinë çaj e duhan në shtëpi, ata do të shikohen si kombi në naiv në Europë.

Nga Enver ROBELLI

Si mbeti puna? A do të bëhet Edi Rama lider i Ballkanit? Sa shumë është shpifur e spekuluar muajve të fundit mbi këtë mundësi joreale. Dhe këtë e kanë bërë mediumet shqiptare, në fakt kooperativat e internetit, që punojnë e funksionojnë 24 orë – duke vjedhur lajme, duke manipuluar informata, duke postuar tituj bombastikë. S’ishte befasi kur në konferencën për shtyp të kancelares gjermane dhe kryeministrit që luan me ngjyra nga turma e kalemxhinjve me ngulm u shtrua pyetja nëse «zonja Merkel» e sheh Edi Ramën si lider të Ballkanit. Fizikania nga Berlini u përgjigj ftohtë dhe ashpër: «Nuk ka dikush që është përgjegjës dhe që ka kompetencë për gjithë rajonin». Megjithatë, spekulimet do të vazhdojnë, kooperativat virtuale do të gjejnë edhe një bjerrakohës të huaj, «ndërkombëtar», i cili mund t’u kallëzojë ndonjë përrallë në stilin: «Na ishte një piktor që u bë lider i Ballkanit…».

Ishte naive të pritej që Merkel t’ia vendoste kurorën Edi Ramës si lider i Ballkanit, kur pala gjermane e di mirë nivelin e zhytjes së Shqipërisë në krim e korrupsion. Para zgjedhjeve të fundit lokale në Shqipëri Ambasada e Shteteve të Bashkuara kishte kërkuar nga zgjedhësit shqiptarë të mos ua japin votën kandidatëve me dosje kriminale. Disa prej tyre janë zgjedhur krerë të bashkive në Shqipëri. Ambasadori gjerman në Tiranë muajve të fundit disa herë publikisht ka protestuar për shkak se në Shqipëri nuk largohen gjyqtarët e korruptuar, ai ka thënë se shifrat e korrupsionit mbesin të larta në këtë vend. Merkel foli mbi domosdoshmërinë e sundimit të ligjit dhe i ndëshkoi me injorim Sali Berishën dhe Lulëzim Bashën për shkak se gjatë sundimit të tyre Shqipërinë e trajtuan si kooperativë familjare. Siç e ndëshkoi edhe diktatorin e vogël maqedonas Nikolla Gruevski: atje Merkel nuk shkoi fare. Berisha, Gruevski dhe Basha e quajnë veten politikanë të djathtë, pra të afërt me partinë demokristiane të kancelares Merkel. Por u pa se «vëllzëria partiake» nuk bën punë kur vlon korrupsioni.

Kancelarja gjermane e tha qartë dhe gjermanisht se asnjë shtetas shqiptar nuk ka shans të fitojë azil në Gjermani. Mijëra shqiptarë po ikin nga Shqipëria në kërkim të një jete më të mirë, larg oligarkisë së Ilir Metës, Edi Ramës e Sali Berishës. Deklaratat e zbehta të Angela Merkel në Tiranë ishin në fakt qortim i rreptë i klasës politike për shkak të dështimit për të ecur përpara duke lënë anash demonët e së kaluarës dhe polarizimin e tmerrshëm.

Edi Rama u përpoq ta entuziazmojë kancelaren gjermane me banalitete artistike. Ishte një përpjekje e dëshpëruar. Siç ishte edhe tentimi i tij (dhe i Hashim Thaçit) për t’i bërë përshtypje Gjermanisë me parullën: «Po nuk na pranuat në BE, do të na marrë ‹Shteti Islamik›». Angela Merkel, e cila ka thënë «islami është pjesë e Gjermanisë» dhe para ardhjes në Tiranë kishte shtruar iftar për agjëruesit myslimanë, në kryeqytetin e Shqipërisë deklaroi se nuk është e vërtetë që Bashkimi Europian po e bllokon integrimin e vendit të shqipeve për shkak se shumica e popullsisë është myslimane. Askush të mos bëhet merak për këtë, tha Merkel, në Gjermani «i kemi më shumë se katër milionë myslimanë».

Në këtë kontekst Edi Rama nuk duhet të lodhet me pozat e tij se tani «ndihet katolik», sepse kjo është çështje e tij private. Shqiptarët historikisht kanë pasur një raport shumë pragmatik ndaj religjioneve dhe nuk do të bëhen merak për fe(të) e Ramës, aq më pak do të bëhet merak Europa. Berlinin, Brukselin, mbarë Europën perëndimore e shqetësojnë probleme të tjera. Njëra nga pyetjet që portali «Der Spiegel Online» para disa ditësh ia bëri Hashim Thaçit ishte kjo: «Ju ngarkoheni për krimet më të rënda: vrasje me porosi, tregti me drogë, reket, madje edhe tregti të paskrupullt me organe të të burgosurve serbë. A jeni i sigurt se mund të pranoni një gjykatë të pavarur?» Përgjigjja e Thaçit është historike: ai e demantoi vetëm tregtinë me organe.

Duke e pasur parasysh se klasat politike shqiptare janë të përziera thellë në krim, pala gjermane kufizohet vetëm në fjalë kurtoazie pa obligime. Me vite të tëra Berlini është përpjekur të stabilizojë furnizimin me energji elektrike të Kosovës duke mundësuar bashkimin energjetik të Kosovës me Shqipërinë. Interesat personale të krerëve të qeverisë së kaluar të ashtuquajtur demokrate në Tiranë kanë pamundësuar këtë, sepse në rast të bashkimit energjetik do të prisheshin shumë biznese me mafien energjetike serbe të rajonit.

Prej vitesh gjermanët po interesohen për sanimin e termocentraleve në Obiliq. Gjatë vizitës së kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, në Berlin, kancelarja Merkel publikisht njoftoi se një firmë gjermane ka bërë ofertë për të investuar në sistemin energjetik të Kosovës, në mënyrë që vendi të bëhet zot i vetes në këtë sektor. Një punëtor i firmës Bilfinger tha se oferta gjermane peshonte 800 milionë euro. Qeveria e Kosovës ende nuk ka dhënë asnjë njoftim për këtë ofertë.

Nuk është në natyrën e Merkel të bëjë premtime të mëdha, të flasë fjalë të mëdha, ajo është brutalisht e përkushtuar ndaj fakteve. Kur Merkel zbriti nga vetura para kryeministrisë shqiptare të shëmtuar nga Edi Rama me fantazitë e tij pseudoartistike qindra qytetarë filluan të duartrokasin. Nga këto duartrokitje jehonte thirrja për një politikane racionale si Merkel edhe në Shqipëri! Jo për politikanë mesjetarë dhe artistë as mesatarë. Pjesa tjetër e së vërtetës është edhe më brutale: derisa shqiptarët u duartrokasin politikanëve të huaj dhe pinë çaj e duhan në shtëpi, ata do të shikohen si kombi në naiv në Europë.

Në çerekshekullin e fundit shqiptarët në Ballkan kanë pasur shumë shanse për t’u bërë me shtete përparimtare dhe prijëse sidomos në ekonomi. Kjo nuk u arrit për shkak se triumfoi damari i primitivizmit dhe distancës ndaj shtetit funksional. Shqiptarët kanë qasje në dy dete, popullojnë Kosovën, një trevë qendrore të Ballkanit, janë të pranishëm buzë luginës së Vardarit – krejt ky potencial do të duhej të shfrytëzohej dhe materializohej, gjithsesi jo në dëm të fqinjëve. Kur s’ke potencial ekonomik, kur eksporton ilegalisht vetëm të rinj pa zanat, atëherë nuk duhet të presësh peshqeshe nga Gjermania.

Një dallim nga Shqipëria u pa në Serbi – gjatë vizitës së Merkel. Ajo nuk u ankua se Serbia po eksporton refugjatë në Gjermani si Shqipëria, por u zotua se do t’i ndihmojë këtij vendi, Serbisë, në përballimin e krizës së refugjatëve që vijnë nga Siria dhe Afrika në përpjekje për t’u futur në territorin e BE-së. Në Serbi Gjermania ka investuar mbi 1,5 miliardë euro – derisa në viset shqiptare investimet mbesin modeste për shkak se klasa politike bashkëpunon me oligarkë serbë për të penguar firmat gjermane.

Ndikimi i Tiranës dhe Prishtinës në Berlin është minimal. Rrjedhimisht, kancelarja Merkel në Beograd e lavdëroi «nivelin e lartë të gatishmërisë së qeverisë serbe për kompromise» në çështjen e Kosovës. Ndoshta këtë lavdërim krejtësisht të pavend e kanë dëgjuar edhe familja e doganierit të EULEX-it dhe familja e policit kosovar të vrarë në veri të Kosovës nga bandat kriminale serbe. Kryeministrit serb Aleksandar Vuçiq nuk i mbeti gjë tjetër veçse të tregojë se në kabinetin e tij ka edhe dy këshilltarë gjermanë. Dallimi me Thaçin e Kosovës është i madh: ky gjashtë muaj pas pavarësisë së Kosovës i pati arrestuar në Prishtinë tre agjentë gjermanë dhe televizioni i tij personal-publik i shfaqte atëbotë pamjet e tyre sikur të ishin terroristë të al-Kaidës. Çmimin e kësaj marrëzie e paguan edhe sot Kosova.

Stacioni i fundit i turneut ballkanik të Angela Merkel ishte Sarajeva. Atje kancelarja gjermane u takua me tre anëtarë të presidencës së Bosnjës, premtoi se ky vend ndoshta në vitet në vijim mund të bëhet kandidat për anëtarësim në BE dhe, sipas gazetës «Süddeutsche Zeitung», Merkel nuk ishte e entuziazmuar me nismën e britanikëve në Këshillin e Sigurimit të OKB-së që Srebrenica të klasifikohet si gjenocid. Nëse ky interpretim është i saktë, atëherë në shesh del edhe një cinizëm politik gjerman. Sepse nëse instanca më e lartë juridike e OKB-së, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, ka konstatuar se në Srebrenicë trupat serbe kanë kryer gjenocid, atëherë edhe Angela Merkel do të duhej të mbështeste rezolutën britanike. Kjo rezolutë dështoi për shkak të vetos ruse. Me udhëtimin e saj në Ballkan Merkel zhgënjeu shumë udhëheqje politike – ndonëse për arsye krejtësisht të ndryshme.

Si mbeti puna? A do të bëhet Edi Rama lider i Ballkanit? Patjetër! Me defilime artistike.