Përse?

Zvicra, futbolli dhe shqiptarët. Ose: përse mungon euforia kur luan Kombëtarja e Zvicrës? – Një ese mbi lojën më të çmendur të botës, politikën, fansat dhe integrimin e të huajve.

Foto: Shutterstock



Zvicra është në rrugë drejt Rusisë. Treni është gati, duhet të luhet vetëm edhe një ndeshje e futbollit, nesër në Basel kundër Irlandës së Veriut, barazimi mjafton, dhe ekipi helvetik kualifikohet për Kampionatin Botëror të Futbollit. Të enjten Zvicra e mposhti Irlandën e Veriut në Belfast. Penalltinë Zvicrës ia dhuroi arbitri nga Rumania. Lojtari i Irlandës së Veriut nuk e preku topin me dorë brenda asaj që quhet zonë e rreptësisë. Topi preku supin e tij dhe fluturoi diku, ndërsa arbitri vendosi ashtu siç vendosi – dhe ngjalli zemërimin e irlandezëve veriorë, ata mallkuan, shanë, bërtitën, e quajtën vendimin skandal, padrejtësi, natyrisht përdorën edhe fjalë të tjera edhe më të rënda kundër rumunit. Edhe mediat zvicerane shkruan e raportuan për një penallti të falur, por – dhe kjo është e vërtetë – Zvicra e dominoi lojën, Xhaka, Shaqiri, Xhemaili ishin në nivel të detyrës, nuk lozën një ndeshje të jashtëzakonshme, por në fund rezultati është me rëndësi.

Edhe diçka është me rëndësi. Në komentet e reporterit të televizionit publik të Zvicrës jo rrallë dëgjohet një nënton pakënaqësie sidomos ndaj futbollistëve me origjinë të huaj. Nuk është racizëm, nuk është aversion, nuk është përbuzje, por diçka është, një distancë, një gatishmëri për të kritikuar përherë pak më shumë «të huajt» dhe për të lavdëruar së tepërmi «vendorët», emrat e të cilëve nuk tingëllojnë ekzotikë si Shakiri, për shembull. Merreni me mend: një vend me gati 8,5 milionë banorë ende ia shqipton gabimisht emrin lojtarit mbase më të mirë të ekipit kombëtar. Shakiri, Shakiri, Shakiri. Ndoshta edhe vetë Shaqiri është pak fajtor që nuk e ka sqaruar që në fillim se mbiemri i tij shqiptohet Shaqiri, jo Shakiri, as Shakira. Ka pastaj gazetarë të tjerë zviceranë që vazhdimisht merren me frizurën e Granit Xhakës. Është një qasje perfide për ta tallur.

Kur në vitin 2014 Vladimir Petkoviqi u emërua trajner i Zvicrës, entuziazmi nuk qe i madh. Kishte gazetarë që jopublikisht parashikonin më të keqen: «Serbi Petkoviq» trajner i ekipit të Zvicrës të dominuar nga shqiptarët. Petkoviq është kroat nga Sarajeva. Por, edhe po të ishte serb, ç’të keqe do të kishte, vërtet edhe në Zvicër ballkanasit e kanë ndërmend të zhvillojnë betejat e tyre të Gazimestanit dhe atentatet e Sarajevës? Në jetën e përditshme në Zvicër, aty ku ballkanasit kanë kontakte me njëri-tjetrin, tensione pothuaj se nuk ka. Të gjithë i kanë hallet e njëjta. Dhe të gjithë kanë kushërinj e teze e vëllezër në Ballkan që duhet t’i përkrahin financiarisht. Këtu nuk dallon shqiptari nga Peja, serbi nga Jagodina, boshnjaku nga Tuzla, kroati nga Vinkovci. Para disa muajsh në redaksinë e «Tages Anzeiger» u shfaq një hallexhi nga Serbia. Një serb tjetër, sipërmarrës ndërtimesh, e kishte mashtruar, nuk i kishte paguar rrogën me muaj të tërë. Serbi i mashtruar tha: «Po të mos ishte një shqiptar, i cili ka një dyqan me prodhime ushqimore në Schlieren, nuk do të mbijetoja. Më ka mbajtur me bukë».

Kthehemi te futbolli. Ekipi kombëtar i Zvicrës është më i suksesshëm se kurrë më parë dhe prapë mungon euforia. Në shtunën kësaj teme gazeta «Tages Anzeiger» ia kushton një faqe prominente. «Përse ne s’mund ta bëjmë këtë? Të krijojmë atmosferë? Të këndojmë dhe bërtasim dhe çaraveshemi 90 minuta? Përse ekipi, i cili është aq i suksesshëm si kurrë më parë në histori, nuk ka publik si kundërshtari? (…) Përse s’mund të pajtohemi me këtë ekip si diçka që i ka hije këtij vendi?», pyet autori.

Ndarja e shoqërisë zvicerane shihet edhe në fushën e futbollit. Ata që shkojnë në stadium për të përkrahur kombëtaren e futbollit janë kryesisht katundarë, të cilët në vendbanimet e tyre nuk kanë ekipe të fuqishme, por edhe ata kanë një problem: s’mund të identifikohen me një ekip në të cilin nuk e shohin veten të pasqyruar. Fundja, mbiemrat Shaqiri, Xhaka, Behrami, Xhamaili nuk tingëllojnë si Müller, Steiner, Rüdisüli. Shaqiri dhe shokët e tij nuk janë rritur mes tingëllimës së kambanave të lopëve, as duke bartur rrota djathi në alpe. Ata përfaqësojnë një Zvicër tjetër, multikulturore, multinacionale – dhe duket se kjo tjetërsi disa i shqetëson. Nga ana tjetër: fansat urbanë kanë ekipet e tyre lokale dhe nuk interesohen aq për kombëtaren. Qytetet zvicerane tradicionalisht janë të majta, katundet të djathta. E majta, shkruan «Tages Anzeiger», nuk ka arritur të zhvillojë një patriotizëm pozitiv. «Pritjet nga një sekondo (kështu quhen në Zvicër të huajt e gjeneratës së dytë, v.j.) në ekipin kombëtar janë shumë më të mëdha se nga një lojtar me emër zviceran», thotë Mämä Sykora, kryeredaktor i magazinës së futbollit «Zwölf», (Dymbëdhjetë).

Nga i huaji, nënvizon gazeta, pritet më shumë, ai duhet të identifikohet më shumë me vendin, duhet ta këndojë himnin me zë të lartë dhe të qartë, të huajt duhet të jenë po ashtu modestë, të zellshëm dhe të integruar. Përse është kështu? Sepse qe së paku 20 vite qarqet populliste i kanë imponuar këtij vendi një debat mbi identitetin. Ata kërkojnë që Zvicra të jetë e izoluar, sa më larg Bashkimit Europian dhe me sa më pak të huaj. Ndonëse, siç thotë profesori Damir Skenderoviq (ah, edhe ky një i huaj!), Zvicra qe së paku 100 vjet është vend edhe i emigrantëve. Pa ta ky vend s’mund të paramendohet. Kush do ta mbante sistemin shëndetësor, kush do të punonte në kantiere, kush do të gatuante pizza e pasta?

Por, përgjegjësinë për distancën e fansave ndaj kombëtares së futbollit e mbajnë edhe futbollistët me origjinë të huaj. Prej vitesh disa prej tyre flasin ndryshe për opinionin zviceran, ndryshe për opinionin shqiptar. Federatës së Futbollit të Zvicrës i thonë se kurrë, kurrë, kurrë nuk kanë menduar të luajnë për Kosovën apo Shqipërinë, ndërsa para opinionit shqiptar shfaqen me letra vajtuese duke thënë se po u qan zemra që s’po mund të luajnë për Kosovën apo Shqipërinë. Kjo hipokrizi duhet të marrë fund. Mes futbollistëve shqiptarë të kombëtares së Zvicrës ka edhe të tillë që janë lodhur nga ky debat. Njëri prej tyre para disa javësh tha: «Në kabinat tona nën stadium çështja se a duhet të luajmë për Shqipërinë, Kosovën apo Zvicrën nuk ka qenë kurrë temë. Është debat i shpifur për nevoja individuale».