Përplasjet e Skënderbeut me sulltanët

Nga letërkëmbimet e Skënderbeut mësojmë vendosmërinë e tij për të luftuar kundër osmanëve. Letrat autentike që Murati II dhe Mehmeti Pushtues ia kishin dërguar Skënderbeut dhe përgjigjet e Skënderbeut në këto letra, si dhe për letërkëmbimin e Skënderbeut me princin e Tarentit, Orsinin janë disa prej dëshmive për këtë




Gjergj Kastrioti-Skënderbeu (1405-17.01.1468) është kryeheroi ynë kombëtar, strategu e burrështetasi më i madh i shqiptarëve, që udhëhoqi luftën për liri kundër pushtimit osman, për bashkim politik-shtetëror të popullit shqiptar. Po ashtu, Gjergj Kastrioti hyn edhe ndër figurat më të shquara të shekullit XV në planin ndërkombëtar.

Formimi i shtetit mesjetar shqiptar më në krye Skënderbeun ishte hapi më i rëndësishëm për bashkimin politik të shqiptarëve, edhe pse nuk arriti të përfshinte të gjitha trojet shqiptare mesjetare. Duke iu referuar dokumenteve, Skënderbeu e deklaronte veten si pasardhës dhe vazhdues të luftës për bashkim, që kishin ndërmarrë në fund të shekullit XIV sundimtarët shqiptarë nga dinastia e Balshajve. Rënia e kësaj dinastie, me të cilën mburret edhe vetë Skënderbeu, lidhet pikërisht me Betejën e Savrës të vitit 1385 dhe me pushtimet e osmanëve në Ballkan.

Fuqizimi dhe konsolidimi i shtetit të përqendruar shqiptar e bëri atë një faktor politik e ushtarak të rëndësishëm aktiv në marrëdhëniet ndërkombëtare. Lufta e Skënderbeut ishte pjesë e asaj lufte për liri, me të cilën popujt e Evropës Juglindore, e midis tyre në radhë të parë të shqiptarëve, u bënë një ledh mbrojtës kundër zgjerimit osman, zgjerim ky që vinte në rrezik edhe fatet e qytetërimit evropian në përgjithësi.

Për Skënderbeun ishte e qartë se një nga kushtet e luftës antiosmane në Shqipëri ishte edhe bashkëpunimi me forcat e jashtme, të interesuara për luftë të përbashkët kundër sundimit osman.

Që më 1443-1444 e më tej 1448-1456, Skënderbeu krijoi lidhje me Huniadin për të arritur një front të përbashkët. Nuk munguan gjithashtu lidhje bashkëpunimi me sundimtarët e fundit ballkanas, mbretin e Bosnjës, despotin e Serbisë dhe atë të Artës. Skënderbeu vëmendje i kushtoi sidomos bashkëpunimit me Republikën e Venedikut, Mbretërinë e Napolit, Papatin e Romës, duke llogaritur në atë se ky bashkëpunim ishte edhe në vetë interesin e këtyre shteteve. Por këto shtete, me ndonjë përjashtim, synonin vetëm të përfitonin nga lufta e Skënderbeut dhe Huniadit, duke u lënë këtyre gjithë barrën e duke i përcjellë me fjalë të mira dhe urime.

Se Skënderbeu ishte i vetëdijshëm për këto qëndrime më së miri shihet sidomos në situatën vështirë të rrethimit II dhe III të Krujës (1466-1467), kur deklaronte se «nuk kishte besuar që mund të ekzistonte një shpirtligësi e tillë siç e treguan këta priftërinj» dhe se «duhej luftuar më tepër kundër këtyre se kundër turqve».

Si çdo kryetar shteti i mesjetës edhe Skënderbeu pati kancelarinë e vet, zyrën e posaçme që trajtonte në mënyrë të vazhdueshme marrëdhëniet e tij me shtetet e huaja dhe me personalitete të veçanta brenda dhe jashtë vendit. Një organ i tillë nuk ishte i panjohur para tij në Shqipërinë mesjetare. Pothuajse të gjithë sundimtarët e zotërimeve ose principatave feudale patën kancelarinë e tyre, qoftë edhe në nivelin e një sekretarie të thjeshtë me një apo më tepër sekretarë, të cilët hartonin ose redaktonin sipas diktatit dhe orientimit të zotit të tyre, aktet, shkresat, letrat politike, diplomatike ose financiare të zotërimit apo principatës. Zakonisht, aktet e tyre zyrtare, sekretarët i redaktonin në dy gjuhët e kulturës mesjetare evropiane; në latinisht me vendet e Perëndimit, në greqisht me trevën bizantine të Lindjes. Kur aktet apo letrat u drejtoheshin sundimtarëve ose institucioneve të fqinjëve perëndimorë ose veriorë, përdorej latinishtja ose sllavishtja mesjetare.

Çështja se kur Skënderbeu e krijoi kancelarinë e vet, nuk dihet në mënyrë të dokumentuar. Ka të ngjarë që kancelaria e tij të jetë krijuar të jetë krijuar qysh në fillim të luftës së tij çlirimtare (1443). Por nuk përjashtohet mundësia që këtë zyrë, qoftë edhe si ofiq me një titullar, ta ketë trashëguar nga i atij i tij, Gjon Kastrioti, i cili dihet se ka pasur kancelarinë e vet qysh në vitet e para të shekullit XV. Megjithatë, kancelaria e Skënderbeut kishte një frymëmarrje shumë më të gjerë se ajo e të atit të tij. Me sa dihet, rrezja e marrëdhënieve ndërkombëtare të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut ishte shumë më e lartë se ajo e të atit të tij, Gjon Kastrioti, cilido princ a zoti tjetër të Shqipërisë mesjetare. Gjatë epokës skënderbegiane, nga kancelaria e heroit kanë dalë një mori letrash të nënshkruara nga vetë Skënderbeu. Por shumica e tyre kanë humbur pa lënë fare gjurmë. Mjaft të tjera kanë humbur, por gjurmët e tyre i ndeshim në përgjigjet që ka marrë Skënderbeu nga deltinarët e letrave. Letrat autentike, ashtu siç janë shkruar nga Skënderbeu ose kancelaria dhe të nënshkruara nga Skënderbeu, janë shumë të pakta.

Nga fusha e dokumentacionit arkivor gjurmë të hershme të letërkëmbimit të Skënderbeut, kuptohet duke lënë me një anë Marin Barletin, i takojnë vitit 1455. Letra ka humbur, por nga përgjigja e Senatit të Venedikut mësojmë se në muajt e parë të vitit 1455 (ndoshta në muajt e fundi të vitit të mëparshëm), Skënderbeu së bashku me vëllanë e tij Stanishin i kishin kërkuar Republikës së Shën Markut që t`ua konfirmonte atyre koncesionet dhe kapitujt që ajo i kishte lidhur me të atin e tyre, Gjon Kastrioti, kur ishte gjallë. Po ashtu, nga përgjigjja që Alfonsi V i dërgoi Skënderbeut më 14 dhjetor 1447, mësojmë se heroi në letrën e vet shpreh vendosmërinë e tij për të luftuar kundër osmanëve. Nga dy vendime që janë marrë në Venedik, mësojmë gjithashtu se Skënderbeu i kishte dërguar Senatit të Republikës të paktën dy letra, njërën më 1448, tjetrën më 1449. Për vitin 1451 ka të dhëna edhe për gjashtë letra të heroit, nga të cilat tri i janë dërguar Senatit të Raguzës, dy Republikës së Venedikut dhe një Komunës së Sienës, në Itali. Por të ndalemi vetëm te letrat autentike që Murati II dhe Mehmeti Pushtues ia kishin dërguar Skënderbeut dhe përgjigjet e Skënderbeut në këto letra, si dhe për letërkëmbimin e Skënderbeut me princin e Tarentit, Orsinin, si dhe për dimension «kombëtar» dhe politik të heroit tonë në letërkëmbime. Kuptohet që nocioni «komb» nuk përputhet me konceptin e sotëm modern mbi kombin, megjithatë, në themel të tij qëndrojnë elemente të tilla qenësore si gjuha, zakonet, sjelljet shoqërore, institucionet sociale-juridike dhe domosdo referencat historike. Vetë Gjergj Kastrioti, në letrën e tij për princin e Tarentit, Giovanni Orsini, shpreh krenarinë që është pasardhës i denjë i Pirros: «…nëse kronikat tona nuk gënjejnë, ne quhemi epirotë, dhe duhet të kini në dijeni se në kohë të tjera paraardhësit tanë kaluan në vendin që ju mbani sot dhe patën luftime të mëdha me romakët dhe ne e dimë se në të shumtën e herës u ndanë me nder se sa me turp…»

Pra, nëse për Skënderbeun dhe shqiptarët e shekullit XV Pirro apo Leka i Madh përfaqëson një gur themel të ndërgjegjes së tyre kombëtare, për shqiptarët e shekujve të mëvonshëm i tillë u bë Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe epoka e tij.

Letra e Sulltan Muratit II dërguar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut më 15 qershor 1444

«Unë, Murati, mbret i turqve e perandor i orientit, të përshëndes ty, o bukëshkalë i mbrapshtë, që të kam rritur e ushqyer në oborrin tim, me përkujdesje e dashuri atërore. Nderet dhe favoret që kishe gjatë gjithë kohës që ke jetuar pranë meje, nuk të kanë munguar kurrë, o djalë bukëshkalë e sofërmbysur… pa më thuaj çfarë të ka munguar ty këtu në shërbimin tim, në Oborr apo gjetiu për të kënaqur dëshirat tuaja të verbëta njerëzore, që tash po e çmon e lartëson kaq shumë atë fundërrinë mbretërie tënde të varfër, për të cilën flet me aq zjarr e respekt?…»

Letra e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut drejtuar Sulltan Muratit II, më 14 gusht 1444

«…I nderuari prijës i osmanëve, dikur, siç shkruan, më paskëshit bërë shumë borxhli me gjithfarë nderimesh e privilegjesh. Unë sot do t`i shlyej me urtësinë dhe gjuhën time të peshuar mirë, sepse mendoj se asgjë nuk është aq e ulët si mospërmbajtja e vetvetes nga një ligjërim aq i shëmtuar dhe nga fjalët tepër të ulëta, si ato Tuaja, qoftë edhe kundër një armiku nga më të pamëshirshmit. Prandaj ne, letrën Tuaj dhe të dërguarin Tuaj, i pritëm dhe i pranuam me respektin më të thellë, pa u shqetësuar fare, madje, që ta themi sinqerisht, letra Juaj na bëri më shumë të qeshnim sesa të zemëroheshim… Të gjitha këto sharje e fyerje Tuajat, O Murat i Madh, do të mund t`i jepnin të drejtë kujtdo, edhe atij më të duruarit, për të sharë e për të fyer, por unë prapëseprapë, një pjesë të tyre po ia falë moshës e prirjes gojëlëshuar dhe mendjes sklerotike të një plaku; pjesën tjetër, të pikëllimit Tuaj, që nuk është fare lehtë ta zbutësh, sidomos kur kam vendosur që të luftoj me Ju, jo me sharje e me të këlthitur, por me forcën e armëve, mërinë dhe inatin e luftës së drejtë për liri…

Megjithëkëtë, Ju lutem, o Turku i Madh, pse talleni kaq fort me Perënditë e me njerëzit, sikur ju kam rënë unë në qafë, e jo e kundërta, ju mua! Si krim ma llogaritni edhe çlirimin e atdheut tim, që e bëra me trimëri e zgjuarsi?… Mbretërinë atëherë ma rrëmbyet, më ndatë nga vëllezërit dhe mua vetë, që nuk i trembesha vdekjes, më dënuat me përbuzje, dinakëri dhe vuajtje, që shuhesha me turp para botës…Deri kur kujtuat se do të mund të duroja sundimin Tuaj të harbuar dhe të mnershëm?… Pas gjithë kësaj, as mua nuk më mbeti gjë tjetër, pos që me kujdes dhe veprime të matura, të përcillja të gjitha dhelpëritë dhe dinakëritë Tuaja, gjersa nuk më buzëqeshi fati i shumëpritur për të fituar lirinë time dhe të atdheut tim…»

Arbëri, 14 gusht 1444

Gjergj Kastrioti, i quajtur Skënderb.

Letra e Sulltan Mehmetit II Pushtuesit dërguar të Madhërishmit Skënderbe, Princ i Epirit, Kostandinopojë, 7 maj 1463

 «…I madhi dhe i fuqishmi mbret Mehmeti II, perandor i mbarë rruzullit që nga Lindja e Perëndimi, të madhërishmit Skënderbe, princ i Epirit. (Ky letërkëmbim në mes të Mehmetit II dhe Skënderbeut lidhet me Marrëveshjen e paqes, të nënshkruar në Shkup më 27 prill 1462). Siç e di, të kam dashur gjithmonë me një mënyrë të veçantë dhe të kam rrethuar ngaherë me një dashuri të rrallë dhe sa herë që sjell ndërmend atë moshën tonë të njomë dhe shoqërinë tonë, kur jetonim së bashku në pallatet e tim ati, në Adrianopojë, është e pamundur që të mos ndiej për detyrë të të nderoj në mënyrë të veçantë… Prandaj, o Skënderbe, më tepër të këshilloj që ne, duke përtëritur kushtet e mëparshme të paqes sonë, ta vazhdojmë përsëri duke e forcuar atë me be(së)…Përndryshe, më beso mua se do të pendohesh shpejt. Ti i di fuqitë e mia dhe mendohu t`u bësh ballë me sukses…Prandaj, shikoni me kujdes edhe një herë sa keni bërë për marrëveshjen tonë të mëparshme; ju rekomandoj të pranoni mundësitë e ofruara të bëni një marrëveshje të re; të pranoni paqen e vullnet të mirë, në mënyrë që të mbeteni Zot i vendit tuaj…»

Letra e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut dërguar Mehmetit II, 25 qershor 1463

«…[shtë e kotë, o prijësi im, që të ma mbushësh mendjen të heq dorë nga miqësia me ta (venedikasit). Me të vërtetë cili nga vdekatarët është aq i nderuar, aq i urryer ndër të vetët, sa që të mos i pëlqejë, më mirë të jetë i gabuar, qoftë edhe më shumë, me atë Senat të nderuar, sesa i pagabuar me ty…kërcënimet i tua, o prijës i madh Mehmet, që po i shfaq këtu, kundër meje, sipas zakonit barbar, nuk më trembin, sepse edhe të pësosh kur do puna, edhe të bësh trimëri, është veti arbërore kjo…Cili qenka ky sundimtar. Siç e quan veten ti, kaq i madh i Lindjes e i Perëndimit dhe i gjithë viseve të botës. Me të vërtetë, këtu më bëre të qesh. Si ia vure me kaq lehtësi që të mos them me kaq paturpësi, sundimin e gjithë botës vetes…Mos ki shumë besim në mizërinë e fuqive dhe ushtrive, se historia na dëshmon se shpesh ushtri të mëdha janë zmbrapsur nga ushtri to vogla…»

Këto pak fragmente të letërkëmbimit të Skënderbeut me Sulltan Muratin II dhe Sulltan Mehmetin-Pushtuesin paraqesin pa asnjë mëdyshje personalitetin që përmes tij sintetizohet një epokë e tërë në historinë tonë kombëtare, luftën njëshekullore kundër sundimit osman (1380-1479) për mbrojtjen e trojeve shqiptare, luftën e cila i vuri themelet e qëndrueshme të asaj ndërtese kombëtare – shtetërore dhe shpirtërore që brezat tanë luftuan dhe sakrifikuan gjatë shekujve.

Autori është këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Fusnotat janë hequr nga redaksia