Përplasja në ferr

Në librin e tij «To Hell and Back: Europe 1914-1949» historiani i famshëm britanik Ian Kershaw përshkruan apokalipsin e parë europian. Një recension, botuar nga revista gjermane «Der Spiegel».

28 qershor 1919: Hartografët vizatojnë hartën e re të Europës duke u bazuar në Marrëveshjen e Versailles (Versajës).



Para pak vitesh Bashkimi Europian u nderua me Çmimin Nobel për Paqe. Jo çdokush e ka kuptuar këtë atëbotë, Europa e përbashkët shihej si diçka e vetëkuptueshme, si e arritur e botës së vjetër që s’mund të rrezikohet. Ndërkohë e kemi të qartë më mirë: sulmi i popullistëve kundër idesë së një Europe të lirë, demokratike po shihet gjithandej: Putini, Erdoani, Orbani shpotisin vlerat e Perëndimit, partitë kritike ndaj Europës po fitojnë miliona zgjedhës, nën duartrokitjen e presidentit të ardhshëm amerikan Donald Trump britanikët përmes Brexitit i kanë thënë lamtumirë BE-së. A po përsëritet historia?

Para jo më shumë se 100 vitesh diktatorët popullistë Hitleri, Mussolini dhe Stalini loznin një lojë të njëjtë. Ata provokonin demokracitë parlamentare të Perëndimit dhe talleshin me liderët e tyre; në fund bota u fundos nga nazistët në luftën më të përgjakshme të njerëzimit. Këtë apokalips të parë europian e përshkruan historiani britanik Ian Kershaw në librin e tij «To Hell and Back: Europa 1914-1949» (në gjermanisht libri mban titullin: «Përplasja në ferr). Kush pajtohet me paraqitjen e Kershawit, nuk mund të evitojë që shpërbërjen e tanishme të Europës ta lexojë si të thuash si subtekst: sërish po vihen në dyshim normat e barazisë dhe drejtësisë, sërish veçohen dhe diskriminohen të huajt, përsëri vlen e drejta e të fortit, sërish partitë reagojnë të hutuara ndaj provokimeve të armiqve të demokracisë.

Nëse lexohet me kujdes libri i Kershawit mund të jetë një lloj kundërhelmi – kundër joshjes me receta të thjeshta, me të cilat gjenerata e re e popullistëve premton se do t’i zgjidh të gjitha problemet e botës së globalizuar. Aq më tepër që historiani britanik në gjysmën e parë të shekullit ’20 identifikon katër fuqi, të cilat e çuan kontinentin në dy luftëra botërore dhe edhe sot tregojnë forcën e tyre shkatërrimtare: krahas përhapjes së ideve raciste ato fuqi janë ëndrrat për perandori të mëdha imperiale, konfliktet në rritjes mes të varfërve dhe të pasurve dhe kriza në eskalim e sipër e sistemit ekonomik kapitalist.

Ian Kershaw tashmë është duke punuar në vëllimin e dytë të veprës së tij epokale, e cila do te trajtojë kohën nga viti 1949 deri më tani. Në të vërtetë ai synonte të përshkruante finalen e lumtur të historisë së një kontinenti, i cili me shekuj u kurthua në luftëra dhe pastaj me themelimin e Bashkimit Europian krijoi një rend të përhershëm të paqes. Si po ecin punët Kershaw duhet të ndryshojë konceptin e tij. Një përfundim i lumtur nuk po shihet në horizont.

(Libri i Ian Kershaw në gjermanisht është botuar nga Deutsche Verlangs-Anstalt, ka 768 faqe dhe kushton 34,99 euro)