Përpjekja e nazistëve për një aleancë me myslimanët e Ballkanit

Kroaci, Bosnjë, Sanxhak, Kosovë, Shqipëri, Çamëri – gjithkund ku banonin myslimanë, nazistët u përpoqën të lidhnin aleanca. Në një memorandum paria myslimane e Bosnjës i shkroi Adolf Hitlerit se myslimanët e Ballkanit janë pjesë integrale e «300 milionë myslimanëve» të mbarë botës dhe se janë të gatshëm të bashkoheshin në radhët e Forcave të Boshtit, të cilat kishin «filluar luftën kundër judaizmit, masonëve, bolshevizmit si dhe kundër shfrytëzuesit, anglezit». Detaje nga libri «Për profetin dhe Hitlerin. Bota islame dhe Rajhu i Tretë» të historianit David Motadel.

Pavijoni Meshtroviq në qendër të Zagreb - i shndërruar në xhami gjatë Luftës së Dytë Botërore.



Përkundër fjalëve të ngrohta të Paveliqit ndaj islamit, përgjegjësit e ustashëve ndërmorën pak për të penguar këto masakra. Edhe më keq: në ato territore ku udhëheqësit myslimanë pranonin marrëveshje të kufizuara armëpushimi me çetnikët dhe partizanët, njësitë e ustashëve i bënin presion popullsisë myslimane. Në raportet ushtarake gjermane flitej gjithnjë e më shumë për një konflikt mes myslimanëve dhe shtetit kroat. Gjithnjë e më shumë liderë myslimanë në Bosnjë-Hercegovinë shprehnin dëshirën për pavarësi. Përpjekjet që të krijoheshin njësi myslimane për vetëmbrojtje në përgjithësi dështuan.

Si rrugëdalje e fundit përfaqësuesit udhëheqës të myslimanëve në fund iu drejtuan gjermanëve. Në një memorandum dërguar Hitlerit më 1 nëntor 1942 ata kërkuan për Bosnjë-Hercegovinën një autonomi myslimane nën patronazhin gjerman. Ata u ankuan për gjendjen e keqe të popullsisë myslimane, protestuan kundër kishës katolike, ortodoksisë së çetnikëve dhe partizanëve komunistë dhe nënvizuan «dashurinë dhe simpatinë tonë» për gjermanët dhe Hitlerin. Binte në sy se për të theksuar çështjen e tyre myslimanët u shërbyen me një subtekst panislamik: ata tërhoqën vëmendjen se myslimanët e Ballkanit janë pjesë integrale e «300 milionë myslimanëve» të mbarë botës dhe se janë të gatshëm të bashkoheshin në radhët e Forcave të Boshtit, të cilat kishin «filluar luftën kundër judaizmit, masonëve, bolshevizmit si dhe kundër shfrytëzuesit, anglezit». Po ashtu ata iu referuan «popujve të tjerë të shtypur islamik», udhëheqësit e të cilëve po ashtu gëzonin mbrojtjen e regjimit nacionalsocialist.

Tani gjermanët ishin në dilemë. Berlini pranoi shtetin e ustashëve dhe sundimin e tij në territoret myslimane në Bosnjë-Hercegovinë. Hitleri kishte dërguar në Zagreb vetëm përfaqësues të ministrisë së Jashtme dhe të Wehrmachtit, para së gjithash veteranin nacionalsocialist austriak gjeneralin Edmund Glaise von Horstenau, gjeneral gjerman i autorizuar në Kroaci, dhe gjeneralin e Sturmabteilung (SA) Siegfried Kasche, i dërguar i Berlinit në Zagreb. [Sturmabteilung ishte krahu paramilitar i partisë naziste NSDAP]. Kasche kishte pak simpati për myslimanët dhe deri në fund ishte përkrahës i regjimit të ustashëve. Në të vërtetë edhe ai ishte i vetëdijshëm mbi rëndësinë politike të islamit – madje vazhdimisht kishte tërhequr vërejtjen mbi «reperkusionet» e politikës gjermane ndaj islamit në Europën juglindore «në botën islame». Nga ana tjetër ai ishte plotësisht i vetëdijshëm se ndikimi i tij politik si i dërguar diplomatik i Gjermanisë në Kroaci varej nga stabiliteti i regjimit të ustashëve.

Por gjendja ndryshoi. Nga vjeshta e vitit 1942, kur lufta civile në disa pjesë të shtetit kroat dhe para së gjithash në Bosnjë-Hercegovinë doli nga kontrolli, gjermanët gjithnjë e më shumë ndërhynë në territoret e populluara nga myslimanët. Zonat operative u vunë nën komandën ushtarake gjermane, gjë që de fakto ndikoi që Paveliqi të humb sovranitetin në disa pjesë të Kroacisë. Në fund të vitit 1942 Glaise von Horstenau ishte i detyruar ta ndajë pushtetin me gjeneralin Rudolf Lüters, i cili ishte emëruar komandant i trupave gjermane në Kroaci. Në fillim të vitit 1943 nisi një sulm i madh kundër të gjitha grupeve kryengritëse në Kroacinë qendrore dhe në Bosnjë-Hercegovinë.

Në fund gjithnjë e më shumë në Ballkan ndërhyri edhe SS-i (trupa paramilitare e Hitlerit, v.j.). Në fund të marsit 1943 Heinrich Himmleri e dërgoi në Zagreb gjeneral-brigadierin Konstantin Kammerhofer si të autorizuar zyrtar të SS-it. Kammerhofer nuk kishte aq respekt as për funksionarët e ustashëve, as për të dërguarin gjerman Kasche. Ai injoroi të gjitha ankesat dhe disa pjesë të Kroacisë veriore menjëherë i vuri nën autoritetin e SS-it. Nga ana e Wehrmachtit nuk u vërejt ndonjë kundërshtim, sepse ekzistonte bindja se SS-i në krahasim me forcat e sigurisë të ustashëve do të kryente punë më efektive. Kasche e ndiente veten gjithnjë e më shumë të përjashtuar dhe të izoluar. Deri në fund të vitit 1943 SS-i e kishte zgjeruar më tutje ndikimin. Mes pranverës dhe vjeshtës së vitit 1944 SS faktikisht kontrolloi territoret myslimane mes Savës, Drinës, Spreçës dhe Bosnës.

Wehrmacht dhe para së gjithash në SS, ku nuk bëheshin aq merak sa i përket sovranitetit të shtetit të ustashëve, myslimanët shiheshin si aleatë të dobishëm. Raportet interne rregullisht i referoheshin qëndrimit gjoja progjerman të myslimanëve të Europës juglindore dhe ndikimit te tyre në tërë botën myslimane. Në një raport në pranverë të vitit 1943 Rudolf Lüters nënvizoi se çetnikët i provokonte pozicioni panislamik i myslimanëve. «Sidomos sjellja, me sa duket, mbinacionale, e kushtëzuar nga feja e acaron serbin me krenarinë e tij të pafrenueshme kombëtare». Një komandant, i cili i trajnonte ushtarët gjermanë për angazhim në Bosnjë, nënvizoi jo vetëm qëndrimin progjerman të myslimanëve, por edhe faktin se «rreth 950 mijë myslimanët që jetojnë në Bosnjë-Hercegovinë … saktësisht [e dinë] se ata i përfaqësojnë 500’000’000 muhamedanë [sic] ndaj Perandorisë së Madhe Gjermane dhe Boshtit». Rrjedhimisht, përkrahja gjermane për popullsinë myslimane do të kishte efekt propagandistik «ndaj … vendeve të tjera muhamedane [sic]». Këto pikëpamje i ndanin SS-i dhe institucionet e tjera gjermane. Përpjekjet e Wehrmachtit dhe të SS-it që nga fillimi i vitit 1943 për përkrahje politike dhe ushtarake të myslimanëve bazoheshin në mendime të ndryshme, por para së gjithash në përfytyrimin e një qëndrimi progjerman të popullsisë myslimane si dhe kalkulimet sa i përket gjoja rëndësisë së myslimanëve në Bosnjë-Hercegovinë brenda botës më të madhe islame.

Kur pastaj gjermanët përforcuan aktivitetet e tyre ushtarake në Ballkan, Wehrmachti dhe SS-i i zgjeruan përpjekjet e tyre për përkrahjen e myslimanëve edhe në rajone, të cilat ishin të pushtuara nga italianët. Në fillim të vitit 1943 trupat gjermane u dërguan në rajonin e Sanxhakut, në pjesën malore mes Malit të Zi dhe Serbisë të banuar kryesisht nga myslimanët, i cili zyrtarisht ishte nën kontrollin italian. Kur lufta civile në Ballkan eskaloi, Italia me vetëdije i kishte injoruar masakrat e  çetnikëve ndaj popullsisë myslimane. Komandantët e trupave të Wehrmachtit që po marshonin tani, ndërkaq, që nga fillimi kërkuan nga ushtarët e tyre që vetëm myslimanët e Sanxhakut t’i trajtonin si aleatë dhe kundër pjesëve të tjera të popullsisë të veprohet me ashpërsi të plotë. Në vjeshtë të vitit 1943, kur Italia ndërroi frontet dhe u tërhoq nga Ballkani, Sanxhaku u mor zyrtarisht nga gjermanët. Përveç kësaj tani edhe popullsia shumicë myslimane e Shqipërisë – të cilës i takonte edhe Kosova, e cila që nga viti 1939 ishte nën pushtimin italian – ishte nën kontrollin e gjermanëve, të cilët kishin vendosur një qeveri marionetë. Edhe në rajonin e Epirit në Greqinë veriperëndimore që kufizohet me Shqipërinë dhe gjithashtu kishte qenë në kontrollin italian, ushtarakët gjermanë u përpoqën për bashkëpunim me pakicën shqiptare myslimane të çamëve, e cila vuri në dispozicion njësi për paqësimin e rajonit.

Aktivitetet gjermane në këto territore u drejtuan nga Hermann Neubacher, i cili si i autorizuar i posaçëm i Hitlerit për juglindjen ishte përgjegjës për Shqipërinë, Malin e Zi, Serbinë dhe Greqinë dhe nga ana e tij shprehimisht përkrahte një aleancë me myslimanët e Ballkanit. (Vijon)