Përpjekja e fundit për prokurorin special në Maqedoni




Grupet negociuese të katër partive më të mëdha në Maqedoni, VMRO-DPNE, LSDM, BDI dhe PDSH kanë hyrë në ditën e fundit të afatit të vendosur në Marrëveshjen e Përzhinos për zgjedhjen e prokurorit special, njofton korrespodenti i Koha Ditore nga Shkupi.

 

Ky prokuror duhet të hetojë aferën e përgjimeve dhe përmbajtjet e bisedave të përgjuara ku sipas opozitës maqedonase, vërehet krimi dhe korrupsioni i kryeministrit dhe ministrave të Qeverisë së Maqedonisë, raporton korrespodenti i DialogPlus në Maqedoni.

Grupeve punuese u janë bashkangjitur edhe ambasadori amerikan në Shkup, Xhes Bejli, ambasadori i BE-së, Aivo Orav dhe ndërmjetësuesi belg, Peter Vanhojt. Treshja ndërkombëtare pas dy orëve takim kanë lëshuar mbledhjen për t’ju bashkangjitur në orët e pasdites. E vetmja deklaratë që ka dalë nga takimi, kalimthi, kanë qenë fjalët e ndërmjetësuesit belg «Unë jam gjithmonë optimist».

Por, as ai dhe as partitë nuk kanë dhënë ndonjë deklaratë zyrtare për rrjedhën e deritanishme të bisedimeve. Jozyrtarisht mësohet se bisedimet në fazën e fundit shkojnë shumë vështirë. Dallimet më të mëdha, siç mësohet jozyrtarisht mbeten në ekipin që do t’i ndihmojë prokurorit special dhe kompetencat. Prandaj as ligji dhe as emri i prokurorit nuk janë mbyllur si çështje.

Sot pritet që këto dy tema të hapen paralelisht dhe në rast të arritjes së një marrëveshje propozim ndryshimet e ligjit për prokuror të dorëzohen në Kuvend. Nëse partitë dakordohen për versionin final të ndryshimeve ligjore, përbërjes dhe kompetencave të prokurorit, atëherë ndryshimet nesër duhet të miratohen në Kuvend.

Por në Kuvend do të bëhet edhe emërimi i prokurorit të ri special. Diskutabile mbetet po ashtu edhe zgjedhja e ndihmësve të prokurorit dhe statusi i tyre, nëse do të jenë ndihmës siç kërkon VMRO-DPMNE apo zëvendës prokuror siç kërkon LSDM-ja.

Nëse deri nesër nuk gjendet ndonjë kompromis, kjo do të ishte goditja e parë ndaj marrëveshjes së Përzhinos që më pas do ta rrezikonte të njëjtën edhe në segmentet e tjera. Me këtë marrëveshje u caktuan edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 24 prillit të cilat do të organizoheshin nga një Qeveri teknike.

Qeveria teknike do të zgjidhej 3 muaj para zgjedhjeve, ajo do të drejtohej nga një kryeministër i ri pasi Gruevski do të largohet nga posti. Opozita maqedonase do të merr ministrinë e punëve të brendshme dhe ministrinë për punë dhe politikë sociale, ndërsa do të ketë tre zëvendës ministra.