«Përmbajtja dhe zelli – këto dy virtyte na duhen shumë»

INTERVISTË – 40 pyetje – 40 përgjigje: Yll Rugova, drejtor për Kulturë, Rini e Sport i komunës së Prishtinës, dizajner grafik, ish-aktivist i shoqërisë civile.

Yll Rugova.



Në kapërcyell të shekujve XIX/XX në sallonet e Parisit ishte modë që gjatë pritjeve mysafirët të plotësonin një «Questionnaire», një pyetësor. Një të tillë e kishte plotësuar edhe 13-vjeçari Marcel Proust në një festë për nder të ditëlindjes së Antoinette Faure, të bijës së presidentit të mëvonshëm francez Félix Faure.

Në moshën 20-vjeçare Proust ishte përgjigjur edhe njëherë në këtë pyetësor, të cilit ia kishte dhënë titullin: «Marcel Proust par lui-même» («Marcel Proust mbi vetveten»). Që nga atëherë «Questionnaire» u bë i famshëm bashkë me shkrimtarin Marcel Proust (1871-1922).

Traditën e pyetësorit e vazhduan gazetat e revistat deri në ditën e sotme, mes tyre edhe e përditshmja gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung» dhe «Vanitiy Fair». Duke e marrë si model dhe inspirim pyetësorin e Proustit dialogplus.ch fillon me botimin e intervistave me 40 pyetje, në të cilat do të përgjigjen personalitete të ndryshme.

 

  1. Në cilin vend dëshironi të jetoni në hapësirën e banuar me shqiptarë?

Gjithmonë dëshiroj të jetoj në Prishtinë. Mendoj se Prishtina me pak intervenime, por intervenime të thella mund të kthehet në një qytet me jetë shumë cilësore. Jam shumë i fiksuar me këtë idenë që të paramendohet një Prishtinë e së ardhmes, që do të akomodonte edhe më shumë njerëz, pra të rritet për nga numri i banorëve, por jeta e këtyre banorëve të jetë shumëfish më e mirë sesa mesatarja që sot e ka Kosova. Qoftë në aspektin shoqëror, atë kulturor, arsimor, shëndetësor, ekonomik e madje edhe atë të transportit. Sepse qyteti ka dendësi, dhe në qytet transporti është faktor shumë i rëndësishëm i cilësisë së jetesës. Besoj që një Prishtinë me jetë cilësore do të transformonte jetën në gjithë Kosovën dhe do të ndihmonte në kapërcimin tonë si shoqëri në një stad tjetër më të avancuar.

  1. Cilin personalitet të historisë shqiptare do të dëshironit ta takonit sikur të ishe e mundshme?

Në fakt ka shumë personalitete, por varet çka konsiderojmë histori shqiptare. Nëse me këtë term nënkuptojmë vetëm kohën kur është formësuar etnonimi «shqiptar» atëherë i bie në 200-300 vjetët e fundit. Në këtë periudhë kisha dashur të filloj nga Pjetër Bogdani që ka jetuar në Prishtinë, Naum Veçilharxhi, deri te Branko Merxhani, Fan Noli, Hasan Prishtina, e Ibrahim Rugova dhe Fehmi Agani në ditët e sotme. Gjithsesi kisha dashur ta takoj edhe Adem Jasharin, duke qenë se është figurë shumë emblematike e historisë sonë të re.

  1. Çka do ta pyetnit së pari?

Çka ju motivon të punoni në drejtimin që po punoni?

  1. Cili është personaliteti më i rëndësishëm historik për ju?

Mendoj se rilindasit si grup janë më të rëndësishmit të historisë shqiptare. Nuk besoj në rëndësinë e vetëm një individi, sepse jam i prirë të besoj se edhe individët janë gjithmonë rezultat i kolektivit. Në nivelin global jam i fascinuar me periudhën antike, veçanërisht me figurat si Sokrati, e më pas edhe Mark Aureli dhe Seneka. Kurse edhe renesanca, veçanërisht me personalitetet që kanë jetuar në Firencë më duket shumë e rëndësishme për historinë e mendimit sot. Gjithsesi historia është cikël i ngjarjeve që ndërlidhen me njëra-tjetrën dhe rëndom është një frymë shoqërore – një Zeitgeist – që mund të prodhojë pastaj individë me ndikim për gjithë historinë.

  1. A ekziston Zoti?

Jo.

  1. Cilin libër po e lexoni aktualisht?

Aktualisht kam filluar ta lexoj librin «What is philosophy?» nga Gilles Deleuze, kurse e përfundova pak më herët një përmbledhje të shkurtër nga Seneka për providencën. Sivjet e kam lexuar për herë të parë edhe Fatos Kongolin, që më ka pëlqyer shumë. E gjithashtu i befasuar për të mirë isha me «Pallatin e ëndrrave» të Ismail Kadaresë, një nga librat e tij që nuk e kisha lexuar deri tash.

  1. Cilin qytet të ish-Jugosllavisë keni dëshirë ta vizitoni?

Nuk kam qenë kurrë në Beograd, Sarajevë dhe Zagreb, prej kryeqyteteve të ish-Jugosllavisë. Prej këtyre më së shumti kam dëshirë ta vizitoj së pari Zagrebin, pastaj Sarajevën. Ndërsa në Beograd pata të shkoj për herë të parë këtë javë, por u anulua ky udhëtim. Tash mbetet të shihet kur do të krijohen rrethanat sërish që të udhëtoj atje. Përndryshe, Zagrebi më duket nga informatat që i marr si qytet i organizuar asisoj që kisha dashur Prishtina të jetë (megjithëse nuk e kam parë kurrë).

  1. Kur keni udhëtuar për herë të parë jashtë shtetit dhe në cilin vend keni qenë?

Si fëmijë kemi shkuar në Greqi, por nuk kam shumë kujtime nga kjo kohë. Kam udhëtuar shpesh edhe në Kroaci (Dubrovnik për pushime), Maqedoni, Mal të Zi (kryesisht Shtoj) dhe në Turqi. Në Europën perëndimore vendi i parë që e kam vizituar ka qenë Parisi në vitin 2009.

  1. Kur keni qenë për herë të parë në Shqipëri?

Nuk e di sigurt datën. Ndoshta diku në vitin 2001 ose 2002 kam shkuar në Shkodër nga Shtoji i Ulqinit. Është shumë interesant sa shumë ka ndryshuar ky qytet në këto 15 vjet. Atë kohë s’ka pasur shumë vetura, dhe banorët kryesisht qarkullonin me biçikleta.

  1. Çfarë do të ishte për ju fatkeqësia më e madhe?

Të nisin lufta të reja në Ballkan.

  1. Cilin shkrimtar të huaj e pëlqeni më së shumti?

Kurrë s’kam menduar të veçoj shkrimtarë në lista të preferencave, por do të mundohem të jap një përgjigje. Si fëmijë e kam dashur librin «Konti i Monte Kristos» nga Alexander Dumas. Kurse këtë vit ndoshta Orhan Pamuk më pëlqen më së shumti.

  1. Kultura e cilit vend perëndimor ju pëlqen më së shumti?

Italia.

  1. Cili emër ju pëlqen më së shumti?

Bora.

  1. A do të merrnit pjesë në dasmën e një çifti homoseksual?

Po.

  1. A do të ishit i gatshëm të luftoni në rast se rrezikohet liria e vendit?

Hm! Varet nga roli në luftë. Mendoj se në luftë kisha me qenë i dobishëm nëse e jap kontributin në ato fusha ku kam njohuri më të mëdha. Dhe nëse është luftë e pashmangshme, natyrisht.

  1. Cilin person s’do të kishit dëshiruar ta takoni kurrë?

Nuk ka të tillë.

  1. A duhet të bashkohen Kosova dhe Shqipëria?

Po.

  1. A është dëmtuar dialekti gegë me standardin gjuhësor të vitit 1972 dhe a duhet të ndryshohet ky standard?

Unifikimi i gjuhës në vitin 1972 mendoj se është një nga momentet kryesore të popullit shqiptar. Por mendoj se sot duhet të avancojmë këtë projekt në drejtim të standardizimit të mëtutjeshëm, sepse është e dukshme që standardizimi ka prodhuar gjuhë tjetër në Shqipëri, e tjetër në Kosovë. Sot na duhet edhe një kongres i ri për unifikim të gjuhës, kur do të ndërmerreshin hapa të tjerë për standardizim më të mirë. Mendoj se gjuha standarde duhet të pasurohet edhe më tutje nga dialekti gegë, por edhe në përgjithësi të gjendet një version kreativ sa i përket paskajores. Fjalori duhet të pasurohet me më shumë fjalë, e mbi të gjitha duhet të sigurohen mekanizma që garantojnë që edhe strukturalisht të ketë unifikim më të madh gjuhësor mes Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi.

  1. Cilit komb dhe cilës kulturë do t’i kishit takuar me qejf?

Idealja do të kishte qenë mos të kishim kombe. Kisha dashur t’i takoj një kombi që do të formohej përtej gjuhës, etnisë dhe fesë. Por, prej kombeve që sot ekzistojnë, gjithsesi jam krenar që jam shqiptar, dhe nuk do ta kisha ndryshuar me asnjë tjetër.

  1. Sikur të kishit pushtetin politik çfarë do të ndryshonit së pari?

Më duket e qartë: duhet një program shumë intensiv dhe afatgjatë për arsim. Dhe për këtë program çdo ditë që po humbet po na dëmton neve si shoqëri.

  1. Cili është personi më i rëndësishëm për ju?

Familja ime.

  1. Cilat media preferoni t’i lexoni?

Në Kosovë e lexoj «Kohën Ditore» si gazetë. Kurse online e lexoj edhe koha.net, telegrafi.com për lajme të shpejta, zeri.info, botasot.info etj. Online mendoj se i lexoj të gjitha. Nga mediat ndërkombëtare më shumë më bie ta lexoj The Guardian, BBC News, New York Times, The Economist etj.

  1. Cila ngjyrë ju pëlqen më së shumti?

E kaltra.

  1. Cila lule ju pëlqen më së shumti?

As për këtë s’paskam menduar ndonjëherë. Ndoshta lulebardha (Leucanthemum vulgare).

  1. Cilin virtyt tuajin e çmoni më së shumti?

Nuk e di, ndoshta durimin. Mendoj se ne nuk i kemi shumë të qarta virtytet që janë shumë të theksuara veçanërisht në kulturën perëndimore. Në gjuhësi e mësojmë që nëse s’kemi fjalë që përdoren shpesh në gjuhë të përditshme për ndonjë koncept, atëherë ai koncept s’është shumë i rëndësishëm për atë popull apo grup folësish. Te populli shqiptar mund ta vëreni që rrallë i përdorim këto fjalë: zell, bamirësi, durim, mirësi, pastërti shpirtërore (për fjalën «chastity» madje s’kemi as fjalë), guxim (këtë fjalë në fakt e përdorim shumë shpesh), përulësi, përmbajtje etj.

  1. Cilat virtyte i çmoni te një grua?

Në përgjithësi, pa marrë parasysh a është grua apo burrë, dikush që ka virtyte e çmoj shumë. Por, nëse më duhet të zgjedhë, veçanërisht te populli shqiptar pa marrë parasysh a është grua apo burrë: përmbajtja dhe zelli.

  1. Cilat virtyte i çmoni te një burrë?

Të njëjtat që i çmoj edhe te një grua: përmbajtjen dhe zellin. Mendoj se na duhet këto dy virtyte shumë neve si popull veçanërisht.

  1. Cilin politikan të kohës së Jugosllavisë e vlerësoni më shumë?

Kjo pjesë e historisë është shumë e nënstudiuar. Së këndejmi, informatat që qarkullojnë nga kjo kohë janë kryesisht akuza dhe opinione. Për vete jam shumë kureshtar ta njoh më mirë historinë veçanërisht të viteve 60-70-të kur është fituar Kushtetuta e vitit 1974 që ka garantuar status de facto të republikës për Kosovën, megjithëse de jure ka qenë vetëm provincë autonome. Mendoj se ajo kushtetutë dhe ato të drejta për shqiptarët nuk kanë ardhur vetvetiu, por kanë qenë rezultat i punës, vizionit dhe strategjisë të popullit të Kosovës me liderët e atëhershëm që të përmirësojnë kushtet e jetesës dhe të drejtat e popullit shqiptar në Jugosllavi. Mendoj se ka qenë njëfarë bashkëpunimi i përgjithshëm popullor që nëse do të vazhdonte do të rezultonte me statusin e republikës. Republikat në Jugosllavi kanë pasur të drejtën e shkëputjes (disa postulojnë se Kosova sot mbase ka më pak të drejta se atëherë). Besoj që koha do të sqarojë gjithçka por janë disa politikanë të asaj kohe që mendoj se janë të rëndësishëm, njerëz si Xhavit Nimani dhe Mahmut Bakalli. Si aktivist i rëndësishëm i kësaj kohe, padyshim që ka qenë Adem Demaçi.

  1. Cilin politikan të Kosovës pas vitit 1989 e vlerësoni më shumë?

Ibrahim Rugovën.

  1. Cilin politikan të Republikës së Shqipërisë në këto 25 vitet e fundit e vlerësoni më shumë?

Edi Rama.

  1. A ka Enver Hoxha ndonjë meritë për Kosovën?

Enver Hoxha ndoshta ka pasur ndonjë meritë të tërthortë në Kosovë. Figura e tij e mitizuar ka pasur ndikim në lëvizjet disidente të ish-Jugosllavisë që mbase e kanë mbajtur më të fortë identitetin shqiptar në Kosovë. Megjithëse nuk kanë qenë vetëm këto lëvizje që e kanë mbajtur të fortë identitetin shqiptar.

  1. A ka Josip Broz Tito ndonjë meritë për zhvillimin politik, arsimor, ekonomik dhe kulturor të Kosovës?

Po. Tito ka ndikuar në stopimin e dhunës dhe represionit të Aleksandar Rankoviçit, e po ashtu ka pasur rol pozitiv në përmirësimin e të drejtave të shqiptarëve në Jugosllavi që ka kulmuar me Kushtetutën e vitit 1974. Besoj se Tito ka qenë një shteghapës në këtë proces.

  1. Cili është për ju personaliteti më i urryer historik?

Adolf Hitler.

  1. Sikur të kishit jetuar në Luftën e Dytë Botërore a do t’iu kishit bashkuar lëvizjes partizane në luftë kundër pushtimit nazist?

Ka gjasë që po.

  1. Cili është intelektuali më i madh i Kosovës?

Albin Kurti.

  1. Cili është shkrimtari më i madh shqiptar?

Ismail Kadare.

  1. Cili është aktori/aktorja më e madhe shqiptare?

Ah, i urrej këto shpallje. Po e them Bekim Fehmiu. Edhe pse Aleksandër Moisiu ka qenë aktor shumë i rëndësishëm i teatrit në fillim të shekullit ‘20. Sot po ashtu kanë shumë famë Eliza Dushku dhe vëllezërit Bellushi. Personalisht më pëlqen shumë edhe Arta Dobroshi.

  1. A keni marrë pjesë në ndonjë demonstratë?

Marr pjesë në demonstrata vazhdimisht. Mos të them gjithmonë. Madje në disa raste kam qenë ndër personat kyç të organizimit, për shembull protestat kundër faturave të fryra të rrymës. Protesta e fundit kundër ndryshimit të kufirit ka qenë ndër protestat më paqësore në të cilën kam marrë pjesë kohëve të fundit.

  1. A është toleranca fetare mes shqiptarëve mit apo realitet?

Mendoj se fjala tolerancë nuk është adekuate, e preferoj më shumë fjalën «bashkëjetesë». Qysh e thotë edhe Sllavoj Zhizheku, toleranca nënkupton se të pengon tjetri, por e toleron. Mënyra si e kemi ne bashkëjetesën fetare është më e ndryshme se toleranca. Ne gati sa e shohim besimin tonë, në besimin e tjetrit, sado i ndryshëm mund të jetë ai. Pra, është përtej tolerancës, është pranim, është gati empati mes besimeve të ndryshme. Ka shumë raste që përshkruhen në histori, kur shqiptarët myslimanë janë falur edhe në kisha ortodokse përballë ndonjë të shenjti të caktuar ortodoks. E gjithashtu raste kur ndonjë tregtar katolik ka paguar ndërtimin e ndonjë xhamie. Pra, bashkëjetesa fetare te shqiptarët është koncept shumë i nënstudiuar, dhe shumë i bukur. Sot, ka tendenca që të sulmohet bashkëjetesa fetare e shqiptarëve. Por po duket se edhe për shkak të idesë së përforcuar të kombit, bashkëjetesa fetare është shumë stabile njëherë për njëherë.

  1. Cila është ëndrra juaj më e madhe?

Ëndrra ime është që Kosova, dhe Prishtina si qytet ku unë jetoj dhe planifikoj të jetoj edhe në të ardhmen, të ketë jetë të dinjitetshme për gjithë banorët. Ëndërroj të arrijmë të ndërtojmë një shoqëri të shëndoshë me arsim cilësor, të shëndetshme dhe në harmoni të vazhdueshme. Nuk mendoj që niveli ekonomik duhet patjetër të jetë shumë i lartë. Më parë besoj se është e rëndësishme një shoqëri që ofron nge dhe bollëk për të gjithë, sesa një shoqëri e pasur e me dallime të mëdha mes klasave shoqërore. Në fakt, këtë të parën e kam synim jetësor për shoqërinë tonë. Gjithashtu mendoj se nëse punojmë vetëm për jetën tonë individuale nuk është e mjaftueshme, sepse edhe po të kemi jetë cilësore për vete, momentin që jemi pjesë e një shoqërie me skamje dhe përçarje, atëherë as jeta jonë nuk është e mirë. Na duhet punë për të përmirësuar jetën e njëri-tjetrit. Kjo kërkon shumë të kthehemi te virtytet, ta lëmë anash kënaqësinë e momentit dhe të përkushtohemi për gjithë komunitetin. Të punojmë shumë, ndershëm, dhe ta promovojmë punën.