Përleshje verbale mes revistës gjermane «Der Spiegel» dhe Turqisë

Një numër special i revistës «Der Spiegel», në të cilin kritikohet ashpër Turqia, ka nxitur reagime në Ankara.

Ballina e numrit special të DER SPIEGEL, e cila ka ngjallur reagime të ashpra nga Turqia.

Numri special i revistës «Der Spiegel» mban titullin «Turqia si vatër zjarri» dhe nëntitullin «Një vend po e humb lirinë». Në ballinë shihet kryetari turk Rexhep Taip Erdoan, nën portretin e tij duket një xhami dhe dy minare që shndërrohen në raketa. Një paraqitje e tillë ka nxitur menjëherë reagimin e Ministrisë së Jashtme në Ankara, e cila ka akuzuar «Der Spiegel» për paraqitje paragjykuese dhe të pasaktë të Turqisë. Sidomos ballina e numrit special të «Der Spiegel» konsiderohet si «tejet provokuese» dhe, sipas palës turke, njollos jo vetëm Turqinë, por edhe islamin si fe. Ministria e Jashtme turke kërkoi të marrin fund paraqitjet negative të Turqisë. «Der Spiegel» e ka akuzuar Turqinë për shkelje të lirisë së shtypit dhe në fillim të këtij viti revista nga Hamburgu kishte tërhequr korrespondentin nga Stambolli.

«Der Spiegel» ka hedhur poshtë kritikat turke. «Raportimet tona për Turqinë janë të ndërgjegjshme dhe të sakta», deklaroi kryeredaktori i revistës, Klaus Brinkbäumer. «Sa gazetarë i ka arrestuar Turqia? Mënyra si se qeveria turke e kupton gazetarinë me siguri nuk do të përvetësohet edhe nga ana jonë». (-lli)