Përkundër ndalimit të alkoolit – 5 milionë iranianë janë alkoolistë

Pyetje në Teheran: prej nga e merrni verën? Nga dhoma e fjetjes! Mbi konsumimin e alkoolit në një shtet teokratik.

Xhamia Zaid në Pazarin e Teheranit.



Irani shpesh quhet shtet teokratik. Teokracia është një formë e sundimit, ku pushteti legjitimohet vetëm nga feja dhe nga një apo disa persona që nderohen si të ishin hyjnorë. Në një teokraci islamike si Irani shumë gjëra janë të ndaluara, për shembull gratë nuk mund të lëvizin në hapësiën publike nëse nuk e mbulojnë kokën me shami. Ka disa javë që në Iran po zhvillohen protesta të grave kundër detyrimit për të bartur shami. Në këtë vend është i ndaluar edhe alkooli. Turistët që vizitojnë Iranin para se të nisen pinë birrën, konjakun apo verën e fundit para se mëlçia të shkojë në pushim persian. Por iranianët janë kreativë. Një turiste gjermane me origjinë iraniane në një kolumne të saj tregonte se si shijohet vera në Iran. Ajo e shpjegonte përvojën e saj pak a shumë kështu: na ftuan për një ndejë në një shtëpi, ku na mirëpritën me mëlmesa dhe me verë. Kur i pyeta nikoqirët se prej nga e marrin verën, më thanë: nga dhoma e fjetjes! Domethënë: verën këta iranianë e nxirrnin nga tharbëtimi i mushtit të rrushit brenda mureve private. Gëzuar!

Përkundër ndalimit të alkoolit, në Iranin islamik jetojnë 5 milionë alkoolistë. Këtë shifër e bëri publike këtë javë parlamentari Ali Afranshteh, njoftoi agjencia iraniane e lajmeve Tasnim. Ne Iran është e ndaluar si shitja ashtu edhe konsimimi i alkoolit për shkaqe fetare. Njerëzit që pinë alkool rrezikojnë të ndëshkohen me gjoba dhe në rast se përsërisin «mëkatin» rrahen me kamxhik. Irani ka 80 milionë banorë. Sipas të dhënave të të ngarkuarit nacional për probleme të drogës në Iran 9,5 milionë banorë konsumojnë alkool në formë të rrezikshme për shëndetin e tyre. Sipas të dhënave zyrtare nga viti 2016 iranianët për çdo vit pinë 60 milionë litra pije alkoolike. Në tregun e zi njerëzit mund të gjejnë lloje të ndryshme të pijeve alkoolike, por me çmime të shtrenjta. Më lirë janë pijet alkoolike që prodhohen nëpër shtëpi private. Ka edhe firma që verën apo pije të tjera me përqindje të lartë të alkoolit e sjellin direkt dhe diskret në shtëpi – natyrisht ilegalisht. (-lli)