«Përkthyesi transparent» i tregon lexuesit sekretet e profesionit

Derisa filozofi, kritiku e përkthyesi Shkëlzen Maliqi ka shqipëruar një paragraf nga gjuha boshnjake, publiku është bërë pjesë e këtij procesi.




Atë që ka përkthyer nga laptopi, audienca e ka parë në projektor. Në këtë mënyrë u bënë dëshmitarë të një faze të parë të punës së një përkthyesi. Teksa kanë pëshpëritur e diskutuar domethënien e fjalëve, Maliqi nuk e ka ndalur punën. Me të verdha ka nënvizua fjalët për të cilat nuk ishte i sigurt, shkruan sot «Koha Ditore».

«Por kështu nuk duket mënyra se si përkthej. Zakonisht kam fjalorë të shumtë mbi tavolinë. Kjo është dora e parë. Kështu ia lehtësoj vetes. E lexoj dy a tri herë dhe me pas e krahasoj me origjinalin”, ka thënë Maliqi. Kjo ka qenë mënyra simbolike e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Përkthimit. Maliqi u bë pjesë e kësaj punëtorie të quajtur «Përkthyesi transparent» në vend të përkthyesit të njohur Fadil Bajraj, i cili për shkaqe personale nuk mori pjesë. Të mërkurën, nikoqir i kësaj ngjarjeje u bë qendra «Multimedia», e cila në njoftim ka përshkruar edhe atë që quhet «përkthyes transparent».

«Ai e lejon publikun të shohë përtej ‘krahëve’ të tij/saj. Përkthyesi i bën transparente mendimet e tij gjatë përkthimit, kurse vendimet për zgjedhjet, të debatueshme. Audienca e sheh tekstin origjinal dhe po ashtu krejt çka ndodh në ekranin e kompjuterit të përkthyesit: çka është duke shkruar, çka kërkon në ‘Google’, si e përdor fjalorin, enciklopedinë etj.», shkruhet në njoftim.

E derisa Maliqi ka përkthyer, profesori universitar, studiuesi dhe përkthyesi Anton Berishaj ka dhënë sqarime për publikun.

«Përkthimi dallon edhe për nga aspekti tradicional që lidhet me gjuhën dhe vendin, kulturën e të tjera. Prandaj edhe është i vështirë. Janë të vështira të përkthehen timbri, melodia e shumë gjëra të tjera që e bëjnë një tekst origjinal të dallojë. Ka teori dhe koncepte të ndryshme të përkthimit», ka thënë Berishaj.

Dita Ndërkombëtare e Përkthimit shënohet në mbarë botën më 30 të muajit shtator në nderim të St. Jerome, përkthyesit të Biblës i cili konsiderohet mbrojtës i shenjtë i përkthimeve. Për herë të parë u shënua nga International Federation Translators më 1953. Në vitin 1991, FIT e lansoi këtë ide duke kërkuar që kjo ditë të njihet zyrtarisht në shenjë solidariteti me komunitetin e përkthyesve në mbarë botën, për të promovuar profesionin e përkthyesit në shtete të ndryshme e jo detyrimisht vetëm në shtetet e krishtera. Kjo ditë është një mundësi për të shfaqur krenarinë për profesionin që çdo herë e më shumë po rritet në epokën e globalizimit.

Sipas Maliqit, përkthimi nuk është një proces i lehtë. Ai ka treguar për të arritur një rezultat të mirë përfundimtar duhet shumë punë.

«Ndonjëherë me orë ose edhe ditë mund të ngecësh në një paragraf. Por më pas kur e lexon tekstin e kupton çka ka dashur të thotë autori dhe më pas e kupton se si edhe t’i japësh nuanca. Më pas ka edhe sinonime që mund të fusësh brenda në fjali», ka thënë Maliqi, teksa përkthente. Sipas tij, përshtatja ndonjëherë është e domosdoshme. Ndërsa më të vështirën për ta përkthyer e konsideron poezinë.

«Te poezia ndonjëherë është e pamundur të përkthesh atë që autori ka dashur të thotë», ka thënë Maliqi.

Berishaj ka shfrytëzuar rastin të flasë edhe për llojet e përkthimeve dhe për atë që bëhet në Kosovë e Shqipëri.

«Kemi përkthimet fjalë për fjalë dhe duke e përshtatur», ka thënë Berishaj, teksa ka shtuar se Kosova ka nevojë për më shumë përkthyes. Por edhe nuk pajtohet plotësisht me formën e përkthimit që bëhet në Shqipëri.

«Kam përshtypjen se përkthyesit në Shqipëri zakonisht e kthejnë në zhargonin e gjuhës shqipe prandaj më duket se është e vështirë të dallojë një shkrimtar nga tjetri. Sikur krijohet një stil i vetëm. Por është profesion i vështirë», ka thënë Berishaj.