Përjetësisht i dashunuem: në kujtim të Ramiz Kelmendit

E quajtën njeri fort t’dashtun. Iu përmbajt deri në frymën e fundit filozofisë frommiane «me dashtë dhe me qenë i dashtun» dhe zuni shumë miq, për të gjallë, e mbase ka me zanë hala ma shumë miq e mikesha edhe i vdekun, përmes letrave të qëndisuna delëngthi dhe kujtimeve të te tjerëve për të. Miqtë, gra e burra, studentë e studente, kolegë të tij, publicistë e gazetarë. - Një tregim personal për Ramiz Kelmendin (1930-2017).

Ramiz Kelmendi asht pothuejse ndër të fundit rilindas (nga ata që e banë dhe i dhanë emën «Rilindjes») - qe nuk ishte vetëm një gazetë -, por ishte frymë, një emën për epokën në të cilën shqiptarët e Kosovës u rikthyen fuqishëm në histori!



Derisa piktori famëmadh Pablo Picasso thoshte se ai nuk krijon, por gjen, Sigmund Freudi ishte i mendimit se komikja gjendet, shakaja krijohet. Ramiz Kelmendi gjente kudo komiken, madje ai satirizoi veset, të folmet, mburrjen pa hesap, lakminë. Tue qenë se ne nuk dimë gjë për vdekjen edhe lajmi se ai mund të ketë vdekë, mund të jetë një hokë e tij. Ramiz Kelmendi ishte cok hokatar i madh, po edhe dashnor – i letrave dhe i kësaj bote. Ndërroi jetë në moshën 86 vjeçare. Ishte publicist dhe gazetar, shkrimtar dhe demiurg i shumë brezave të gazetarisë kosovare, veprimtar politik (i përfshimë në grupin e Marie Shllakut si 16 vjeçar dhe i liruem si i mitun), ishte ndër veprimtarët kryesorë të të drejtave të njeriut, ideator dhe nënshkrues i promemories, të njoftun në publik si «Apel 215», ku denoncohej diskriminimi dhe persekutimi i hapun i shqiptarëve të Kosovës nga pushteti serb; pjesëmarrës në këshillin e pajtimeve gjatë viteve ’90.

Ai ka jetue dendun, intensivisht. Nuk ra as kur kambët ia dridhke pesha e supet e randojshin p’ej vjetëve. Tash i themi lamtumirë mija njerëz, lexues e studentë të tij shkruajnë kujtime e përkujtime, sepse shumëkush e ka pasë mik, së paku e ka pi një kafe ose e ka shkrep një fotografi me të. E cilësuan fin e frajer, ikonë e «shmeker». Pati shumë miq sepse ka pasë shumë personazhe! Dhe vetë ishte shndërrue n’personazh, Jakup «Crni» te romani «Gryka e kohës» të të birit, Migjenit, rokerit, gazetarit e shkrimtarit.

«Jakupi i njohur ndër studentët shqiptarë në Beograd si <Crni> (e në Pejë si Jakup <Rugovci>, përpiqej të linte përshtypje të një djaloshi të modës. Do të gjendeshin bashkë me shokun e tij nga Gjakova, Aliun (e quanin <Talijani>, ngaqë i mbante flokët nga mbrapa), në tollovinë e madhe që u krijua në dyqanin e <Beko>-s (Beogradska Konfekcija), një tollovi aq e madhe sa u desh milicia ta mbante rregullin, për të blerë nga një pardesy a la italiana, që ata i quanin fësh-fëshe (fëshfëronin). <Crni> nuk dukej fare i keq me atë pardesy e më të pashmit e një tridhjetëvjeçari, edhe pse ai gjithë kohës do të mendonte se nuk ishte i bukur. (Vetëm diku nga të pesëdhjetat do ta kuptonte se nuk kishte qenë edhe gjithaq i shëmtuar dhe do t’i pëlqente vetja).

Ali <Talijanin> Gjakova nuk e njihte si poet. E njihte si një djalë të lazdruar, me atë frizurë të çuditshme, i cili gjithë ditën çonte peshat nga kutitë e llamarinta të tëlyenit, të mbushura me beton, në të cilat shkruante <Mrs>, për të gdhendur trupin, duke konstatuar se ka më shumë në muskuj se në kokë. Por, e gjithë Gjakova ia pranonte se është një nga më të mirët që kërcente nga ura dhe nga gurët e Drinit. (Një gur tek Ura e Fshenjtë mbi Dri vërtet mban emrin e Ali <Talijanit> (…)

Po ky Ali <Talijani> vërtet do të bëhej një nga poetët më të mëdhenj shqiptarë në Kosovë dhe do ta takonte atë ditë Jakup <Crnin>, që do t’i tregonte se sapo i kishte lindë një djalë» (nga romani «Gryka e kohës», Dukagjini, Pejë, 1994).

Edhe n’pleqni t’thellë, Rama gjithmonë ndihej çapkën i dashunuem si në lule të rinisë! Sillej me gjentilesë e butësi, pedant dhe i hapun, adhuronte dhe i pëlqente me qenë i adhuruem. E shquente një entuziazëm pothuajse euforik dhe qasje pasionante për jetën – që e shihte si marrdhanie dashunore – dhe një shpirtësi e gërshetueme në humor e satirë.

Shkrimtarja e botuesja Flutura Açka ishte ndër të parat që pasi mori lajmin për ikjen e tij, shkroi: «T’deshta fort! Një burrë fin si ti ndër letrat shqiptare, zor e gjen… I paqes qofsh, Ramiz Kelmendi».

Bardhyl Metaj, ndonëse vetë në lëngatë, mbledh forcë për me ia tejçue publikut copën e tij të tregimit për Ramiz Kelmendin. «…unë dua të theksojë një tipar tjetër të tij – atë të shmekerit, dhe atë tjetrin, të një zotëriu, të një frajeri e të një flirtuesi të paepur – dhe gjithsesi, edhe të një 86-të vjeçari, ndër më sharmantët, që kam parë apo takuar ndonjëherë, kudo qoftë në botë… Një njeri i mrekullueshëm, dhe një ikonë shumëdimensionale, e Prishtinës dhe Kosovës!»

Ramiz Kelmendi asht pothuejse ndër të fundit rilindas (nga ata që e banë dhe i dhanë emën «Rilindjes») – qe nuk ishte vetëm një gazetë -, por ishte frymë, një emën për epokën në të cilën shqiptarët e Kosovës u rikthyen fuqishëm në histori!

«Rilindja» ishte rilindje e vërtetë e një populli!

E Ramiz Kelemendi ishte gazetar, reporter, redaktor, botues dhe së fundi demiurg – mësues i shumë brezave të gazetarëve dhe themelues i t’parës shkollë gazetarie në Kosovë (Kolegji «Faik Konica»). Ramiz Kelmendi e ngriti në stil reportazhin si zhanër deri në përmasat e letërsisë! Këtë zhanër pak ose gati askush s’arriti me e mësue prej tij.

Ai asht shque me «Letra prej Ulqini», pastaj me rubrikën «Mbane mend këtë emër» (ndër të tjerë aktori i ardhshëm Bekim  Fehmiu ishte profecia e tij ma e madhe!) – përmes kësaj rubrike zbulonte e shquente emra të përveçëm që shfaqeshin në arte e letërsi, në shkencë e profesione të tjera. Për Elvira Dones thoshte: «Elvira dallon nga shkrimtaret e tjera shqiptare për guxim, talent e tekst. Mbajeni mend këtë emër», pastaj mbane mend këtë emër: Ragip Sylaj (poet), Arbër Vllahiu (gazetar).

Ramiz Kelmendi ishte kolumnisti i parë kosovar – në kuptimin perëndimor të këtij nocioni – autor shtyllë n’gazetë! Dhe «ka disa mënyra të shkrimit të kolumnes» – më tha verës që shkoi, tek u qafa me të – «stili im, dhe katër stile tjera, i bashkëkohanikut tem Ali Sutaj dhe Maksut Shehut dhe stilet enverrobelliane dhe halilmatoshiane!» Ai edhe e ka botue një kolumne me këto emnesa stilesh dhe besoj se miqtë e tij, komunitetet e shkrimtarëve (Lidhja e Shkrimtarëve ose Pen Qendra kosovare, asociacionet e gazetarëve, Ministria e Kulturës e kushqoqoftë, kanë me ia publiku veprën të plotë doajenit të gazetarisë shqiptare të Kosovës! Veprën letrare të deriatëhershme ia ka botu më 1990 «Rilindja». Ndonëse i rënduem p’ej moshet, ai nuk e la pa dalë n’sheher. Prishtina është vendbanim i katundarëve të krejt Kosovës, sepse edhe nëse banojnë tek Sheshi «Ibrahim Rugova», prishtinalitë thojnë: «Po dal n’sheher». Dhe i thojsha sa herë e takoja, kryesisht te kafe «Rings»: «Bravo t’koftë Ramiz Kelmendi – mos u shtrej n’kauq – rri n’kambë, se të tillë të duem!» «Po u lexoj e po knaqem, bravo për stilin, guximin e mprehtësinë» – m’thojke në shumës, sepse gjithnjë ma ka ba me dije se lexonte kryesisht shkrimet e Enver Robellit dhe të miat.

E me të vlerësu Ramizi nuk ishte bash lehtë me iu shmang tundimit për me u nie krenar, e krahtë përpjetë me i çue, sepse krenia, s’e di me saktësi nëse asht ves a virtyt – megjithatë ndjesi njerëzore po! Te «Lahuta e Malcisë» At Gjergj Fishta e ka një varg tek kanga e Oso Kukës: «Kanë zanë trimat me i lavdue – krahtë përpjetë kanë nisë me i çue…». Ramizi ishte pothuajse mocë me «Rilindjen» dhe asaj ia fali tërë shekullin e tij jetësor, deri në mbylljen e saj nga fashizmi i Slobodan Millosheviqit dhe mbulimit me harresë nga sunduesit e rinj – që nuk u interesonte ma libri, idetë dhe kultura, porse fuqia: Pushtet e para!

Dhe duem me i dhanë udhë rrnesës së «Crnit» në një dimension tjetër – në letrat shqipe – përmes rrëfimit të të birit Migjenit. E kush mund ta njihte më mirë se ai?

«Jakup <Crni>, gjer atë ditë, linte përshtypjen e një djali të pleksur me të mirat e jetës, kishte një hedonizëm latent, ishte i dhënë pas modës dhe të mirave që i sjellte muza e re <Tehna>. Kishte blerë një gramafon dhe pllaka italiane, muzikën e të cilëve e pëlqente shumë, i lyente flokët me brilantinë dhe lahej shpesh. (E kishte kompleks hundën e tij të madhe dhe ngjyrën e tij të zezë, të cilën mendonte se do ta zbuste duke u larë shpesh, duke mos e ditur se pikërisht ai esmerllëk i tij, e bënte që të ishte aq shpesh në shoqëri vajzash)».

***

Lamtumirë mjeshtër!

Prehu n’paqen e përjetshme Ramiz Kelmendi! Ramë, siç kam pasë qejf me të thirrë…

Falemneres për secilën germë të stampueme që ia fale atdheut të kosovarëve.

Kujtesës së Kosovës!

Fjalorth shpjegues

  1. Delëngthi: Fjalë e përdorun ndoshta për t’parën herë në letrat kosovare nga Ramiz Kelmendi e që do të kishte mund me e përdor edhe Faik Konica.
  2. Frajer – fjalë e huamarrun nga gjermanishtja «Freier» – dmth. «kërkues dhe adhurues kurtizanesh», nga jidish «frei», i lirë, njeri i shlirshëm.
  3. Schmecker: Njeri që e veçon era (aroma e mirë), rëndom bëhet fjalë për heroinën si narkotik. Fjalë me nyjë jidish «schmeck» – dmth. nuhatje të një ere; shijues dhe me shije, me shije të mirë; dikush që përzien të jetuemit me dashuni dhe që e shijon botën dhe e bën atë me shije të mirë. Rama e bani botën e tij dhe tonën – të jetueshme!
  4. «Crni» – esmer, zeshkan.
  5. Ali «Talijani» – Ali Podrimja, poet.
  6. Fësh-fëshe – në origjinal është përdor «Šuškavac» (fëshfëritës).