Periudha e Tanzimatit

Kujtimet e Syrja Vlorës: Nga fundi i sundimit osman në luftën e Vlorës.

Kartolinë e vjetër e Stambollit.



[Kur] Ali Pashë Tepelena, pasi mbeti pa gjë në trup, rrëmbeu pasurinë dhe paratë e të tjerëve, shteti filloi t’i kushtojë vëmendje Shqipërisë. Deri në atë kohë qendra e sulltanatit nga gradimet zyrtare dhe nga krijimi i disa situatave të pasigurta, që nuk mund të kishin lidhje me situatën informale të Shqipërisë, nuk kishte menduar përmirësimin e administratës së Shqipërisë. Në Rumeli vetëm Shqipëria dëgjonte fjalën e shtetit dhe për ruajtjen e stabilitetit u bë sigurimi i pronarit.

Deri në kohën e Selimit të Parë dhe Muratit të Shenjtë pati vrasje dhe mjaft dhimbje. Sulltan Mahmuti për të forcuar pushtetin eliminoi shumë zotërinj dhe fisnikë me të drejtë apo pa të drejtë. Valinjtë që erdhën dhe u vendosën në nëpunësi në Shqipëri filluan të dhunojnë ligjet dhe kufijtë. Me një shkak të çastit rrëmbenin pasurinë dhe sulmonin e vepronin me guxim.

Ndërsa urdhri i Padishahut, dhënë me anë të fermanit, më 3 nëntor të vitit 1839 për shpalljen e Reformës së Gylhanesë, siguronte mallin dhe jetën dhe deri në një farë shkalle garantonte mirëadministrimin, me anë të pronarëve që ishin mësuar të devijonin nga ligji, në realitet askush nuk ishte i sigurt me këtë mënyrë zbatimi. Para së gjithash ligjet e drejtësisë nuk i përshtateshin bazës dhe kohës, traditave dhe zakoneve. Madje edhe sikur t’u ofrohej e drejta, këta persona do t’i zbatonin ligjet e drejtësisë menjëherë sipas mënyrës së tyre. Edhe ata që besonin në pamundësinë e zbatimit të ligjeve nuk mund ta mohonin qeverisjen e pa rezultat të Tanzimatit. Në këtë periudhë filluan demonstrime mbi administrimin e kufizuar. Që prej fillimit zona e Rumelisë ishte bërë krejtësisht një det i madh kaosi dhe kjo e kishte dobësuar administrimin atje.

Pengimi i lëvizjeve kryengritëse, vrasjet e të pafajshmëve, sigurimi i qetësisë për secilin fukara dhe marrja e popullit nën kujdes nuk konsideroheshin qëllim i mirë dhe zbatim i drejtësisë. Në përgjithësi shqiptarët përfshi ata që ishin ortakë apo që kishin shoqëri, kishin përvetësuar dhe sjellë rregullat e Stambollit. Ata nuk e kishin parë të nevojshme përparimin e vendit dhe kështu nuk mund të ishin të suksesshëm.

Sipas kryetarit të shtetit nëse do të ndiqeshin dhe zbatoheshin rregullat e Tanzimatit dhe Reforma, as shteti nuk do të kalonte tmerre në Rumeli dhe as palët që ishin përreth nesh dhe kundër nesh nuk do të gjenin motiv për t’u bashkuar. Në këtë situatë të përgjithshme dhe me këtë gjendje shpirtërore, ankesat nga myslimanët shqiptarë në qendër të sulltanatit nuk u erdhën për shtat qeveritarëve; në mes ishte një zemërim dhe mllef i fshehur. Kur bëhej fjalë për shqiptarët, si rrjedhojë e rregullave të vendosura nga Marrëveshja e Karlovacit, vendet e kultit, kisha katolike dhe komuniteti hynin nën mbrojtjen e Austrisë.

Urdhri i dhënë dhe propozimi i ushtrisë në një farë mënyre nuk e prekën popullsinë e maleve. Qeverisja e vendit ishte mjaft e copëtuar. Veprimet e priftërinjve në kisha me leximin e lutjeve dhe vjershave në popull zgjuan ndërgjegjen e tij. Midis tyre në vëmendje dhe kujdes ishte vënë ekzistenca e Shqipërisë dhe kjo konsiderohej si qëllim i punës. Duhet të shpjegojmë se pas kësaj kohe në Shqipëri mendimi për kombin u shfaq hapur dhe në zbatim të urdhrit të zgjerimit të aktivitetit, priftërinjtë katolikë i kushtuan [këtij qëllimi] gjithë veprimtarinë e tyre. Ortodoksët shqiptarë të Shqipërisë së Jugut të larguar nga fryma e Patrikanës, u gjendën në gjurmët e propagandës greke; këta e urrenin administratën e shtetit. Por për të bërë të mundur bashkimin e grekëve, shpëtimi nuk vinte me rezistencën e shqiptarëve. Gjithë informacioni i njohur dhe mendimet e përparuara frymëzuan dy rrethe shoqërore dhe, ashtu si u veprua në Athinë dhe Bukuresht, bënë thirrje në të katër anët e botës, ku ishin përhapur miqtë e tyre përfshi edhe Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilët nuk shpresonin përmirësimin e gjendjes ekzistuese. Grekët u betuan se ishin mashtruar.

Në këtë periudhë të gjitha forcat u organizuan nga Greqia. U bë një përzierje e shqiptarëve të besimit të krishterë ortodoks me ortodoksizmin dhe greqizmin dhe në kushtet e injorancës lindën kështu me mbështetjen e huaj, baza serioze për pretendime dhe kërkesa absurde të armiqve tanë ndaj Shqipërisë së Jugut.

Në këtë periudhë kemi shtimin e arrestimeve të shqiptarëve ortodoksë dhe vazhdimin e përparimit material dhe moral të shtetit grek. Myslimanët toskë, të pakënaqur nga administrimi i shtetit osman, së bashku në veri dhe në jug të Shqipërisë, krijuan mendimin për ruajtjen e kombit nga prishja, që ishte vënë re prej kohësh, si dhe mbrojtjen e tij. Të gjendur në të katër anët pa zgjidhje, përballë rritjes së rrezikut të greqizimit, shqiptarët u detyruan të preferonin të qëndronin në administratën osmane. Shqiptarët myslimanë në kohët e vjetra ishin mësuar të shkonin në emigrim. Më pas një gjë e tillë nuk ishte e nevojshme. Çdo kategori shoqërore e mbetur pa zgjidhje u detyrua të shërbente në administratën osmane dhe para së gjithash të hynin si policë, në xhandarmëri e të tjera profesione si këto. Krijimi i këtyre situatave dhe në një farë mase nëse nuk do të kishin [krijuar] pasuritë dhe mjeshtëritë e tyre, ata mund të ruanin vazhdimisht lidhjet me Atdheun e tyre. Ndërsa zotërinjtë dhe fisnikët myslimanë, me mbështetjen e Qendrës, u zgjeruan në çdo anë të shtetit osman dhe siguruan nëpunësi të mëdha. Në atë periudhë ata fituan vende mjaft të rëndësishme në qeverisje. Edhe këta vazhduan lidhjet me Atdheun e tyre.