Përgjime të reja tronditin Maqedoninë – Po shantazhohet Ali Ahmeti?



Përgjime të reja janë shpërndarë ditëve të fundit nëpër rrjetet sociale. Paralajmërohen edhe qindra biseda të tjera, të cilat besohet se do të publikohen para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare. LSDM-ja opozitare akuzon VMRO-në se përmes këtyre bisedave tenton të shantazhojë partnerin e koalicionit, BDI-në e Ali Ahmetit.



Gjatë valës së fundit të protestave në Shkup, më 2015. Foto: Giovanni Vale / Shutterstock.com

Biseda të reja telefonike, për të cilat pretendohet se janë nga përgjimet ilegale në Maqedoni, kanë vërshuar rrjetet sociale. Disa faqe në rrjetin social Facebok, mes tyre edhe një me emrin «Pronto Mk», kanë publikuar këto ditë biseda të cilat u atribohen zyrtarëve të VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së. Ndërkaq kjo faqe, por edhe disa të tjera, kanë publikuar edhe fogtografi me ikona të qindara udi-fajllave për të cilat thuhet se i zotërojnë administratorët e faqeve dhe kanë paralajmëruar se do t’i publikojnë ditëve në vazhdim.

Jozyrtarisht mësohet se partitë e prekura nga këto përgjime, dy partnerët e koalicionit, kanë reaguar në mënyra nga më të ndryshmet, me qëllim të marrjes së masave për parandalimin e publikimit të bisedave të tjera. Faqja «Pronto» ka njoftuar se zyrtarë të BDI-së janë ankuar te rrjeti social Facebook dhe se asaj tanimë i kanë ardhur disa vërejtje e kërcënime për mbylljen e faqes. Mësohet se BDI ka reaguar përsëri edhe tek Prokuroria Speciale, prej ku kanë bërë ftesë që të gjitha palët e prekura nga përgjimet të dorëzojnë ankesa, ndërsa poseduesit e bisedave që burojnë nga përgjimet ilegale t’i dorëzojnë ato në Prokurorinë Speciale.

Nga LSDM-ja opozitare, e cila vitin e kaluare para publikoi biseda nga kjo aferë, kanë mohur lidhjen me administratorët e faqeve dhe kanë thënë se të gjitha bisedat e përgjuara i kanë dorëzuar tanimë te prokurorja speciale Katica Janeva dhe nuk zotërojnë asnjë bisedë tjetër. LSDM ka thënë se publikimi i bisedave, që besohet se vijnë nga Kosova, është lojë e VMRO-DPMNE-së. Kjo parti, thonë nga opozita maqedonase, ka për qëllim të shantazhojë partnerin e koalicionit qeverisës, Ali Ahmetin, përmes publikimit të bisedave komprometuese nga afera e përgjimeve. «Tekstet e porositura nga mediat kurrire dhe publikimi i bisedave të përgjuara nëpër mediat kosovare është qartë lojë e VMRO-DPMNE-së, e porositësve të përgjimit në Maqedoni, të të akuzuarit Gruevski dhe të dyshuarve Mijallkov dhe Jankullovska… Paralajmërojmë se porositësit e përgjimit, Gruevski, Mijallkov dhe bashkëpunëtorët do të mundohen ti shfrytëzojnë materialet që kanë për shantazhim me qëllime të ndryshme dhe kjo tani dëshmohet me porositë që qartazi ia dërgojnë partnerit në koalicion, Ali Ahmetit», deklaroi  zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov.

Nga bisedat e publikuara ditëve të fundit u tha se dëgjohen dy zyrtarët e lartë të BDI-së, ish zëvendës-kryeministri Musa Xhaferi dhe deputetja Ermira Mehmeti. Kjo e fundit ka reaguar përmes profilit të saj në Facebook duke akuzuar se bëhet fjalë për montime që kanë për qëllim diskreditimin e saj personal. Mehmeti madje thotë se ky është një sulm maskulist ndaj një femre të sukseshme në politikë. Ajo poashtu pretendon se e njeh zërin e femrës që dëgjohet në bisedën për të cilën është thënë se është deputetja Ermira Mehmeti dhe se të dhënat për këtë person ajo i ka depozituar edhe në Prokurorinë Speciale dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme. «Këtë informatë unë ia kam transmetuar edhe Prokurorisë Speciale, por edhe ministrit (të opozitës) të Punëve të Brendshme. Këtë informatë ua kam transmetuar edhe zëvendës-ministrit për Punë të Brendshme, Nuhiu, si dhe zëvendës-drejtorit për Siguri Publike, Dehari. Gjatë gjithë kësaj kohe nuk kam folur për këtë çështje duke u nisur nga edukata ime dhe përcaktimi se roli im publik nuk është për t’ia prishur jetën askujt, aq më pak ndonjë vajze apo femre. Por, sot po them dy gjëra: zonjusha në fjalë është A.A. nga Shkupi, dhe unë, por edhe Prokuroria Speciale e Ministria e Brendshme e kemi fotografinë e saj», ka shkruar Mehmeti.

Tani e disa muaj në Maqedoni është në fuqi ligji për privatësi që ndalon publikimin e bisedave që prekin jetën private, kanë motive etnike ose fetare dhe të ngjashme; lejohet vetëm publikimi i bisedave me interes publik. Edhe më herët, publikimi i bisedave të papublikuara ka qenë temë nëpër koloaret politike dhe mediatike. Besohet se biseda të tilla janë shpërndarë në Maqedoni dhe Kosovë, ndërsa janë rritur pritjet që një pjesë e bisedave të publikohen para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të caktuara për më 11 dhjetor.

Publikimi i aferës së përgjimeve në vitin 2015 dhe një pjese të bisedave nga kjo aferë, përmes konferencave për shtyp të vetë kreut të LSDM-së, Zoran Zaev, u bënë shkak për formimin e Prokurorisë Speciale. Kjo prokurori, e cila udhëhiqet nga Katica Janeva, tanimë ka hapur disa raste të dyshuara për keqpërdorim të pushtetit nga zyrtarë qeveritarë, disa prej të cilëve tanimë kanë dhënë dorëheqje. Në mesin e të dyshuarve janë edhe ish kryeministri Nikolla Grueveski, ish shefi i policisë sekrete, Sasho Mijallkov, ish ministrja e punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska dhe ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski. Këta kanë qenë protagonistët kryesorë në pjesën më të madhe të bisedave të përgjuara.