Përgjërim

Aleksandër Pushkin.



Oh, po të jetë e vërtetë,
Se natën kur gjithçka pushon,
Kur rrezet hënëza e zbehtë,
përmbi murrana i vërshon,

Shkretohen varret e nemitur
Dhe hijet bredhin nëpër terr,-
Do thirrnja miken e zhuritur:
Tek unë eja menjëherë!

M’u shfaq ashtu siç ishe ti
Përpara ndarjes plot trishtim,
E ftoht’ e zbehtë, si qiri,
Në prag të fundit gjith’ mundim.

M’u shfaq porsi një yll i ndritshëm,
Si zë i leht’ apo si erë,
Apo si një vegim i frikshëm,-
S’ka gjë: ti eja menjëherë!…

S’po të thërras për të qortuar
Me hijen tënde, njerëzinë,
S’po të thërras për t’i zbuluar
Territ të varrit fshehtësinë,

Dyshimet nuk më brejnë mua;
Po të thërras me shpirtin vrer,
Që të të them me mall: të dua.
Jam yti, eja menjëherë!