Përgjakja e Stambollit: 28 të vdekur

Deri në orët e vona të së martës numri i viktimave të vrarë në aeroportin e Stambollit ka arritur në 28.

Pamje nga aeroporti i Stambollit, maj 2016. Foto: Shutterstock

Stambolli sërish është përgjakur. Pas sulmeve në dhjetor dhe janar në qendër të qytetit, të martën në shënjestër ka qenë aeroporti që bart emrin e Mustafa Kemal Ataturkut, themeluesit të Turqisë moderne. Nga pasojat e disa shpërthimeve në mbrëmje janë vrarë 28 njerëz dhe 60 të tjerë janë plagosur, bëjnë të ditur mediumet turke dhe gjermane, duke iu referuar të dhënave të guvernatorit të qytetit, Vasip Sahin. Më parë ministri i Drejtësisë Bekir Bozdag kishte thënë se gjatë sulmit janë vrarë 10 persona. Bozdag njoftoi për një sulmues me kallashnikov.

Por sipas guvernatorit autorë të krimit ishin tre sulmues, të cilët hodhën veten në ajër kur policia në hyrje të kontrollit të sigurisë pranë terminalit ndërkombëtar hapi zjarr kundër tyre. Ende nuk ka të dhëna mbi nacionalitetin e viktimave.

Agjencia e lajmeve DHA njoftoi se pjesa e nisjes dhe arritjes së avionëve është mbyllur plotësisht. Të gjitha fluturimet janë anuluar. Në fotografitë e para nga vendi i ngjarjes shihen shkatërrime jashtë terminalit të arritjeve, ku pasagjerët presin taksitë. Shihen edhe autoambulanca që kanë ardhur t’i marrin të plagosurit.

Aeroporti i Ataturkut gjendet në pjesën europiane të Stambollit dhe është më i madhi i vendi dhe ndër më të shfrytëzuarit në Europë.

Në muajt e kaluar në Turqi janë kryer disa sulme terroriste. Përgjegjësinë e kanë marrë pjesëtarët e «Shtetit Islamik» dhe kryengritësit kurdë. (-lli)