Përfundon drama: kosovarët sërish marrin pensionet e tyre nga Zvicra

Para vitit 2010 qindra pensione zvicerane paguheshin në Kosovë. Pas ndërprerjes së pagesave pala kosovare dhe sidomos sindikatat zvicerane u ankuan për diskriminim të kosovarëve. Me një peticion 10 mijë veta kërkuan nga qeveria e Zvicrës të negociojë një marrëveshje të re. Në Zvicër jetojnë 112 mijë kosovarë, pa i përfshirë ata me shtetësi zvicerane, që supozohet të jenë disa mijëra. Vlerësohet se në Zvicër jetojnë mbi 200 mijë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia, Serbia jugore (Lugina e Preshevës) dhe Mali i Zi.




Shtetasit e Kosovës në të ardhmen do të marrin pensionet e tyre të rregullta dhe invalidore nga Zvicra edhe nëse nuk jetojnë në Zvicër, por në Kosovë. Bëhet fjalë për sigurimet AHV dhe IV. Kjo nuk ka qenë e mundur viteve të fundit. Qeveria e Zvicrës miratoi të mërkurën marrëveshjen për sigurime sociale me Kosovën dhe e auturizoi presidentin Alain Berset ta nënshkruajë atë. Marrëveshja hyn në fuqi sapo të miratohet nga të dy parlamentet – i Kosovës dhe i Zvicrës. Për nga përmbajtja marrëveshja është e ngjashme me ato që Zvicra nënshkruan me vende të tjera.

Marrëveshja e bën të mundur që pensionet e shtetasve të Kosovës të paguhen edhe në botën e jashtme. Marrëveshja përmban një klauzolë, e cila parasheh që shtetet të ndihmojnë njëri-tjetrin në luftimin e keqpërdorimeve. Viteve të fundit partitë e djathta në Zvicër dhe një pjesë e madhe e mediave kanë zhvilluar një fushatë kundër «kosovarëve që keqpërdorin pensionet», por një hetim i palës zvicerane me detektivë të dërguar në Kosovë nuk solli pothuaj asnjë rezultat. Numri i keqpërdoruesve të zbuluar ishte tejet i ulët, afërisht i njëjtë me atë të pensionistëve zviceranë që shijojnë jetën në Tajlandë.

Marrëveshja e mëhershme e arritur me Jugosllavinë, e cila përfshinte edhe Kosovën, nuk ishte zbatuar nga 1 prilli 2010 – domethënë që nga atëherë kosovarët që kanë punuar në Zvicër dhe jetojnë në Kosovë nuk merrnin pensione. Pala zvicerane arsyetohej se duhet një marrëveshje e re, pasi që e vjetra nuk garantonte pengimin e keqpërdorimeve. Para vitit 2010 qindra pensione zvicerane paguheshin në Kosovë. Pas ndërprerjes së pagesave pala kosovare dhe sidomos sindikatat zvicerane u ankuan për diskriminim të kosovarëve. Me një peticion 10 mijë veta kërkuan nga qeveria e Zvicrës të negociojë një marrëveshje të re. Në Zvicër jetojnë 112 mijë kosovarë, pa i përfshirë ata me shtetësi zvicerane, që supozohet të jenë disa mijëra. Vlerësohet se në Zvicër jetojnë mbi 200 mijë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia, Serbia jugore (Lugina e Preshevës) dhe Mali i Zi. (dp)