Përfundojnë studimet por s’gjejnë punë – shkak mungesa e përvojës praktike

Numri i studentëve që i kryejnë studimet si në fakultetet publike, ashtu edhe ato private, është shumë i madh. Mirëpo, janë të paktë ata që e kryejnë shkollimin dhe që janë të gatshëm për punë, për shkak se nuk kanë përvojë në praktikë.




Arbër Berisha ka një vit që është duke punuar si programues në një nga bankat komerciale. Përpos një praktike dymuajshe që e ka bërë, ai thotë se deri në vitin e fundit të studimeve në drejtimin e shkencave kompjuterike nuk i është ofruar asnjë mundësi për praktikë, raporton KTV.

Për dallim nga vitet e kaluara, Genc Loxha, zyrtar i lartë për trajnime, thotë se në dy vitet e fundit është përmirësuar kualiteti i studentëve që i marrin për trajnime dhe më pas për fitim të së drejtës për punësim.

Rritja e interesimit në fushën e teknologjisë dhe njohuritë në gjuhën angleze konsiderohen ta kenë pasur ndikimin e tyre, transmeton Koha.net.

Eksperti i arsimit, Dukagjin Pupovci, ka thënë se është punuar shumë pak në dhënien e studentëve mundësinë e praktikës. Mungesa e përvojës së punës praktike të studentëve konsiderohet të jetë një nga problemet më të mëdha që kompanitë kanë në vendin tonë.