Performancat «kuqezi» më kreative në rrjetet sociale

11 Tetori u shndërrua në datë historike për të gjithë shqiptarët. Pas fitores së Shqipërisë ndaj Armenisë, çka e kualifikoi Kombëtaren Kuqezi për «Euro 2016», kjo fitore ngriti në këmbë gjithë shqiptarët anekënd botës.




Vetëm pak minuta pas ndeshjes, rrjetet sociale sikur u «veshën» kuq e zi. Përveç me fotografi dhe komente, kjo fitore u festua edhe me këngë dhe urime nga më të ndryshme.

Por, ka edhe të tillë që këtë festë e shprehën edhe në forma kreative, idetë e të cilëve u mirëpritën në masë të madhe.

Një video, e cila tërhoqi shumë vëmendje në rrjetet sociale dhe në media, ishte e disa djemve nga Peja, të cilët të veshur me fanella kuqezi dhe shqiponjën dy krenare në gjoks i kanë kënduar kombëtares shqiptare.

Gjithçka nisi me humbjen e Shqipërisë, e cila pësoi nga Serbia.
Si shumëkush, këta djelmosha, të dëshpëruar kanë kënduar një këngë, kjo e njohur nga këngëtari Ramadan Krasniqi Dani, e cila kishte mesazh pikëllues.

Këta djem nuk e lanë me kaq, pasi ata sollën edhe një tjetër këngë, ndryshe nga e para, shumë festive dhe më ritmike, bën të ditur emisioni «Express» i KTV-së.

Kjo ishte edhe video e cila erdhi pas fitores së Kombëtares. Por as këtu nuk mbeti pa u përmendur Serbia, për të cilën thonë se rri «te shpia».

Ndryshe, kjo video u shpërnda nga shumë përdorues të rrjetit social «Facebook».

E një performancë interesante dhe shumë e pëlqyer ishte edhe ajo e balerinit të njohur shqiptar, Sinan Kajtazi, i cili ndryshe njihet edhe si klarinetist.

Kajtazi ka performuar himnin e Shqipërisë, duke manipuluar me top.

Humbja me Serbinë në minutat e fundit ishte përcjellë me trishtim nga shumë shqiptarë.

Secili gjeti mënyrën e vet për ta shprehur zemërimin – dikush duke shfryrë në stadium, dikush para kamerave, në «Facebook» apo duke u përleshur me mbështetësit e ekipit serb.

Një ndër ata që e përjetuan më hidhur disfatën është edhe kjo vajzë e vogël, e cila qan me të madhe për rezultatin e pësuar në «Elbasan Arena».

Por nuk vonoi shumë, këta lot të kësaj vogëlusheje u shndërruan në lot gëzimi.

Festa ka vazhduar deri në orët e para të mëngjesit. Madje video nuk mbeti pa u publikuar edhe nga trajneri i Kombëtares shqiptare, Gianni de Biasi, transmeton Koha.net. Ai shihet duke filmuar një moment feste, ndërsa i gjithë grupi këndon në kor, «Jam ‘s’jam e mirë, jam për vetën time».

Gëzimin e madh për këtë datë historike nuk kanë mundur ta fshehin as personalitete të njohura shqiptare. E komenti më i përdorur në rrjetet sociale ishte «Me Plis në Paris» që përshkruan edhe kualifikimin e Shqipërisë në «Euro 2016» që do të zhvillohet në Francë.