Përfituesit e borxheve publike dihen të premten

E premtja është dita e fundit kur institucionet shtetërore dhe ndërmarrjet publike duhet të finalizojnë listat e qytetarëve që do të përfitojnë nga Ligji për faljen e borxheve. E procedurat për shlyerjen e borxhit, do të nisin nga java e ardhshme, shkruan sot Koha Ditore.




Afatet janë vënë nga Qeveria nëpërmjet një udhëzimi administrativ, e i cili nuk është publikuar. Gazeta e ka siguruar një përmbajtje të tij. Nëpërmjet këtij dokumenti përcaktohen procedurat dhe afatet për faljen e borxheve publike që personat fizikë dhe juridikë kanë ndaj institucioneve dhe agjencive të pavarura për periudhën deri në fund të 2008-s, por edhe disa lehtësira për borxhet publike deri në fund të 2014-s.

«Institucionet shtetërore dhe ndërmarrjet publike … deri më 2 tetor 2015 i identifikojnë dhe përgatisin listat e të gjithë personave fizikë dhe juridikë që mund të përfitojnë nga falja e borxheve publike sipas nenit 4 të Ligjit, si vijon: Listën e personave fizikë dhe juridikë që kanë borxhe dhe shumën e borxheve për periudhën deri më 31 dhjetor 2008, dhe; listën e personave fizikë dhe juridikë që kanë borxhe për periudhën 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2014», thuhet në udhëzim administrativ. «Lista duhet të përmbajë shumën e borxhit bazë, ndëshkimet, gjobat, interesin dhe obligimet tjera që rrjedhin nga mospagesa me kohë e kryegjësë së borxhit për secilin person në baza vjetore dhe duhet të renditen në mënyrë alfabetike, veçmas për personat fizikë dhe personat juridikë».