Përfitues të dy banesave sociale, zyrtarët komunalë

OJQ «Fortesa» e Kamenicës ka vlerësuar se Komuna ka bërë dallavere me rastin e ndarjes së banesave sociale. Dhe kjo duke thënë se përfitues kanë qenë dy persona, të cilat kanë marrëdhënie pune dhe të cilët kanë patundshmëri.




Sipas kësaj OJQ-je, një prej tyre është zyrtar komunal, ndërsa tjetri pjesëtar i Forcave të Sigurisë së Kosovës, shkruan sot «Koha Ditore».

Amir Jakupi, nga OJQ «Fortesa», ka akuzuar organet komunale se ndarjen e banesave nuk e kanë bërë në përputhje sipas projektit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, ku përfitues do të duhej të ishin vetëm kategoritë sociale.

Ai ka thënë se Komuna ka bërë shkelje ligjore ku është dëmtuar kategoria e rasteve sociale. Mirëpo edhe kategoria e familjeve të dëshmorëve. «Ky ka qenë një program i veçantë që është projekt i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe banesat të cilat do të duhej ndarë, do të duhej që ato familje të ishin raste sociale. Mbas 4 viteve pushteti aktual e ka pështjellur me dokumente dhe ka futur kategori të cilat nuk parashihen. Unë kam informacione se pjesëtari i FSK-së ka patundshmëri në fshatin Shipashnicë. E zyrtari komunal ka shtëpi në fshatin Hodonoc, ndërsa banon me qira në Kamenicë. Që të dytë qëndrojnë mirë ekonomikisht. Komuna në këtë rast ka bërë manipulime dhe se këto janë bërë në mënyrë të qëllimshme», ka thënë ai.

Ndërsa, Kimete Kryeziu, kryetare e Komisionit për ndarjen e banesave, i ka thënë KD-së se këtyre dy zyrtarëve u janë ndarë banesat në bazë të Ligjit për financimin e programeve të veçanta të banimit. Ajo ka thënë se të dy përfituesit nuk kanë pasur shtëpi dhe se kanë qenë veteranë të luftës së UÇK-së.

Ndërsa KD-ja ka kontaktuar edhe Skënder Bashën, zyrtar komunal dhe një prej përfituesve të banesës thotë se kishte aplikuar në bazë të kritereve të konkursit.

Jeton Dërmaku, pjesëtar i FSK-së, vlerëson se ndarja e banesës nga Komuna është bërë pasi ai ka ofruar gjithë dokumentacion sa i përket gjendjes së tij.